Që në ditët e para të vendosjes në famullinë e re, Gjeçovi përgjatë takimeve me besimtarët merr informacionin e parë mbi zonën ku do të shërbente. Duke mos mjaftuar të dhënat e drejtpërdrejta gojore, ai ndërmerr udhëtime të njëpasnjëshme në rrugë e drejtime të ndryshme nëpër fshat, rezultat i të cilave është një përshkrim gjeografik i Laçit, i ndërthurur me njohuri dhe përshkrim të qartë e të thukët të shtrirjes fizike, gjendejes ekonomike e sociale të zonës. Periudha e gjatë e pushtimit osman që reflektohej në gjendjen e vështirë ekonomike si rezultat i taksave të rënda rëndohej edhe më tej nga mungesa e shkollimit në gjuhën shqipe. Gjatë viteve të para (1901-1902), Gjeçovi do të dërgonte në revistën „Albania“ të Faik Konicës që botohej në Bruksel një pjesë të poezive të tij (gjithsej 11 poezi), si dhe fjalë të rralla, gojëdhëna e legjenda për Skënderbeun. Në vitin 1901 Gjeçovi në mjediset famullitare rihapi shkollën shqipe në Laç. Ai menjëherë mori kontakte me shoqërinë „Bashkimi“ në të cilën bënte pjesë sivëllai françeskan dhe miku i tij bashkëmoshatar i studimeve në Bosnje At Gjergj Fishta, të cilët i rekomanduan që të kontaktonte me konsullatën austro-hungareze në Durrës për të siguruar libra dhe mjetet mësimore të nevojshme, gjë që Gjeçovi e bëri përmes një letre e cila solli si rezultat sigurimin e disa abetareve nga Brukseli. Në anën tjetër Gjeçovi gjatë ecejakeve nëpër famulli ndër familjet e atyshme por edhe në fshatrat e Kurbinit, Skuraj, Selitë, Malbardhë, Gallatë, Vinjollë, Milot, Shullaz, Gurëz, Gjonëm, Zhejë, iu vu punës për të mbledhur, krijimtarinë gojore folklorike, këngët, gojëdhënat, legjendat, përrallat, gjëegjëzat, leksikun dhe frazeologjinë, fjalët dhe shprehjet e urta popullore, normat kanunore etj. Aty mblodhi emra njerëzish, emra drurësh e bimësh, emrat mitologjikë etj.
Po ashtu këtu hyri në lidhje me mjaft burra të zonës së Kthellës në Mirditë. Në njëfarë mënyre dhoma e tij në famullinë e Laçit u bë jo vetëm studioja e tij e parë e punës, por u bë njëkohësisht arkivi nismëtar i punës së tij shkencore në disiplinat e ndryshme si gjuhësi, folklor, etnografi, arkeologji, histori, letërsi, arsim etj. Gjeçovi u transferua nga Laçi në vitin 1905, duke marrë me vetë të gjithë materialin arkivor, dokumentar (dorëshkrime të poezive, dramave, mbledhjeve folklorike e dokësore në terren, studimet historike, studimeve, përkthimeve) si dhe materialet (gjetjet arkeologjike). Sipas të gjitha gjasave transferohet në Troshan për të kaluar më pas në Zara tek arbëreshët e Dalmacisë, ku mban për disa kohë edhe prozicionin e mësuesit të gjuhës shqipe. Pas largimit, për shkak të autoritetit, miqësisë dhe punës që kishte lënë mbas Gjeçovi, Arqipeshkvi i Durrësit Primo Bianki, i kërkoj Provincës Franceskane rikthimin e Gjeçovit në Laç, gjë e cila nuk u realizua. Gjatë kohës së qëndrimit në Laç Gjeçovi shkroi pjesën më të madhe të krijimtarisë së tij letrare, ku përveç poezive ai shkroi edhe novelën Mnera e Prezës, tregimin Rafgime, si dhe dramat Shqyptari ngadhënjyes, Dashtnija e Atdheut, Princi i dy Dibrave, Kushtrimi i Marka Kulit, Trathti gjakosore.
