TIRANË- Përplasjes më të madhe deri më tani në kampin rozë, kryesocialisti Edi Rama iu përgjigj pa fjalë, por me veprime. Në mbledhjen me dyer të mbyllura të Asamblesë së Partisë Socialiste, gati 9 muaj pas asaj të fundit 21 marsin e kaluar, Rama shkarkoi kryebashkiakun Erjon Veliaj, nga drejtimi i Partisë Socialiste të Tiranës.
Një lëvizje e fortë politike kjo, që pasoi dhe me të parin qëndrim të kryeministrit, nga koha kur Veliaj e akuzoi nga paraburgimi se e ka kërcënuar me rëndim të pozitës penale nëse nuk do pranonte se fshihet pas protestave në Tiranë e nëse nuk hiqte dorë nga mandati. Report Tv mëson se Rama i ka quajtur të pavërteta dhe të sajuara bisedat e pretenduara të Erjon Veliajt me ministrin e Drejtësisë Toni Gogu, në paraburgimin e Fierit. “Gënjen për takimin me mikun e bashkëpunëtorin më të ngushtë, madje me pastorin”, ka thënë Rama.
Me garën elektorale të 9 majit që po afrohet gjithnjë e më shumë, kjo Asamble e socialistëve shënoi çeljen zyrtarisht të fushatës, dhe hapin e parë drejt emrave të mundshëm që mund të shihen si kandidatët për të synuar drejtimin e 46 bashkive në vend.
“Nga sot PS është zyrtarisht në fushatë. Kemi ndërtuar platformën që do duhet të shtrihet në çdo cep të territorit të Shqipërisë, për t’iu afruar përgatitjes së fushatës. Miratuam një platformë që do kërkojë një mënyrë të re, zgjedhjen e atyre që duan të kontribuojnë në këshilla. Forum i hapur publik, ku secili që kërkon të jetë pjesë e kontributit për këshillat, do duhet të jetë pjesë e platformës këshilltari i baskisë sime”, tha Klosi.
Partia në Tiranë, si bashkia më e madhe dhe më e rëndësishme në vend, pas shkarkimit të Erjon Veliajt, përforcohet me dy bashkëdrejtues: Ministrin e Brendshëm Ervin Demo, dhe në krah të tij, vjen numri 2 i qeverisë, zëvendës kryeministrja Albana Koçiu.
Nën ethet e zgjedhjeve vendore, përzgjedhja e tyre është domethënëse. Zërat mediatike se Ervin Demo mund të jetë fytyra me të cilën Partia Socialiste do të garojë për Tiranën më 9 maj, shtohen, sikundër nuk përjashtohet mundësia që kryeministri Rama të ketë menduar një garë që nis në heshtje që në bashkëdrejtimin e PS-së së Tiranës, mes Demos dhe Albana Koçiut se kush do të jetë kandidati.
Ogerta Manastirliu mbetet drejtuese politike e Bashkisë së Tiranës, emri që Rama e përzgjodhi për zgjedhjet e parakohshme të nëntorit 2025, të mbetura në tentativë. Ende nuk dihet sa do të jenë shanset që ajo të mbetet sërish një alternativë. Ndërsa Taulant Balla ruan vendin për drejtimin politik të Tiranës në nivel qarku, me fokus te bashkitë e vogla.
Pritshmëritë e një tjetër socialisteje, se pas kritikave që shfaqi hapur mbi funksionimin e selisë rozë, përjashtimi nuk do të mungonte, u bënë fakt.
Burime nga mbledhja, thanë se Kryeministri Edi Rama përjashtoi Elisa Spiropalin nga çdo funksion në Partinë Socialiste, dhe mbetet një anëtare e thjeshtë. Kundër përjashtimit të saj si anëtare e partisë dolën tre socialistë të vjetër, Erion Braçe, Fatmir Xhafaj dhe Pandeli Majko.
“Harroi që unë isha Skendërbeu dhe mu drejtua me Ed, duke goditur pas shpine në një moment kur minutat e ndanin dronin me eksploziv nga godina e qeverisë. Mori përsipër të bëjë dhe platformë që ma tregon nga përjashta. Je jashtë kësaj asambleje”, - mësohet të jetë shprehur Rama.
Në vijim, pritet të shihet nëse socialistët do të zyrtarizojnë dhe kërkesën për ta përjashtuar nga grupi parlamentar.
