TIRANË- Në Asamblenë e PS-së mbajtur në Gjirin e Lalzit, socialistët bënë ndryshime me drejtuesit politikë në qarqe, një vendim ky që lidhet me punën organizative për zgjedhjet vendore të 2027-ës. Elisa Spiropali ikën nga drejtimi i Tiranës, dhe qarku më i madh i vendit i besohet Taulant Ballës, i cili i forcon pozitat në parti, duke mbajtur kreun e grupit, dhe drejtimin e diasporës. Belinda Balluku rikonfirmohet në Fier, 2 ministave tw rinj u besohen 2 qarqe nw veri, ndërsa bashkë me Spiropalin, largohen edhe 3 drejtues të tjerë politikë.

***

Në një krahasim të votës për Partinë Socialistë nga zgjedhjet e 2021-shit në 2025-ës, Kukësi dhe Tirana janë qarqet e vetme që mes 2 garave të fundit parlamentare kanë humbur vota. Qarku më i madh i vendit rënie me 0.6% dhe qarku i veriut, më problematiku, me 5.1% më pak mbështetje elektorale.

Arsyeja kryesore për rezultatin e Tiranë, për kryesocialistin Edi Rama, dihet, dhe ajo lidhet së pari me arrestimin e kryebashkiakut, Erjon Veliaj, shkurtin e 2025-ës. 

“Ne jemi Partia Socialiste e Shqipërisë dhe ne duhet ta ngremë Tiranën më lart sesa mesi i atij klasifikimi. Me çdo kusht”, tha Rama. Mes këtyre kritikave, e  para lëvizje për të siguruar më shumë vota, nisi nga drejtuesit e qarkut, ndryshime që u zyrtarizuan në Asamblenë e Partisë Socialiste zhvilluar në Gjirin e Lalzit.

Elisa Spiropali u largua nga bashkëdrejtimi politik i Tiranës, duke i hapur rrugën Taulant Ballës në krye të qarkut. Ogerta Manastirliu, kandidatja e socialistëve në zgjedhjet e anuluara kur Kushtetuesja la në detyrë Erjon Veliajn, do të mbetet drejtuese politike për bashkinë. 

Elisa Spiropalit, e cila arriti majat e karrierës politike si kryetare e Parlamentit, më tej si ministre e Jashtme, por e shkarkuar një muaj më parë, i dobësohen pozitat edhe brenda partisë dhe i besohet vetëm drejtimi i njësisë numër 13 në Tiranë, bashkë me Anila Denajn.

Në të gjitha njësitë e Tiranës, janë angazhuar edhe figura të tjera të partisë socialiste, deputetë ministra e aktiviztë me profil të lartë. Synimi, blindimi politik i qakut ku lideri i PS-së nuk do të tolerojë gabime për zgjedhjet lokale të 2027.

Pa asnjë pozicion në qeveri, Belinda Balluku, të cilës socialistët i ruajtën imunitetin nga arrestimi i SPAK, vendim ky që u kritikua nga ndërkombëtarët dhe po qëndron ende si kauzë e opozitës për protesta, nuk lëkundet. Ajo mbetet drejtuese politike e Fierit, një qark me 6 bashki që edhe në analizat e brendshme të partisë, rezulton me rritjen më të madhe të votave, nga zgjedhjet e 2021-shit në 2025, pas Dibrës.

Pozitat më të forta iu besuan Taulant Ballës, kreut të grupit parlamentar socialist. Përveç qarkut të Tiranës, atij i është besuar edhe njësia numër 5 në Tiranë bashkë me Erion Braçen dhe veteranin e PS-së Fatmir Xhafajn. Balla ruan edhe statusin e koordinatorit të PS-së për diasporën, në një kohë kur edhe në Asamblenë socialiste u shpall prioritet afrimi i sa më shumë emigrantëve. 

Dy ndryshime që bien në sy janë përfshirja e dy ministrave të rinj në drejtimin e qarkut Shkodër, që i besohet ministrit të Energjisë, Enea Karakaçi dhe Lezha ministrit të Mbrojtjes Ermal Nufi. Ky i fundit zëvendëson Ulsi Manjën, me një rezultat të fortë në Lezhë në zgjedhjet e 2025-ës, ku për 71 vota nuk e përmbysi dot rezultatin 4-3 për demokratët. Ulsi Manja do të rikthehet në Dibër, ku do të zëvendësojë Blendi Klosin.

