Inflacioni i matur me Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit (IHÇK) sipas metodologjisë së Eurostat arriti në 2,3% në janar 2026, sipas publikimit të Institutit të Statistikave. Krahasuar me muajin dhjetor, çmimet e konsumit u rritën me 0,6%, duke sinjalizuar një presion të moderuar mbi kostot e jetesës në fillim të vitit.
Sipas të dhënave zyrtare, rritja më e madhe vjetore e çmimeve u regjistrua në grupin “Argëtim, sport dhe kulturë”, me 9,8%, duke qenë kontribuuesi kryesor në inflacionin e muajit. Në nivele më të larta se mesatarja qëndrojnë edhe “Kujdesi personal, mbrojtja sociale dhe mallra e shërbime të ndryshme” me 3,7%, si dhe “Pije alkoolike dhe duhan” dhe “Sigurime dhe shërbime financiare”, me nga 3,1% secili.
Rritje prej 2,3% shënuan “Ushqime dhe pije joalkoolike”, ndërsa shërbimi arsimor u rrit me 2,2%. Çmime më të larta u evidentuan gjithashtu në mobilje dhe mirëmbajtje shtëpie, si dhe në restorante dhe akomodim me nga 2,0%, në shëndet me 1,1%, në veshje dhe këpucë me 0,9%, në qira dhe energji me 0,7% dhe në informacion e komunikim me 0,6%. Ndërkohë, i vetmi grup që shënoi ulje ishte transporti, me -0,7% në terma vjetorë.
Në planin mujor, rritja prej 0,6% u ndikua kryesisht nga shtrenjtimi i sigurimeve dhe shërbimeve financiare me 2,8%, i ndjekur nga argëtimi dhe kultura me 1,6% dhe ushqimet me 1,3%. Shtim çmimesh u regjistrua edhe te kujdesi personal me 0,9% dhe te pijet alkoolike e duhani me 0,6%. Në të kundërt, qiratë dhe energjia shënuan ulje mujore me 0,7%, ndërsa veshjet e këpucët dhe restorantet e akomodimi pësuan rënie më të lehta.
INSTAT bën me dije se duke filluar nga shkurti 2026, indeksi do të përllogaritet sipas klasifikimit të ri ECOICOP 2018, në përputhje me rregulloren e Bashkimit Europian, çka përfshin përditësimin e peshave, rishikimin e shportës së konsumit me 410 produkte dhe ndryshimin e vitit bazë në 2025=100.
Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit (IHÇK) mat ndryshimin e nivelit të çmimeve me pakicë të mallrave dhe shërbimeve nga pikëpamja e strukturës së shpenzimeve të cilat konsumatori (vendas dhe i huaj) synojnë për konsumin final në territorin e Shqipërisë.
IHÇK përdoret për monitorimin e lëvizjes së çmimeve me pakicë në vendet Evropiane, duke krahasuar përqindjen e inflacionit ndërmjet vendeve të Evropës dhe si inflacion zyrtar i Bankës Qendrore Evropiane duke siguruar stabilitetin e çmimeve në Bashkimin Ekonomik dhe Monetar./Monitor
Komente