Të qenit në izolim, e amnistoi Erjon Veliajn nga përjashtimi nga partia Socialiste duke mbetur anëtar i thjeshtë pa asnjë pozicion drejtues. Por kryesocialisti kërkoi të lihet jashtë partisë si anëtar, Plarent Ndreca, avokati i Erjon Veliajt.

Kryeministri Edi Rama ka publikuar në rrjetet sociale disa foto nga Asambleja e Partisë Socialiste e zhvilluar këtë të shtunë.
Krahas fotove kreu i qeverisë ka shpërndarë edhe një fragment nga fjala e tij, ku në qendër ishte anëtarësimi i Shqipërisë në BE.
Rama thekson se ky është thelbi i arritjeve dhe përgjegjësisë së vendit, duke nënvizuar se asnjë zhvillim apo incident nuk duhet ta shpërqendrojë Shqipërinë nga objektivi i anëtarësimit në BE deri në vitin 2030.
Në fund të postimit, Rama ka bërë edhe një deklaratë për vendoret 2027-ës ku thekson se kjo do të jetë dita e Europës dhe dita e Partisë Socialiste
"Rekomandojmë nisjen e përgatitjeve gjatë vitit 2027 për traktatin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian” - kjo është fjalia historike e Raportit të Zgjerimit të BE-së dhe tek togëfjalëshi, Traktati i Anëtarësimit të Shqipërisë, është thelbi i arritjeve tona të mëdha dhe i përgjegjësisë sonë të madhe, për të mos lejuar që asgjë, askush, asnjë furi gurësh, molotovësh, balte apo glasash, të na shpërqëndrojë nga misioni historik i Shqipërisë 2030 në Bashkimin Europian
Ky ishte edhe thelbi i mbledhjes së Asamblesë Kombëtare sot, ku pashë atë dritën që ndizet në sytë e socialistëve kur zgjohen për të nisur rrugën e një beteje të re, për një fitore të re, për Shqipërinë dhe historinë e saj
9 maji 2027 do të jetë dita e europës dhe e partisë socialiste - për këtë s’ka nevojë të shkojmë deri në Kuç", shkruan Rama.
Deputeti socialist Erion Braçe ka reaguar ashpër ndaj lajmeve të publikuara sipas tij prej pesë ditësh në portale dhe media online, sipas të cilave ai është përfshirë në një pazar politik me kryeministrin Edi Rama për të marrë drejtimin e Ministrisë së Bujqësisë dhe për t'u tërhequr nga pretendimi për të kandiduar në Bashkinë e Tiranës.
Përmes një video-live të publikuar në rrjetet sociale, Braçe ka hedhur poshtë këto pretendime, duke i cilësuar sulmet ndaj tij si një fushatë linçimi në internet.
Ai ka theksuar se votat e marra ndër vite në Qarkun e Tiranës, në diasporë dhe në Bashkinë e Tiranës nuk i ka përdorur asnjëherë për pazare apo interesa personale.
Braçe ka theksuar se karriera politike nuk ka qenë dhe nuk do të jetë asnjëherë një çështje karrigesh për të, duke nënvizuar se prioriteti i tij mbetet puna.
Në fund të reagimit, deputeti socialist ka hedhur akuza të forta ndaj atyre që, sipas tij, bëjnë pazare dhe përfitojnë nga paratë e personave të pandershëm, duke përmendur edhe individë brenda Partisë Socialiste.
Reagimi i Braçes:
Po tani?! Pesë ditë me radhë; Braçe në pazar me Ramën: Merr bujqësinë, meqë e ke merak, dhe ik nga Bashkia e Tiranës!
Pesë ditë rresht në çdo portal e media online; Shpërndarë pa fund kudo, shoqëruar me linçim online. Madje dje, një që po e quaj media, shkruante; Qeni që leh nuk të ha, sidomos kur e bën ministër!
Po turp a ke?! Apo ç'të duhet, më mirë kështu!
Dëgjoni, një gjë dua ta ndaj me cilindo që më ndjek e më ka votuar drejtpërdrejt 30 vite me radhë;
Ato 25 mijë votat në qarkun e Tiranës e diasporë, 19.300 votat në Bashkinë e Tiranës, mijëra vota të mbledhura në zgjedhje të drejtpërdrejta në 30 vite, s'i kam këmbyer kurrë në pazar personal!