Sekretari i Përgjithshëm i PS-së Bendi Klosi ikën nga Dibra dhe do të drejtojë Durrësin, ndërsa Emirjana Sako do të merret vetëm me punët e Bashkisë në pritje të rikonfirmimit ose jo si kandidate e bashkisë buzë Adriatikut.

Kukësin, Hasin dhe Tropojën nuk do t’i udhëheqë më Eduart Shalsi, por tanimë stafetën e merr deputeti i ri Erion Malaj i cili në 11 maj u zgjodh deputet në qarkun e Tiranës.

5 drejtues të tjerë, nuk preken nga ndryshimet Arbian Mazniku në Elbasan, Ervin Demo në Berat, Bledi Çuçi në Vlorë, Mirela Kumbaro në Gjirokastër dhe Niko Peleshi në Korçë.

Në Asamble u miratua edhe një pr.vendim për organizimin e partisë jashtë kufijve, ku PS synon të shtrijë strukturat e saj. Socialistët do të nisin një fushatë të gjerë regjistrimi të anëtarësisë në shtetet, ku jetojnë pjesa më e madhe e shqiptarëve, Itali, SHBA, Gjermani, Kanada, dhe Mbretëri e Bashkuar. Afati për regjistrimin e emigrantëve do të nisë më 30 mars dhe do të zgjasë deri më në 30 shtator, ndërsa regjistrimi është bërë më herët vetëm në Greqi.

“Zgjedhjet e reja vendore nuk kanë pjesëmarrje të diasporës, por ama zgjedhjet vendore janë momenti për t’i kthyer diasporës vëmendjen që meriton”, tha Rama.

Blendi Klosi la objektiv anëtarësimin e 4 anëtarëve të rinj (2 femra dhe 2 meshkuj) për çdo organizatë socialiste, ndërsa kryesocialisti Rama e quajti të pafalshme faktin që në PS vetëm 34% e anëtarësisë përbëhet nga gratë dhe kërkoi që këtë nivel ta çojnë në 50%. Kryetarëve të Bashkive iu vendosi ultimatum se nuk do t'i lejojë të kandidojnë në vendoret e 2027-ës, pa dhjetë kontrata të firmosura në kuadrin e Paketës së Maleve dhe pa tre ndërmarrje të përbashkëta të miratuara.

Ndryshimet në Qarqe
Qarku TiranëTaulant Balla- ikën Elisa Spiropali
Bashkia Tiranë – Ogerta Manastirliu
Qarku Durrës – Blendi Klosi- ikën Emirjana Sako
Qarku Lezhë – Ermal Nufi- zëvendëson Ulsi Manjën
Qarku Shkodër – Enea Karakaçi- ikën Benet Beci
Qarku Dibër Ulsi Manja - zëvendëson Blendi Klosin
Qarku Kukës Erjon Malaj- ikën Eduard Shalsi
Qarku Elbasan – Arbian Mazniku- Konfirmohet
Qarku Berat – Ervin Demo- Konfirmohet
Qarku Fier – Belinda Balluku- Konfirmohet
Qarku Vlorë- Bledi Çuçi- Konfirmohet
Qarku Gjirokastër- Mirela Kumbaro- Konfirmohet
Qarku Korçë- Niko Peleshi- Konfirmohet

 

Shpërndarja e deputetëve për Tiranën
Njësia 1- Lindita Nikolla
Njësia 2- Gent Gazheli, Delina Ibrahimaj dhe Olta Manjani
Njësia 3- Iris Luarasi dhe Edona Bilali
Njësia 4- Damian Gjiknuri dhe Blerina Gjylameti
Njësia 5- Erion Braçe, Taulant Balla dhe Fatmir Xhafaj
Njësia 6- Albana Koçiu, Endrit Yzeiraj, Megi Fino
Njësia 7- Sofan Jaupaj, Enkelejd Musabelliu
Njësia 8- Igli Hasani, Vilma Premti
Njësia 9- Ogerta Manastirliu, Olti Muzaka
Njësia 10- Besfort Lamallari
Njësia 11- Eduard Shalsi
Njësia 13- Elisa Spiropali dhe Anila Denaj
Njësia 12- Xhemal Qefalia
Njësia 14 dhe Kashar- Blendi Gonxhja, Plarent Ndreca dhe Endrit Hoxha

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:12
Një ditë pas ndryshimeve, kryeministri Rama mbledh drejtuesit politikë të qarqeve në selinë e PS

1774116942_edirama.jpgDitën e nesërme, në orën 10:00, kryeministri Edi Rama do të mbledhë drejtuesit politikë të qarqeve në selinë e Partisë Socialiste. Mbledhja vjen pas ndryshimeve të drejtuesve politikë të 6 qarqeve, të prezantuara ditën e sotme në mbledhjen e Asamblesë së PS.

