TIRANË - Del nga arkiva "21 Janari". Pas dy vitesh harresë në bodrumet e Gjykatës së Lartë, dosja “21 Janari” kalon në dhomë Këshillimi pranë Kolegjeve të Bashkuara ku pritet të vendoset nëse do të kalojë në proces gjykimi apo do të pushohet.

Ky fakt konfirmohet për Shqiptarja.com nga arkiva e Gjykatës së Lartë, ku pak ditë më parë relatori i këtij procesi gjykatësi Edmond Islamaj ka kërkuar që dosja të kalojë në Dhomë Këshillimi.

Më 28 tetor të këtij viti u bënë plot dy vite nga rekursi i Prokurorisë që kërkoi dënimin e tre gardistëve Ndrea Prendi, Agim Llupo e Margarit Kume të cilët u akuzuan për vrasjen e 4 protestuesve të pafajshëm në protestën e opozitës më 21 janar të vitit 2011. 

Kjo dosje është konsideruar shpesh herë si “patate e nxehtë” për drejtësinë shqiptare ndërsa nuk ka munguar dhe premtimi i ish-liderit të opozitës sot kryeministër Edi Rama për vënien para përgjegjësisë së autorëve që vranë Zyber Veizin, Faik Myrtajn, Aleks Nikën dhe Hekuran Dedën.

Për vrasjen e 4 protestuesve dhe plagosjen e disa të tjerëve aktualisht nuk ka asnjë të dënuar pasi dhe tre gardistët e pandehur pas vendimit të Apelit dhe dënimeve minimale janë kthyer në liri.

Prokuroria në përfundim të hetimeve ka gjetur fajtorë ish-kreun e Gardës së Republikës Ndrea Prendin, shoferin e tij Margarit Kume dhe gardistin Agim Llupo, për të cilët ka depozituar rekursin me objekt: 

“Kryerje e veprës penale te vrasjes me dashje e kryer në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave, me pasoje vdekjen e shtetasit Faik Myrtaj dhe plagosjen e disa shtetasve të tjerë. -Kryerje e veprës penale të vrasjes me dashje e kryer në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave, me pasoje vdekjen e shtetasve Hekuran Deda dhe Ziver Veizi dhe plagosjen e disa shtetasve Fatos Mahmutaj, Erald Bisha e Sokrat Gode, si dhe Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.

Por kush është relatori i “21 janarit”
Edmond Islamaj sot 46 vjeç ka një karrierë si gjykatës prej 23 vitesh ku ka shërbyer në gjykatën e Durrësit, Sarandës, Kavajës, Krujës dhe Apelin e Tiranës. Islamaj për 6 vite ka shërbyer dhe si anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë ndërsa prej qershorit 2011 ai është anëtar i Gjykatës së Lartë.

edmond islamaj

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)