Nuk kanë qenë, nuk janë, nuk do të jenë kurrë nevojat e mia karriget!
Gjithë jetën ia kam kushtuar punës, pooo puna është nevojë e imja, atë dua, punën!
Tani;
Hani pazaret e mbusheni gojën plot, siç hani edhe paratë e pisave – disa edhe në PS!

Elisa Spiropali është përjashtuar nga çdo funksion në Partinë Socialiste. Lajmi është konfirmuar nga sekretari i përgjithshëm i PS, Blendi Klosi i cili në një postim shkruan se Spiropali është përjashtuar nga të gjitha forumet e larta të partisë, përfshirë Kryesinë, Asamblenë apo edhe si drejtuese politike në një njësi në Tiranë. Madje, pritet të zyrtarizohet edhe përjashtimi i saj nga grupi i PS. Sipas Klosit, Spiropali është vetëm një anëtare e thjeshtë e PS.
“Keqkuptimi padyshim i qëllimshëm i prononcimit për median ka prodhuar një lajm të rremë. Po, Elisa Spiropali dhe Plarent Ndreca nuk mund të jenë më pjesë e asnjë forumi të partisë. Por në një parti si PS ku cilido aplikon online dhe bëhet anëtar, nuk ka sens përjashtimi edhe nga partia.
Fakti që nuk u votua në Asamble është shumë i thjeshtë. Tre shokë që ishin kundër parimisht për përjashtimin u shprehën lirisht dhe në mbyllje gjithçka ishte e qartë. Ky është fakti ndërsa të tjerat janë konsum mediash që mund ta mbulojnë diellin me shoshë vetëm që u bë natë.
Nesër është një ditë e re dhe Partia Socialiste do të vazhdojë rrugën me frymën pozitive të kësaj asambleje”, shkruan Klosi.
Zv.kryeministrja Albana Koçiu, ka reaguar pas Asamblesë së Partisë Socialiste të zhvilluar sot në Tiranë, ku asaj dhe ministrit Ervin Demo iu besua drejtimi politik i PS-së së Tiranës.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Koçiu i ka shprehur mirënjohjen kryeministrit Rama për besimin e dhënë, ndërkohë që thotë se do të vijojë puna në çdo lagje e çdo njësi të kryeqytetit për fitoren në zgjedhjet e ardhshme lokale.
Reagimi i Koçiut:
Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste
Me skuadrën, energjinë dhe vizionin e duhur për të përmbushur misionin historik të Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe kontratën e besës me qytetarët për shërbime më cilësore dhe rezultate konkrete, duke bërë më shumë e më mirë çdo ditë.
Mirënjohje Kryetarit të Partisë Socialiste për besimin e dhënë për të qenë bashkëkryetare e PS Tiranë.
Bashkë me Ervinin, Ogertën dhe çdo socialist të Tiranës, do të vijojmë punën në çdo lagje e në çdo njësi, sepse pikërisht nga Tirana, kryeqyteti europian i të gjithë shqiptarëve, jepet shembulli i zhvillimit, krijohen mundësitë e reja për çdo familje dhe nis fitorja e Partisë Socialiste drejt #SHQIPËRIA2030

Erion Braçe, nuk e ka fshehur ambicien për të qenë ai kandidati i Tiranës. Në mbledhjen e Asamblesë, ka këmbëngulur në nevojën e një procesi politik që të përfshijë anëtarët e partisë në përzgjedhjen e të gjithë kandidatëve për zgjedhjet vendore.
“Për Tiranën nuk kam kërkuar njoftim të forumeve që të jem unë kandidati. Kam kërkuar një proces politik nga nevoja e socialistëve që të përfshihen në një proces politik që i bën ata pjesë, që i dëgjon, që merr propozime e i bën pjesë të vendimmarrjes. Ndihen apo jo të braktisur? Sepse ata do e paguajnë më shumë opozitën. Kam kërkuar proces politik, po dëgjova këtu që nuk paska nevojë”, mësohet të ketë deklaruar Braçe në mbledhjen e Asamblesë.

Kreu i PS-së, Edi Rama ka zhvilluar një nga fjalimet më të ashpra ndaj deputetëve dhe drejtuesve socialistë, dhe në veçanti “ndaj atyre që janë më të vjetrit”.