Kryesocialisti Rama largoi sot 4 drejtues qarqesh: Elisa Spiropalin, Benet Becin, Eduard Shalsin dhe Emirjana Sakon. Spiropali u zëvendësua në Tiranë nga Taulant Balla dhe Ogerta Manastirliu. Sako në Durrës u zëvendësua nga Blendi Klosi. Ministri Ermal Nufi zëvendëson Ulsi Manjën në Lezhë. Ermal Karakçi zëvendëson Benet Becin në Shkodër. Ulsi Manja zëvendëson Blendi Klosin në Dibër dhe Erjon Malaj zëvendëson Eduard Shalsin në Kukës.

Po ashtu Rama konfirmoi Bledi Çuçin në Vlorë, Niko Peleshin në Korçë, Mirela Kumbaron në Gjirokastër, Ervin Demon në Berat, Arbjan Maznikun në Elbasan. Ndërkohë Kukësi iu besua Erion Malajt. 

Ora 18:32
Manja u largua si drejtues politik i qarkut Lezhë, reagon Pjerin Ndreu: Faleminderit miku im! Gjatë kësaj kohe jam ndjerë i mbështetur në çdo aspekt

1774114414_xtdyuos.jpg

Në ndryshimet e prezantuara nga kryeministri Edi Rama në Asamblenë e PS, Ulsi Manja u largua si drejtues politik i qarkut të Lezhës, për t’u rikthyer në Dibër, ku do të zëvendësojë Blendi Klosin. Ndërkohë Lezha do i bësohet ministrit të Mbrojtjes, Ermal Nufi.

Pas largimit të Manjës nga drejtimi i qarkut të Lezhës, ka reaguar kryebashkiaku socialist i Bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Ndreu ka falënderuar Manjën, duke i cilësuar vitet që ai ka qenë drejtues politik në këtë qark si vite suksesi dhe demonstrimi pjekurie.

Po ashtu në postim Ndreu shkruan se fitorja në dy bashkitë Lezhë dhe Kurbin, si dhe rikuperimi i mbi 14 mijë votave në vitin 2025 krahasuar me 2021, janë tregues i qartë i një pune serioze dhe i një drejtimi me nivel të lartë politik.

Reagimi i Pjerin Ndreut:

Faleminderit, miku im më i mirë Ulsi Manja.

Katër vite si drejtues politik i qarkut Lezhë janë vite suksesi të dukshëm, demonstrim pjekurie organizative dhe një fuqie të veçantë komunikuese e bashkërenduese. Fitorja në dy bashkitë Lezhë dhe Kurbin, si dhe rikuperimi i mbi 14 mijë votave në vitin 2025 krahasuar me 2021, janë tregues i qartë i një pune serioze dhe i një drejtimi me nivel të lartë politik.

Gjatë kësaj kohe jam ndjerë i mbështetur në çdo aspekt, në vendime, në sfida dhe në objektivat që kemi ndarë bashkë për zhvillimin e qarkut tonë. Për këtë, falënderimi im është i sinqertë dhe i thellë.

Mirënjohje për kontributin e çmuar në zhvillimet politike dhe ekonomike të Lezhës, si dhe urimet më të mira për detyrën e re si drejtues politik i qarkut Dibër.

Suksese në çdo hap dhe faleminderit për miqësinë, besimin dhe bashkëpunimin.

Ora 15:08
Rama i besoi drejtimin e qarkut të Tiranës, Balla: Në zgjedhjet vendore të 2027-ës synojmë t’i fitojmë të pesë bashkitë

1774102268_sxtruoo.jfif

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla ka reaguar pas mbledhjes së Asamblesë Kombëtare të PS, ku u vendos Drejtues Politik i PS për Qarkun e Tiranës dhe vijimin e detyrës si Drejtues Politik i PS për Diasporën.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Balla shkruan se Partia Socialiste në zgjedhjet e 11 Majit mori dy ndër tre vota të shqiptarëve jashtë territorit, në çerek milioni të regjistruar.

