Rusia dhe Ukraina kanë vijuar edhe gjatë natës së kaluar të shkëmbejnë sulme të ndërsjellta.
Mediat e huaja bëjnë të ditur se sistemet ruse të mbrojtjes kanë raportuar se kanë rrëzuar 502 dronë ukrainas gjatë natës, mbi disa rajone të Rusisë dhe Detit të Zi.
Ministria ruse e Mbrojtjes raportoi se avionët pa pilot u kapën në qiellin e rajoneve Belgorod, Bryansk, Kaluga, Kursk, Lipetsk dhe Orel, si dhe Krai Krasnodar. Ministria raportoi gjithashtu rrëzime të dronëve mbi Krimenë e pushtuar dhe Detin e Zi.
Moska nuk dha menjëherë një ndarje të detajuar të numrit të dronëve të kapur në secilën zonë ose informacione të mëtejshme mbi ndonjë dëm të shkaktuar nga sulmet.
Ndërkohë Guvernatori i Novorossiysk, Veniamin Kondratyev, deklaroi se një fëmijë u vra nga sulmet masive më dronë, të kryera nga Forcat e Armatosura të Ukrainës, në Novorossiysk, në rajonin Krasnodar të Rusisë.
"Një djalë 8-vjeçar vdiq në Novorossiysk. U shpreh ngushëllimet e mia më të thella prindërve të tij. Tetë persona, përfshirë një fëmijë, u plagosën", shkroi politikani në rrjetet sociale, siç raportohet nga RIA Novosti.
Një viktimë tjetër, një burrë, u raportua në fshatin Volna në Rusi, për shkak të rënies së mbeturinave të dronit. Mbetjet e dronit plagosën gjithashtu dy persona në Gelendzhik dhe dy në Anapa, gjithashtu në bregdetin e Detit të Zi.
Nga ana tjetër, një sulm rus në Zaporizhzhia të Ukrainës raportohet se la 7 të vdekur dhe 20 të plagosur.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky pretendoi se Rusia përdori në sulm raketa balistike të Koresë së Veriut.
Sulmi rus në Zaporizhia lë shtatë të vdekur. Zelensky: "Rusia përdori raketa balistike të Koresë së Veriut."
"Qyteti u godit me raketa balistike të Koresë së Veriut, Zircon dhe bomba ajrore të drejtuara. Ishte një sulm i egër, i llogaritur për të shkaktuar dëme maksimale konkretisht në infrastrukturën civile", shkroi mes të tjerash Zelensky në ‘X’. Sipas burimeve të inteligjencës ukrainase, Rusia po merr armë dhe komponentë për industrinë e saj ushtarake nga Koreja e Veriut dhe po përgatitet të mirëpresë deri në 50,000 trupa të Koresë së Veriut për t'u vendosur në vijat e frontit.
Ndërkohë në bordin e kryqëzorit të Flotës së Paqësorit Varyag, ku mbërriti për të vëzhguar manovrat detare, Presidenti rus Vladimir Putin tha se NATO po infiltrohet në Azi-Paqësor dhe sipas tij, planet e Aleancës për të vendosur armë të reja në rajon "paraqesin kërcënime për Rusinë".
"Ne shohim se, për fat të keq, mundësia e konfliktit po rritet këtu", paralajmëroi më tej shefi i Kremlinit, i cituar nga Tass.











Komente
Komento