Burime nga mbledhja me dyer të mbyllura e Asamblesë së PS-së, thanë për Report Tv, se kryeministri i ka kritikuar disa prej tyre, duke i quajtur 'të padobishëm'.
“Më të vjetrit e PS, ku ikën, ku u fshehën kur digjej gjithë Tirana”, mësohet të ketë thënë Rama gjatë mbledhjes.

Përpos Fatmir Xhafajt, edhe deputeti Erion Braçe ka dalë kundër këkresës së Edi Ramës për përjashtimin e Elisa Spiropalit. Burime bëjnë me dije se Braçe është shprehur se “kjo parti nuk ka përjashtuar ndonjëherë një njeri, mesa njoh unë. Mendoj se forca e partisë ka qenë liria, për të thënë atë që mendojnë”.
Kundër përjashtimit të Spiropalit ka dalë edhe Fatmir Xhafaj dhe Pandeli Majko.
Njëlloj si me platformën “Deputeti që Duam”, socialistët do të veprojnë edhe për përzgjedhjen kandidatëve për këshilltarë bashkiakë.
Mësohet se në PS do të ngrihet një platformë e tillë, e cila do të drejtohet nga 3 deputetë të PS, Bora Muzhaqi, Ermal Pacaj dhe Pirro Vengu.
Të interesuarit që do të kenë mundësi të aplikojnë në këtë platformë përmes dy letrave motivimi.
Dy rekomandime të cilat duhet të vijnë, njëra nga struktura e partisë, pra një mbështetje që duhet të marrin nga një anëtar i partisë dhe tjetra nga jashtë partisë.
Në mbledhje është kërkuar që vëmendja kryesore të jetë në Tiranë ku do të jetë edhe beteja kryesore në zgjedhjet lokale të 9 majit të vitit 2027.
Report Tv ka zbardhur debatet mes kryeministrit Edi Rama dhe deputetes Elisa Spiropali në Asamblenë e PS-së. Rama kërkoi përjashtimin e saj nga partia, ndërsa Spiropali mësohet se i është përgjigjur disa herë gjatë mbledhjes.
Sipas burimeve, Rama e akuzoi Spiropalin se e kishte goditur pas shpine.
“Harroi që unë isha Skënderbeu dhe m’u drejtua me ‘Ed’, duke goditur pas shpine në një moment kur minutat e ndanin dronin me eksploziv nga godina e qeverisë”, mësohet të ketë thënë Rama.
Duke iu referuar mocionit të Spiropalit, Rama mësohet të ketë thënë se nuk i pranonte propozimet për “parti të re” e “marrëveshje të re”.
“Mori përsipër të bëjë edhe platformë, që ma tregon nga përjashta”, mësohet të jetë shprehur ai. Sipas të njëjtave burime, Rama i ka thënë Spiropalit gjatë mbledhjes: “Nuk mund t’i gjuash me gurë shtëpisë” dhe “Je jashtë kësaj asambleje”.
Spiropali mbrojti qëndrimin e vet dhe tha se brenda PS-së ka pasur njerëz që kanë abuzuar me pushtetin.
“Nga veprimet e mia nuk është turpëruar PS. Ka ndër ne që kanë abuzuar me pushtetin. Nëse duhet të jem flamingo, atëherë më quani flamingo”, mësohet të ketë deklaruar deputetja.

Ministri i Brendshëm, Ervin Demo, ka falënderuar kryesocialistin Edi Rama, për besimin e dhënë për drejtimin e Partisë Socialiste në Bashkinë Tiranë.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Demo shkruan se sëbashku me Albana Koçiun dhe me skuadrën e deputetëve të Tiranës, do organizohen për organizimin dhe forcimin e PS-së në çdo lagje apo njësi administrative të kryeqytetit.
Reagimi i Demos:
Faleminderit kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama, dhe anëtarëve të Asamblesë Kombëtare për besimin që na dhanë sot mua dhe Albana Koçiut për të drejtuar së bashku Partinë Socialiste në Bashkinë e Tiranës.
Mirënjohje për çdo socialist e socialiste për punën dhe përkushtimin e tyre ndër vite.
Së bashku me Albanën, me skuadrën e deputetëve të Bashkisë së Tiranës dhe me të gjitha strukturat tona, do të angazhohemi për organizimin dhe forcimin e Partisë Socialiste në çdo lagje, njësi administrative e fshat të Tiranës.