Ndërsa si drejtues politik i qarkut Tiranë, Balla deklaron se në zgjedhjet vendore 2027, PS synon t’i fitojë të gjitha bashkitë e qarkut.

Postimi i plotë i Taulant Ballës:

Dy fjalë për dy detyrat që mu besuan sot

Vota për herë të parë e diasporës më 11 Maj ishte historike. Partia Socialiste mori dy ndër tre vota të shqiptarëve jashtë territorit, në çerek milioni të regjistruar. Objektivi për 2029 do jetë trefish më i lartë

Në Tiranë, në zgjedhjet vendore 2027, ne synojmë t’i fitojmë të gjitha bashkitë e qarkut, pa asnjë përjashtim.

Faleminderit

Ora 13:50
Klosi: Në zgjedhjet e 2025 fituam në 80% të qendrave të votimit në vend! Në 2027 synojmë të fitojmë të gjitha bashkitë

Në përfundim të mbledhjes së Asamblesë së Partisë Sociale, Blendi Klosi tha nga Durrësi se sot u zhvilliua "një analizë e plotë të zgjedhjeve të kaluara të përgjithshme dhe filloi punën e PS për të fituar në të gjithë territorin për zgjedhjet e ardhshme lokale. U miratuan disa vendime të rëndësishme pas analizës së detajuar të çdo qarku dhe po ashtu u miratua plani i punës nga sot deri në 30 qershor për zgjedhjet e reja vendore të PS, do të organizohet puna për analizën e çdo organizate socialiste, zgjedhjet e çdo organizate socialiste. Do të bëhen zgjedhjet e strukturave lokale të PS, procesi i cili do mbyllet brenda datës 12 qershor".

Sekretari i Përgjithshëm tha se edhe "Shkodra dhe Lezha që pavarësisht që nuk janë qarqe fituese, janë qarqe me një rritje të votës" për Partinë Socialiste.

Klosi deklaroi hapur dhe i bindur se në zgjedhjet elektorale të 2027, Partia Socialiste "hyn për të fituar të gjitha bashkitë".

Në zgjedhjet parlamentare të 2025, funksionari i lartë i Partisë Socialiste nënvzioi se kjo forcë politike arriti të fitojë në 80% të qendrave të votimit në Shqipëri.

Ora 10:28
Asambleja e PS/ Klosi: Të forcohemi më shumë te vota e Diasporës! Duhen 4 anëtarë të rinj për çdo Organizatë Socialiste, takojmë 5-10 të rinj për çdo qendër votimi

Në nisje të mbledhjes së Asamblesë, Sekretari i Përgjithshëm Blendi Klosi tha Partia Sociliste është forca politike më e preferuar dhe më e besueshme në Diasporë, ndaj tha se synohet afrimi i sa më shumë emigrantëve shqiptarë edhe në vijim. 

Gjithashtu, Klosi vendosi objektivin e zgjerimit të Partisë Socialiste me 4 anëtarë të rinj për çdo Organizatë Socialiste, 2 djem dhe 2 vajza.

"Diaspora nuk është element dytësor, është pjesë organike e rezultatit tonë politik, gati 200 mijë të vlefshme në diasporë dhe 61.1% për PS tregojnë se shqiptarët jashtë vendit e kanë lexuar PS si forcën më të qëndrueshme dhe të besueshme",- tha Klosi.

"Zgjedhja e strukturave të partisë do të zhvillohet nga 21 marsi deri në 30 qershor, nga sot deri në 16 prill do të jetë njohja dhe analiza e çdo organizate.

4 anëtarë të rinj në çdo organizatë të Partisë Socialiste, 2 shokë dhe 2 shoqe. Do të jetë detyrë takimi me 5 të rinj për çdo qendër votimi në zonat rurale, dhe 10 në qendrat urbane",- shtoi Klosi.

Ora 10:17
Asambleja/ Klosi bën ‘analizën’: Tirana e fituar, por jo në maksimumin tonë! Fieri qarku më i fortë! Në Kukës, Shkodër e Lezhë vijon beteja

Sekretari i përgjithshëm i PS, Blendi Klosi në mbledhjen e Asamblesë bëri edhe një analizë të punës në zgjedhjet e 2025, krahasuar me 2021. Klodi tha se Fieri del si qarku më i fortë, ndërsa për Tiranën theksoi se është rezervuari më i madh i votës së PS, një qark ku është edhe beteja më e madhe. Klosi tha se rezultatet e 2025-ës tregojnë se PS nuk është vetëm forcë e parë në shumicën e qarqeve, por edhe forca më e organizuar në terren. Betejë socialsitët e shohin ende në qarqe si Kukësi, Shkodra e Lezha.

