PS kërkon ndëshkimin e Sali Berishës për sulmet e një dite më parë ndaj  ambasadorit të BE-së, Silvio Gonzato, lidhur me projektligjin për barazinë gjinore. Në kërkesën drejtuar Sekretariatit të Etikës, socialistët i referohen nenit 65/1, të Rregullores “Përjashtim nga pjesëmarrja në komisione dhe/ose në seancë plenare deri në 10 ditë, 30 ditë ose 60 ditë.”

PS argumenton se deklaratat e Berishës ishin fyese, denigruese dhe diskriminuese ndaj diplomatit evropian, duke cenuar jo vetëm dinjitetin personal të tij por edhe imazhin e institucionit të Kuvendit. Ky veprim, thotë PS, përbën shkelje të rëndë të etikës dhe cenim të drejtpërdrejtë të parimeve të sjelljes së deputetit të përcaktuara në Kodin e Sjelljes dhe në Rregulloren e Kuvendit.

“Kërkojmë marrjen e masës disiplinore ndaj deputetit Sali Berisha, sipas parashikimeve të nenit 65/1, Përjashtim nga pjesëmarrja ne komisione dhe/ose në seancë plenare deri në 10 ditë, 30 ditë ose 60 ditë.”, thuhet në kërkesë.

Berisha tha brenda dhe jashtë Kuvendit se Gonzato nuk mund t’i impononte shoqërisë shqiptare bindjet e veta personale. Deklarata e tij solli edhe reagimin e Komisioneres së BE për Zgjerim, Marta Kos, e cila tha se linjëzimi i legjislativit të Shqipërisë me këto parime të BE, është pjesë e procesit të pranimit në Union. U pasua më pas edhe me reagimin e kryeministrit Edi Rama, i cili kërkoi ndjesë për sjelljen e kundërshtarit të tij dhe përdorimin e emrit të ambasadorit për një qëllim të ulët.

Edhe pas këtyre reagimeve, Berisha nuk u tërhoq dhe deklaroi sërish brenda Kuvendit se nuk ka bërë asnjë fyerje. Projektligji i shumëdiskutuar u miratua mbrëmë me 77 vota pro të maxhorancës. 36 deputetë të opozitës votuan kundër.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:21
‘Ata të dy po lehin…’ PD akuzon Ballën për fyerje dhe kërkon përjashtimin me 10 ditë nga Kuvendi! Kreu i Grupit të PS ironizon: Karvani ecën përpara

Grupi Parlamentar i PD-së i ka kërkuar Sekretariatit të Etikës përjashtimin me 10 ditë nga punimet e Kuvendit të deputetit Taulant Balla. Demokratët thonë se në seancën e djeshme, kreu i grupit të PS-së i ka ofenduar me termat si “po lehin”, “rraca e tyre”, “ta tregoj unë ty”, “gënjeshtar”.

Sipas PD, kjo sjellje e Ballës është e përsëritur dhe nuk është ndëshkuar.

“Kërkojmë marrjen e masës disiplinore “Përjashtim nga pjesëmarrja në Komisione dhe/ose në seancë plenare për 10 ditë” ndaj deputetit Taulant Balla”, thuhet në kërkesën e PD-së.

Balla përgjigjet me një ironi. Ai shkruan se PD-ja paska kërkuar që të verifikohet nëse shprehja “ne nuk lehim” është metaforë apo sarkazmë, duke e cilësuar si “revolucion etik” e tyre. 

“Grupi Parlamentar i PD paska kërkuar të verifikohet nëse shprehja “ne nuk lehim” është metaforë apo sarkazmë. Ky qenka revolucion etik, kur kërkesa vjen prej tyre. Lajm i mirë! Megjithatë për sqarim përgjigjia është tek shprehja popullore: “qentë le të lehin, karvani shkon përpara”, ka shkruar Balla.