Një organizim që mbështetet te puna në ekip, përgjegjësia individuale, komunikimi i vazhdueshëm me qytetarët dhe ndjekja konkrete e problemeve të tyre.
Qytetarët e Tiranës kanë të drejtë të kërkojnë më shumë prej nesh: shërbime publike më të mira, shkolla të sigurta për fëmijët, institucione që përgjigjen dhe zgjidhje për shqetësimet e përditshme.
Për mua, këtu matet edhe puna politike: sa pranë njerëzve jemi, sa i njohim problemet e tyre dhe sa këmbëngulim për t’i zgjidhur.
Duhet të dëgjojmë edhe kur kritika është e fortë, të pranojmë atë që nuk funksionon dhe të punojmë për ta përmirësuar.
Së bashku me deputetët, drejtuesit e strukturave dhe çdo anëtar të Partisë Socialiste, do të ndërtojmë një mënyrë pune ku secili ka përgjegjësi të qarta, ku prania në terren është e përditshme dhe ku çdo shqetësim i qytetarëve ndiqet deri në zgjidhje.
Përgjegjësia jonë është ndaj të gjithë qytetarëve të Tiranës, pavarësisht bindjeve të tyre politike.
Besimin që morëm sot do ta kthejmë në organizim, punë konkrete dhe rezultate për Tiranën!
Të qenit në izolim e amnistoi Erion Veliajn nga përjashtimi nga Partia Socialiste, duke mbetur anëtar i thjeshtë, pa asnjë pozicion drejtues.
“Nuk përjashtohet se ka një element human, se i ka duart e lidhura. Në rast të kundërt do të ishte jashtë”, mësohet të jetë shprehur Rama në Asamblenë e PS-së.
Por kryesocialisti kërkoi përjashtimin nga partia të Plarent Ndrecës, avokatit të Veliajt. Sipas burimeve të Report Tv, Rama akuzoi Ndrecën dhe Veliajn se po gënjenin lidhur me akuzat që kanë hedhur në publik se Veliaj është kërcënuar me rëndim të pozitës penale dhe se i është kërkuar dorëheqja nga drejtimi Bashkisë së Tiranës.
“Ndreca në të gjitha daljet publike gënjen. Nuk e kuptoj se çfarë haku po merr ndaj PS-së, e cila e ka vënë në pozita të larta e deputet. Gënjejnë që të dy. E kanë për nevojat e tyre apo jo, kjo është historia e tyre. Nuk e meriton PS-ja gjithë këtë që po i bëjnë”, mësohet të ketë thënë Rama.
“Gënjen për takimin me mikun e bashkëpunëtorin më të ngushtë, madje me pastorin”, mësohet të jetë shprehur gjithashtu kryeministri. Ai kundërshtoi edhe pretendimet e Veliajt për bisedat me ministrin e Drejtësisë, Toni Gogu. “Nuk janë të vërteta bisedat e pretenduara të Veliajt me ministrin Gogu, janë të sajuara”, mësohet të ketë deklaruar Rama.
Rama mësohet të jetë shprehur “Plarent Ndreca, anëtar i kësaj partie që po i bëka persekutim. Atëherë të ikë nga kjo parti e të bëjë avokatin. Nuk ka më lidhje me këtë parti, do të jetë jashtë kësaj partie.”
Asambleja e PS është mbyllur pa një vendim për kërkesën e kryesocialisit Edi Rama për të hedhur në votim përjashtimin e Elisa Spiropalit. Mësohet se kërkesa nuk është hedhur fare në votim, ndërsa sekretari organizativ i PS, Blendi Klosi konfirmoi pas mbledhjes se Spiropali është ende anëtare e PS.
Klosi: Prandaj janë diskutime të brendshme. Vendimmarrja ishte për miratimin e platformës ‘Këshilltari i bashkisë sime’, miratimin e procesit për të vazhduar fushatën elektorale në çdo cep të territorit.
Gazetarët: Do ta shqyrtoni në një moment të dytë? A është anëtare e PS, Elisa Spiropali?
Klosi: Po është anëtare e PS.
Sekretari Organizativ i PS, Blendi Klosi tha se Ogerta Manastirliu nuk do të largohet nga drejtimi politik i qarkut të Tiranës. Ndërkohë si bashkëdrejtues politik, për territorin e Bashkisë së Tiranës, vijnë Ervin Demo e Albana Koçiu.