“Nga 12% e anëtarësisë, numri i të rinjve u rrit në 25% krahasuar me 2021-shin. Numri i grave pati një rritje nga 26% në 34%. Dëshmi e qartë se vetëm në pak muaj riorganizimin përmirësuam ndjeshëm treguesit. Fieri del qarku më i fortë, por shumica e qarqeve janë mesazh stabiliteti për PS. PS nuk është vetëm forcë e parë, por është forca që organizon terren. Tirana është rezervuari më i madh i votës sonë, kjo e bën Tiranën edhe sfidën më të madhe. Lezha për pak vota nuk ia doli të ishte qark fitues, Kukësi dhe Shkodra mbeten territore ku beteja vazhdon. Ndryshimi ndaj 2021, kemi pasur disa pika të rëndësishme. Dibra fiton me 11.5% më shumë, Fieri 10.1%. Shkodra 9.6% më shumë, Gjirokastra me 8% dhe kështu qarqet vazhdojnë pothuajse të gjitha në tendencë rritje”, tha Klosi.

Ndërkohë, Klosi tha se “humbja e një bashkie si Kavaja na dëmton në rezultatin e të gjithë qarkut të Tiranës”. Klosi u shpreh se Tirana është qark i fituar, por jo në maksimumin e PS.

“Nuk kemi arritur akoma maksimumin tonë, këtu flas për të gjithë qarkun. Ka ardhur koha për rivlerësim të njohjes së listës nga strukturat e PS, AI mund të na japë mundësi që duke bashkuar punën e administratës lokale. Kemi një pjesë të listës që është e panjohur për strukturat tona, e kemi bërë kur kemi qenë në opozitë. Sot që kemi teknologji, duhet të kemi strukturë që ta njohë më mirë listën përkatëse”, theksoi Klosi.

Ora 10:14
Asambleja e PS/ Klosi: Sot jemi më fitues se kurrë falë Edi Ramës! Diferenca mbi 300 mijë vota në 2025 me opozitën tregon se shqiptarët duan qeverisje serioze

Sot në Durrës është mbledhur Asambleja e Partisë Socialiste, takim i cili nisi me fjalën e Sekretarin e Përgjitshëm të kësaj force politike, Blendi Klosi.

Klosi nuk kurseu vlerësimin për lidershipin e Edi Ramës, duke thënë se falë tij Partia Socialiste sot është më fituese dhe më e organizuar se kurrë. Ai shtoi se fitorja e thellë e PS-së në zgjedhjet parlamentare të 2025, me mbi 300 mijë vota diferencë me opozitën, tregon se selia rozë “ka marrë një fitore të plotë, jo fitore të rastësishme, dhe as të ngushtë”.

“Partia Socialiste nën drejtimin e Edi Ramës vjen sot në vitin e saj të 35 më fituese dhe më e organizuar se asnjëherë më parë. Jemi mbledhur sot pas konfirmimit nga vota e shqiptarëve si forca e qeverisë së vendit, dhe kjo e bën mbledhjen e Asamblesë një takim vlerësues për këtë moment të rëndësishëm politik që ne ndodhemi. Fitorja jonë nuk është një fitore e zakonshme, por një provë besimi e jashtëzakonshme, është një mesazh i qartë se shumica e shqiptarëve ka zgjedhur stabilitetin dhe seriozitetin e qeverisjes nga drejtimin e vendit nga Edi Rama dhe Partia Socialiste. Një parti që fiton 4 herë radhazi nuk mund të jetë si një parti që fiton për herë të parë, duhet të ketë më qartë dhe më kërkuese. Partia Socialiste ka marrë një fitore të plotë, jo fitore të rastësishme, dhe as të ngushtë. Rezultati kombëtar i vitit 2025, 855 mijë e 831 vota për Partinë Socialiste, nuk është vetëm një rezultat matematikor, është një kontratë e ribesuar mes Partisë Socialiste dhe shqiptarëve, diferenca 300 mijë vota me kundërshtarët tanë është një diferencë politike për drejtimin e Shqipërisë. Fakti që diaspora i jep PS 61% të votave jashtë vendit, e bën këtë fitore më të jashtëzakonshme”,- tha Klosi ndër të tjera.