Ajo që thuhej nga shumë, ajo që tremb kur një filiz i kërkimit të të drejtave, i pretendimit të tyre, nis të lindë edhe në një shoqëri si e jona, ndodhi. Kur njerëzit me të drejtë mbushën rrugët për të pretenduar një kontroll të lajthitjes së çmimeve në Shqipëri, ndërsa qeveria hartoi një paketë emergjence për t’u ardhë në ndihmë atyre shqiptarëve të prekur më drejtpërdrejtë e më fort, disa të tjerë tallen. Ata që tallen janë të njëjtët që tallen përherë kur një gjë në Shqipëri nuk shkon. E kur dikush përpiqet t’i përgjigjet me seriozitet talljes së tyre, ata vazhdojnë të tallen, duke kuptuar se edhe këtë herë, në çështjen e dhimbshme të rritjes së çmimeve, ata nuk janë aty për të zgjidhur halle. Ata janë aty për të vazhduar atë që kanë disa vite që e duan me zor: rotacion të pushtetit jo përmes votës, por përmes një “deus ex machina” që lind shesheve. E meqë deri tani i provuan të gjitha, po provojnë edhe këtë të çmimeve.
Besoj dallohen kollaj këta profesionistë të përfitimit të “ndodhive” e fatkeqësive. Frekuentues të palodhur tavolinash televizive, bombardues superaktivë të rrjeteve sociale ku edhe vetë harrojnë se në drekë dalin për të qarë për çmimet e në darkë apo të nesërmen tregojnë tavolinat dhe pjatat në restorante ku dhe të kesh rrogë të lartë duhet të mendodhesh 100 herë të shkosh. Këta njerëz që e kalojnë ditën e tyre nga një bar në tjetrin pa e llogaritur as sa e paguajnë kafen te Rogneri, as sa e kthejnë një gotë te Sheratoni, duan t’u thonë shqiptarëve nëpër ekrane se 30 mijë lekë shtesë për pensionistët dhe njerëzit në nevojë është një tallje. Duke tradhëtuar në këtë mënyrë veten se një 30 mijë lekësh vërtetë ata e harxhojnë vetëm nëpër kafenetë e paradites.
Në të vërtetë korrupsioni, trafiqet në Shqipëri e kanë deformuar thellësisht vlerën reale të gjërave. Trafikantët e të korruptuarit që pastrojnë paratë e tyre me blerje trojesh, pasuri të patundshme, ua kanë çmendur vlerën gjërave sikur Tirana, Shqipëria të ishte njësoj me Italinë, Francën apo Anglinë për çmime. Trafikantë e të korruptuar që nuk e kanë problem të shpenzojnë qindra euro për dreka e darka, në bare, restorante a lokale të luksit, kanë bërë që çmimet në shumë prej tyre të jenë njësoj si në metropolet më të “kripura” të botës, edhe pse punonjësit kanë rroga Shqipërie.
Prandaj, kur këta të korruptuar, trafikantë, apo përfitues të parave të këtyre të fundit, flasin në opinionin publik se 30 mijë lekë janë një tallje, tregojnë se për ta, 30 mijë lekë, ka kohë që nuk janë asgjë në krahasim me shpenzimet e tyre jashtë çdo logjike.