“Sa i përket drejtimit të Tiranës, u propozuan dy bashkëkryetarë si në të gjithë bashkitë e vendit. Drejtimi i partisë së bashkisë së Tiranës do jetë nga Demo dhe Koçiu. Drejtimi politik do të vazhdojë nga Ogerta Manastirliu”, tha Klosi.

Deputeti socialist Fatmir Xhafaj ka dalë kundër kërkesës së Edi Ramës për të hedhur në votim përjashtimin e Elisa Spiropalit dhe Plarent Ndrecës nga partia.
“Te merren masa, por jo të përjashtohen”- mësohet të ketë thënë Xhafaj në mbledhjen e Asamblesë
Me përjashtimin e Elisa Spiropalit nga çdo funksion, pritet edhe zyrtarizmi i largimit edhe nga grupi i PS, numrat e mandateve të socialistëve në Kuvend, tkurren në limitet e mbajtjes në kontroll të shumicës së cilësuar prej 84 votash.
Socialistët fituan 83 vende në zgjedhjet e 11 majit 2025. Por disa muaj më parë deputetja e Malësisë së Madhe, Marjana Koçeku, u largua nga grupi, duke ju bashkuar protestave në shesh.
Me përjashtimin e Spiropalit, mandatet e socialistëve do të zbrisnin në 81 dhe numri “magjik” prej 84 votash, që do i lejonte PS të miratonte pa probleme edhe ligjet që kërkojnë shumicë të cilësuar, do të garantohej vetëm nga 3 deputetët e socialdemokratëve të Tom Doshit.

Kryesocialisti Edi Rama ka kërkuar në Asamblenë e PS përjashtimin e avokatit të Erion Veliajt, Plarent Ndrecës. Ky i fundit nuk është në mbledhje.

Burime për Report Tv bëjnë me dije se kryeministri Edi Rama ka kërkuar që përjashtimi i Elisa Spiropalit të hidhet në votim.
Rama mësohet të ketë thënë për Erion Veliajn: “Për atë jo, sepse i ka duart e lidhura.”
-
Topi eshte i imi, penalltine do ta gjuaj vete...
Përgjigju -
Demokracy ne parti?! Cfare demokracie eshte kjo?! Me teper eshte hakmarrje. Nuk e kisha menduar Ramen si hakmarres,por me sa duket edhe ky si te tjeret. Demokraci….! Per te qeshur dhe qare. Bindu dhe vihu ne rradhe…hesht se te qerova…mbylle se te perjashtova…kjo nuk eshte demokraci,ky eshte kult,kult i nje dhe vetem nje…dhe te tjeret ne rradhe. Chumbje e madhe per dike qe erdhi ne krye,sepse lejohej demokracia dikur ne PS. Paska qene njelloj si te tjeret. Ka per tu kujtuar si njeriu qe ushqehu kultin e vet,apo te individit dhe si shpetoje dot narcistizmit rural. Sa keq!
Përgjigju -
Demokracy ne parti?! Cfare demokracie eshte kjo?! Me teper eshte hakmarrje. Nuk e kisha menduar Ramen si hakmarres,por me sa duket edhe ky si te tjeret. Demokraci….! Per te qeshur dhe qare. Bindu dhe vihu ne rradhe…hesht se te qerova…mbylle se te perjashtova…kjo nuk eshte demokraci,ky eshte kult,kult i nje dhe vetem nje…dhe te tjeret ne rradhe. Chumbje e madhe per dike qe erdhi ne krye,sepse lejohej demokracia dikur ne PS. Paska qene njelloj si te tjeret. Ka per tu kujtuar si njeriu qe ushqehu kultin e vet,apo te individit dhe si shpetoje dot narcistizmit rural. Sa keq!
Përgjigju -
me Demon dhe Kocin kete palloshin as socialistet nuk e votojne. Demo eshte ai tipi qe nxori policine per te na rrahur dhe masakruar femijet.
Përgjigju-
Keshtu mendon ti por populli dru do kshq do ta duan edhe me shume Demon or teeeejjjjj
-
Për ty Adriana e dim që nuk e voton dhe nuk na plas fare. Sa për policin që të paska rrah ty fëmijët 30 vjeçar bëri shum mirë. Se ata ishin fëmijet rrugaç tuajt e sorollopit tat që dogjën Tiranën.
-






Komente
Komento