Sali Berisha sulmoi të hënën amabasadorin e Bashkimit Europian në Shqipëri, Silvio Gonzato, duke u shprehur se në Bruksel, Gonzato sillet si ambasador i Edi Ramës.
Por, çfarë ka thënë Berisha ndër vite për diplomatët e huaj në Shqipëri?
Video më poshtë, e përgatitur nga emisioni "Fiks Fare" rikthen disa prej deklaratave të tij në kohë të ndryshme, duke treguar një raport që ka ndryshuar vazhdimisht sipas rrethanave politike.
Në disa prej tyre, Berisha shfaqet si një mbështetës i fortë i ambasadorëve dhe rolit të tyre në vend, duke i konsideruar partnerë të rëndësishëm në proceset demokratike dhe reformat.
“Në fjalën time nuk kam fyer dhe nuk fyej asnjë ambasador as përfaqësues të huaj”.
“Nuk ka njeri që respekton ambasadorët më shumë se unë”, thotë Berisha.
Në të tjera, toni ndryshon ndjeshëm. Ambasadorët kthehen në objekt kritikash, akuzash dhe përplasjesh të drejtpërdrejta, shpesh të lidhura me zhvillimet politike të momentit.
“Kur një ambasador në kulmin e kanabizimit lavdëronte policinë për punën e jashtëzakonshme të Tahirit në luftën kundër drogës, sigurisht mbështeste themelimin dhe krijimin e narkoshtetit dhe unë s’mund të mos e denoncoja atë.”
“Dhe unë u bëj thirrje presidentit të SHBA-ve dhe qeverisë amerikane, të ndalojnë ambasadorin e tyre për të trajtuar Shqipërinë në këtë mënyrë.”
“Me ambasadorët nuk pranoj asbsolutisht qëndrimin e tyre ndaj bunkerit. Shpreh shumë keqardhje për qëndrimin të tij ndaj zgjedhjeve.”
“Është e trishtuar, e dhimbshme, të shohësh ambasadoren e SHBA-të të sillet si guvernatorë, njëlloj si dikur ambasadori sovjetik në Tiranë.”
“Dy ambasadorët më të korruptuar në historinë e diplomacisë europiane dhe botërore, Donald Lu dhe Romana Vlahutin”, ishin disa nga deklaratat e dikurshme të Berishës.
“Ambasadori i BE në Tiranë, në Bruksel sillet në mënyrë absolute, sikur të jetë ambasadori i Edi Ramës në Bruksel”, tha Berisha të hënën për Gonzaton./TemA
Komente












