Rreth 2300 rrënjë kanabisi janë sekuestruar dhe asgjësuar sot në Krujë dhe në Malësi të Madhe në vazhdimësi të operacionit kundër bimëve narkotike.
 
Nga shërbimet e komisariatit të policisë Krujë u kontrolluan fshatrat Barkanesh, Bashkia Krujë dhe fshatrat Mukje, Burra në komunën Nikel për lëndë narkotike.
 
Gjatë kontrollit në rrethin e Krujës u gjetën 16 parcela të mbjella me 1620 bimë narkotike kanabis me një lartësi 60 deri në 250 cm të cilat u asgjësuan me djegie.

Ndërkohë efektivët e policisë së komisariatit të Malësisë së Madhe sekuestruan dhe asgjësuan të martën, përmes djegies, 674 rrënjë bimë narkotike të llojit kanabis Sativa.
 
Burime zyrtare pranë policisë së qarkut Shkodër bënë të ditur se bimët narkotike u asgjësuan pas informacioneve të marra në rrugë operative, në vendin e quajtur fshati Xhaj, komuna Shkrel, të Komisariatit Malësi e Madhe.
 
Materialet rreth kësaj ngjarje i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër për hetime të mëtejshme, ndërkohë që po punohet për identifikimin e personave që mund t'i kenë mbjellë pasi zona në fjalë është pa pronarë.
 
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)