Artikulli studimor i At Shtjefën Gjeçovit O.F.M. me titullin: “Sebaste n’Armeni apo n’Arbeni”, u botua në vitet 1921 dhe 1922 në dhjetë numra të revistës françeskane Zani i Shna Ndout, revistë e cila dilte në Shkodër. Është një ndër artikujt e parë dhe njëherazi mjaft seriozë që i është kushtur Laçit dhe historisë së tij. Dihet se Gjeçovi qëndroi në Laç aty nga fundi i vitit 1899 e me disa pauza deri në vitin 1905, për t’u rikthyer aty edhe në fillim të gushtit të vitit 1906. Përveç meritave të padiskutueshme si nismëtari i hapjes së shkollës shqipe në Laç në vitin 1900, organizimit të bibliotekës shkollore, muzeut të fshatit, organizmit të shëtitjeve mësimore dhe veçanërisht ekspeditave vetjake arkeologjike bazuar në kërkime dhe gërmine në të gjithë Laçit me rrethina, Gjeçovin e bëjnë të veçantë për Kurbinin pesë elementë të rëndësishëm të shkrimit të tij: 1. krijimtaria gojore botuar kryesisht në revistën Albania të Faik Konicës, dhe një pjesë e mbetur dorëshkrim ose edhe e humbur, 2. Shkrimi dhe përkthimi i disa teksteve/veprave dramatike. 3. Protokollimi dhe nënshkrimi i Akteve të Kuvendit të Kurbinit mbajtur me 5, 6, 7 gusht 1906, 4. Përshkrimi kronologjik i ngjarjeve të kryengritjes së Kurbinit 1903-1906 në dorëshkrimin “Parradija e popullit ase Kryengritja e Dheut të rrethit të Krues me 54 pleq në krye, kundra urdhënve e dokeve të reja t’Osmanllive. 1903, 1904, 1905, 1906”. Laç, Sebaste., si dhe 5. Hartimi i studimit “Sebaste n’Armeni apo n’Arbeni”. Në studimin e sipërpërmendur, Gjeçovi Kurbinin e përcakton qartë si njësi krahinore të përbërë prej 16 katundesh si semt i “gjytetit të Kastriotit”. Artikulli nis me përshkrimin e Laçit, i cili ka qenë pikëkalim udhëtimi me rëndësi që në kohën romake. Aty përshkruhen dy kështjellat; kështjella e vogël e njohur si “Kulla e Kolë Pashë Gjeçit” dhe kështjellën e Sebastes e njohur si “Kështjella e Shna Ndout”. Sipas tij “…permbas të gjitha gjasësh mund të thohet se aty kâ pasë kenë gjyteti i hershem «Basanèja», sikurse e dishmon Kieper, e në mênde të ktì pshteten shum dijetarë, më sà mendimin e Millerit e hjedhin tej i cili e vên në rênd të Laçit të soçëm gjytetin “Pistum”. Më tej na njeh me Kuvendin Françeskan dhe shugurimin e kishës nga Kryeipeshkvi i Tivarit Imzot Gjon Bruni më 2 dhjetor 1557, si dhe riparimin e saj prej Imzot Gjon Kolesit, duke mos lënë pa transkriptuar edhe mbishkrimet përkatëse. Po ashtu na përshkruan me imtësi Shpellën e Shën Vlashit dhe devocionin e besimtarëve për të.
Më tej përshkruan Përroin e Shna Ndout ngjitur Kishës si dhe përvijon etimologjinë e malit Argej (Argje) nisur nga koha e Dioklecianit e Lincit, kohë kur këtu ishin ushtarët e Agrikolaut të cilët martirizuan Shën Vlashin. Këtë argumentim Gjeçovi e nis bazuar edhe në shpjegimet që i kishte dhënë një njohës i mirë i fshatit Laç të dikurshëm, Imzot Pashk Troshki nga Laçi, asokohe Argjipeshkëv i Shkupit. Gjeçovi hedh hipotezën e prejardhjes së emrit Argeo nga toponimi i fshatit Zhejë me të cilin e lidh Laçin mali vijues matanë përrojit të Shnandout. Pikërisht në Zhejë përvijohet po ashtu argumenti lidhur me të kremten e dyzetë martirëve të Sebastes, në përkujtim të të cilëve kisha në Zhejë Poshtë në Ujë të Bardhë në Ndërmollza mbart emrin e tyre. Toponima dhe mikrotoponima e krishterë e lidhur me Shën Vlashin dhe dyzetë martirët e Sebastes bëhet kështu shtrati i argumentit për të arsytuar se Shën Vlashi i njohur në Martirologun e Shenjtë, u martirizua në Sebaste në Arbëni e jo në Armeni sikurse njihet përgjithësisht në literaturën kishtare. “Bindja e padame e popullit të ktyne krahinave ndaj Shên Vlashin e ndaj 40 Shêjten Deshmorë, na nep me besue, se mûndimi i tyne ka ndollë n’Arbënì e jo n’Armenì.”
Gjeçovi për këtë sjell shembuj të shumtë na favor të hipotezës së tij si kishën e Shën Vlashit në zonën e Bizës në Durrës, në fshatin Darraç, kishën e Shën Vlashit në Skuraj, një tjetër në Thkellë të Mirditës si dhe atë ndërmjet Durrësit e Bishtit të Jubës, në murin e së cilës, ruheshin ende edhe copat e shtyllës në të cilën qe lidhur Shën Vlashi. Pra emri Vlash në këtë zonë është i përdorur më shumë se në asnjë zonë tjetër. Duke qenë se përgjithësisht populli shqiptar i ruan dhe i trashëgon me fanatizëm tregimet, rrëfimet dokësore pothuajse në gjendje parake, Gjeçovi sugjeron se duhet ta marrim seriozisht trajtimin e tyre në favor të arsyetimeve argumentuese historike. Kjo është edhe arsyeja pse pikërisht në këto pika skajore ku edhe gjenden këto objekte të kultit të krishterë, natyrisht dukshëm pa ndonjë komoditet jetese, çuditërisht janë zgjedhur për të ngritur kishat dhe manastire të krishtera. Po ashtu emri Argeo prej latinishtes do të thotë i bardhë, çka i jep mundësi Gjeçovit të arsyetojë se Mali i Bardhë që është mali ngjitur në krahun tjetër të Kuvendit Françeskan, matanë fshatrave Delbnishtit dhe Selitë, mbart me gjasë këtë emër domethënës.
