Që nga 8 janari, kur godina e PD sulmohej me qyngje për shqyerje dyersh e mbrohej nga pala tjetër me shkopinj e spraj lotues, dita e djeshme ishte hera e parë që përfaqësues të dy grupimeve kacafytëse i dhanë dorën njëri tjetrit. Bardhi nga ajo që quhet PD legale dhe Paloka si përfaqësues i Rithemelimit u ulën në një takim të shume ndjekur nga kamerat.
Kish ditë që parapregatitej ky takim tek i cili u varën shumë shpresa për një fat më të mbarë për PD-në e përcarë, duke e cilësuar se do të ish një takim i lirë , i hapur dhe pa kushte. Lirshëm në fakt ishte vetëm këmisha sportive e Palokës, pasi pas takimit të dy përfaqësuesit nxituan drejt selive përkatës për të referuar se çfarë kishin përcjellë komandat respektive nëpërmjet gojës së lajmësve.
Dhe këto ishin kushte. Për të cilat do të duhet të presim të kuptojmë nëse mund të përtypen apo do të kapërdihen pa ujë. Seç u bë e seç u tha gjatë këtij takimi, pak rëndësi ka. Thelbi qëndron se siç u deklarua, takimi ish një përpjekje për të bashkëpunuar në rrafshin elektoral kur zgjedhjet janë afër, porse kurrsesi për bashkim. Përkundrazi, takimi Paloka- Bardhi konfirmoi se palët mbeten po aq të ndara sa një vit të shkuar dhe se një bashkim i mundshëm duket gati një mission imposible. Gjithshka lidhet me qëndrimin ndaj një figure dhe ai është Berisha dhe shpallja non grata, dhe kjo përbën thelbin e problemit.
Për sa kohë Berisha mbetet aty e nuk hap krahun, të gjitha argumentet e tjera të bashkimit bëhen të pavlevra. Një PD që pëson izolim e reperkucion nga faktori ndërkombëtar për fatin e një drejtuesi të saj, do të ish një barkë që fut ujë vazhdueshëm e se shpëton dot as një bashkim i kotë mekanik mes palësh. Takimi Paloka- Bardhi ish i sforcuar pikërisht për arësye elektorale. Kriza, përcarja dhe inkoherenca për të qenë i kthjellët, për bërë një politikë më të iluminuar e kësisoj të ndihesh më afër elektoratit, parasheh një humbje sërish drastike të opozitës në zgjedhjet vendore.
Dhe çështa është se kush do ta paguajë faturën e humbjes. Basha është fshehur që tia ngecësh sërish dështimin. Në këto kushte si PD legale ashtu dhe Rithemelimi nxituan drejt një takimi formal pikërisht për të shmangur faturën nga vetja. Që as Alibeaj e të tijtë të jenë shkaku i humbjes, pasi Berisha këtë rradhë vështirë se e pranon më se është vetë shkaktari.
Në këtë qerthull, bashkëpunimi është një ekuacion me shumë të panjohura. Ndonëse janë dy pjesë të ndara nën të njëjtën çati ende, bashkëpunimi po ravijëzohet si një marrëveshje midis aleatësh, ku secili ka flamurin e vet, drejtuesin e vet dhe filozofinë e veçantë. Është e njëjta formulë që mund të përdoret më partitë e Shehit, të Dukës a të Dules. Por kjo skemë duket e parealizueshme. Kjo ndërlikohet dhe nga fakti se Berisha këmbëngul te primaret në përzgjedhjen e kandidatëve, kur një kandidat i ofruar se jashtmi i duhet të kapërcejë mosbesimin e anëtarësisë që thërret nën votë Berisha. Pra si do ndahet torta e përfaqësimit me kandidatë për kryetarë bashkie, dhe si do të jenë përqindjet për përfaqësimin e këshilltarëve vendor.
Primaret duken si pengesë për këtë, por në fakt pengesë është vetë Berisha që kërkon ta shfrytëzojë skemën e primareve si dominacë e shtim të influencës në dëm të kundërshtarëve të djathtë e hyrje në territorin e aleatëve. Gjithshka duket e vështirë për ti dhënë zgjidhje, aq më shumë kur dhe mosbesimi dhe mospasja e një vullneti politik për të kapërcyer ndasitë në shërbim të kauzës duket se janë të theksuara. Në këtë ballafaqim midis palëve në PD, ajo çfarë bie në sy është se nga dy anët e llogores tundin armët më të forta që kanë në dispozicion.
Njëra palë ka logon e PD-së, dhe tjetra ka Berishën si ekuilibrues të kandarit. Por në fakt të dyja janë asete të krizës që do të rrugëtojë gjatë nga korridoret e PD-së drejt rrugëve pa diell ku po ecin demokratët.