Grupi Parlamentar i PD-së i ka kërkuar Sekretariatit të Etikës përjashtimin me 10 ditë nga punimet e Kuvendit të deputetit Taulant Balla. Demokratët thonë se në seancën e djeshme, kreu i grupit të PS-së i ka ofenduar me termat si “po lehin”, “rraca e tyre”, “ta tregoj unë ty”, “gënjeshtar”.

Sipas PD, kjo sjellje e Ballës është e përsëritur dhe nuk është ndëshkuar.

“Kërkojmë marrjen e masës disiplinore “Përjashtim nga pjesëmarrja në Komisione dhe/ose në seancë plenare për 10 ditë” ndaj deputetit Taulant Balla”, thuhet në kërkesën e PD-së.

Balla përgjigjet me një ironi. Ai shkruan se PD-ja paska kërkuar që të verifikohet nëse shprehja “ne nuk lehim” është metaforë apo sarkazmë, duke e cilësuar si “revolucion etik” e tyre. 

“Grupi Parlamentar i PD paska kërkuar të verifikohet nëse shprehja “ne nuk lehim” është metaforë apo sarkazmë. Ky qenka revolucion etik, kur kërkesa vjen prej tyre. Lajm i mirë! Megjithatë për sqarim përgjigjia është tek shprehja popullore: “qentë le të lehin, karvani shkon përpara”, ka shkruar Balla.


Lajmi kryesor:

Sulmet ndaj ambasadorit Gonzato, PS kërkon përjashtimin e Berishës nga punimet e Kuvendit deri në 60 ditë