Ajo që bie në sy në këtë artikull është shkoklimi i kujdesshëm i qasjes argumentuese mbështetur në një literaturë mjaft të pasur historike në katër gjuhët kryesore që njihte shumë mirë Gjeçovi, latinisht, italisht, gjermanisht dhe serbo-kroatisht. Autorët e shqyrtuar dhe që janë përmendur nga Gjeçovi janë shumë, midis të cilëve po përmendim disa si: Theodor Ippen, Franc Nopca, Kieper, Millerit, Mark Skura, Abati G.S. Darras, A. Pansa “L’illirico” trattato istorico-geografico, Dom Gjon Bosco, Dizionario d’istoria Eçlesiastica. At Urban Talija, provincial i Provincës së Dalmacisë, Shtjefën Rosa, At Sebastjan Dolci, Atë Niçolai (1752), Shtjefën Skurla, Ptolemeu, Straboni, Plini, Jireçek, Gonzaga, Ljubic, Kapelini, Voragine, Paolo Lipomano, Bolandistët, Ruinari, Metafrasti, Favin, Luis Moreri, Asseman, Peal-Encyklopedie ater Christlichen Alienthumer, Freiburg 1882. Gjeçovi ka shfrytëzuar këto autorë. Storia generale della Chiesa dal principio dell'era cristiana ai nostri giorni / descritta dall'abate G. S. Darras. Torino - P. Marietti 1877 . XXIV, 599 p. 624 p. 660 p. 599 p.
Në kepin e Rodonit (Muzhël) ka qenë kisha kushtuar Shën Vlashit, në të cilën gjendej edhe varri i Shën Vlashit me një mbishkrim: HIC JACET CORPUS BEATI BLASII EPISCOPI ET MARTYRIS (Këtu pushon korpi i të Lumit Vlash, Ipeshkëv e Dëshmor). Përpos se gojëdhënat pajtohen me rrethanat e jetës, mundimit dhe martirizimit të Shën Vlashit, Gjeçovi e argumenton qenien e Shën Vlashit në Arbëni edhe falë veshjes së tij me petkat pontifikale të kishën latine, çfarë nuk përputhet me veshjen e ritit të kishës lindore. Po ashtu edhe fakti se në Sebaste të Armenisë nuk gjendet një liqen aq i thellë ku të mbyteshin 76 ushtarët që ndiqnin Shën Vlashin. I gjithë ky pështjellim, sipas Gjeçovit ka ardhur sepse sipas tij kemi të bëjmë me dy Shën Vlashë, njëri martir e tjetri Ipeshkëv e dëshmor i Sebastes. Shën Vlashi (Blasius) dëshmor që munduar në Sebaste të Kapadocjes nën Slavimin e Licinit rreth vitit 322, ndërsa Shën Vlashi (Blasius) Ipeshkëv martir i Sebastes qe martirizuar për Fe në kohën e Dioklecianit u martiririzua në Arbnì.
Ja çfarë shkruante At Shtjefën Gjeçovi në vitin 1914!
"Ishe n’Laç - Sebaste të Kurbinit si i parë famulliet, si gjejshe t’knaqun n’kerkim të vjetërsiënave - permi t’cillat tash flas, -mu beh në qelë. Dr. Paal Traeger prej Zehlendorf-it t’Berlinit. I vlerti anthropolog e arkeolog, i cili atbotë pat fillue dishka me belbue taljanisht, e unë si burr i madh (!) xuna me ju levdue per do sende t’vjetra t’cillat i pata gjet mun n’atë kohë m’nji vorr në vend t’qujtun “Koder Bogëz” në katund të Laçit - Sebaste. Dr. Traegeri mu lut me ja diftue visarin tem, edhe unë me njerzie ja qita perpara. E pvetshe herë per nji send herë për nji tjetër, e ky rrap -çap me me atë gjuhë taljane, u mundote me mi kallxue do punë permbi ato vjetersiëna. Nder kto sende kishe edhe nji unazë-arit t’cillën e pata gjetë n’vorr të vendit të permendun, e pveta Dr. Traeger-in, qi t’më diftote kohen e vjetersiënës s’sajë, e ky mu pergjegj: “Kohen e vlerën s’mund ta kallxoj, se na arkeologët jena të betuem me mos kallxue as kohen as çmimin e vjetersiëvet, por po deshte me e shitë, unë po të nap mje m’7 (shtatë) napolana per atë unazë”!! Të falem nderes i thaçë Dr. Traeger-it, me më dhanë 400 napolana se shes, por veç deshta me ditë kohen e çmimin e vjetersiës...”. (AQSh. dosja 86, fl. 1-4). Ky ishte At Gjeçovi, arkeologu i parë shqiptar.
Redaksia OnlineB.B/Shqiptarja.com