Një atentat me armë zjarri me një të vdekur dhe një të plagosur ka ndodhur në fshatin Poro të njësisë administrative Novosele rreth orës 01:10. Si pasojë e të shtënave me breshëri kallashnikovi ka humbur jetën rrugës për në spital 22-vjeçari Sotiraq (Raqi) Mëhilli ndërsa është plagosur rëndë Eno Mata 32 vjeç.

I plagosuri ka marrë plumba në trup dhe fillimisht është dërguar në spitalin rajonal të Vlorës por më pas  si pasojë e gjendjes së rëndë shëndetësore është transportuar për në spitalin e Tiranës.

Të dy personat që u bënë shenjestër e atentatit po udhëtonin me motorr drejt banesave të tyre në momentin kur janë qëlluar me kallashnikov. Mësohet se ata kanë lidhje shoqërore me njëri tjetrin ndërsa shenjestra e atentatit dyshohet të ketë qënë i plagosuri, Eno Mata.

I plagosuri Eno Mataj dhe viktima Raqi Mëhilli

Autorët e ngjarjes vetëm disa kilometra larg vendit ku lanë të vrarë 22-vjeçarin dhe plagosën 32-vjeçarin tjetër, kanë djegur edhe makinën që përdorën në kryerjen e krimit. Në brendësi të automjetit tip ' Mercedes Benz' të djegur në Bishan janë gjetur edhe dy kallashnikovë me të cilët autorët kanë hapur zjarr ndaj Sotiraq Mëhillit dhe Eno Matës. Makina rezulton e vjedhur gjithashtu edhe targat e këtij automjeti rezultojnë të jenë të vjedhura.

Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur forca të FNSH, të cilat  kanë nisur krehjen e zonës për gjetjen e autorëve. Sipas policisë personi i plagosur Eno Mataj që dyshohet të jetë edhe shenjestra e atentatit kishte pak më shumë se 6 muaj i kthyer nga Greqia ku edhe ishte i dyshuar e dënuar për grabitje.

Aleksandër Mata ose i njohur ndryshe si Eno Mata dyshohet se është një nga autorët e vrasjes së avokatit grek, Mihalesi Zafeiropoulos. Ndërsa në fshat njiheshin si persona te qetë. 22 vjecari që gjeti vdekjen ishte një person pa probleme dhe pa precedent sipas policisë.

Ndërkohë në dëshminë e tij, Mata ka thënë se është pikërisht ngjarja e ndodhur në Greqi, ajo që është transferuar edhe në vendin tonë. "Më ngatërrojnë me një anëtar bande për vrasjen e një avokati grek" është shprehur ai, ndërsa deklaron se porsoia për vrasjen e tij ka ardhur nga Greqia.

Ky është atentati i tretë që ndodh në muajin Maj në qytetin e Vlorës. Kujtojmë se më 12 maj, i riu Romarjo Aliraj, u shpëtoi breshërisë së plumbave. Ai po udhëtonte me automjetin e tij kur disa persona i erdhën nga pas dhe qëlluan në drejtim të tij. Aliraj arriti ti shpëtonte këtij atentati duke hedhur makinën në kanal ku fatmirësisht shpëtoi pa plagë të rënda.

Dy ditë para kësaj ndodhie një tjetër atentat ndodhi në Vlorë. Shënjestra ishte atentat Inez Hajrulla. Ndaj tij u shkrepën disa plumba por ai arriti të shpëtonte.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 10:50
Atentati në Vlorë/ Shoqërohen 15 persona, ja pista ku po heton policia


15 persona janë shoqëruar nga policia e Vlorës në lidhje me atentatin që tronditi Vlorën ditën e sotme. Personat e shoqëruar po pyeten dhe po hetohen nëse kanë lidhje me ngjarjen ku 22-vjeçari Sotiraq Mëhilli mbeti i vrarë ndërsa Eno Mata mbeti i plagosur.

Ndërkohë policia pistë kryesore të hetimeve ka një vrasje të një avokati në Greqi, ku ndër të dyshuarit për vrasjen e tij është edhe Eno Mata.

Edhe vetë Mata pas plagosje ka deklaruar se tentativa për ta vrarë mund të ketë ardhur nga Greqia për shkak se ai ngatërrohet me një anëtar të një bande në shtetin fqinj.

Ora 10:31
Detajet/ 22-vjeçarin e kapi plumbi në aortë, Eno Mata u qëllua me 4 plumba


Detaje të reja kanë dalë në skenë nga atentati që tronditi fshatin Poro në Vlorë, ku humbi jetën Sotiraq  Mëhilli dhe u plagosë rëndë Eno Mata. Ky i fundit dyshohet të ketë qënë edhe shënjestra e autorëve pasi rezulton të jetë me precedentë penale në Greqi.

Në vendin e ngjarjes policia ka gjetur deri më tani 4 gëzhoja ndërsa në drejtim të dy të rinjëve është shtënë me breshëri. 22-vjeçarin Sotiraq Mëhillin e ka kapur vetëm një plumb por që ka rezultuar fatal për të pasi e ka prekur në aortën kryesore.

Ndërsa Eno Mata ka marrë 4 plumba në trup dhe si paspjë e plagëve është transportuar drejt Tiranës.

Ora 09:23
Flet i plagosuri i atentati në Poro të Vlorës: Ja pse më qëlluan


I plagosur i atentatit në Poro të Vlorës, Eno Mata ka dhënë dëshminë e tij në lidhje me ngjarjen e orëve të para të mëngjesit të sotëm ku miku i tij Sotiraq Mëhilli mbeti i vrarë.

Ai shprehet se porosia për vrasjen e tij është bërë nga Athina pasi në Greqi, Mata akuzohohet për vrasjen e një avokati grek.

" Unë nuk kam bërë asnjë vrasje, vetëm kamë bërë vjedhje në bankë. Jam dënuar për këtë punë. Atje më kanë ngatërruar me një anëtar të një bande. Prandaj më kanë qëlluar" është shprehur Eno Mata.

Më pas ai ka thënë se autorët që kanë qëlluar në drejtim të tij dhe shokut të tij kanë dalë nga një ferrë ku ishin fshehur.

Ora 08:43
Shënjestra ishte Eno Mata, ku dyshohet se u porosit vrasja e tij


Policia e Vlorës deri më tani po heton vetëm në një pistë për ngjarjen e rëndë që tronditi fshatin Poro, ku humbi jetën 22-vjeçari Sotiraq Mëhilli dhe u plagos rëndë 32-vjeçari Eno Mata. Sipas policisë shenjestra e këtij atentati ishte i plagosuri 32-vjeçar. Dyshohet se vrasja e mbetur në tentativë e Matës është porositur në shtetin fqinj, Greqi.

Në këtë shtet Eno Mata rezulton të jetë me precedentë penale, i akuzuar për grabitje me dhunë dhe për vrasjen e avokatit grek Mihalesi Zafeiropoulos. Një krim të cilin vetë Mata e ka mohuar.

Ora 08:17
Pamje nga vendi i ngjarjes ku u vra Sotiraq Mëhilli dhe u plagos rëndë Eno Mata

Autorët e atentatit që lanë të vrarë 22-vjeçarin Sotiraq Mëhilli dhe plagosën rëndë Eno Matën i kanë ndjekur autorët dhe më pas i kanë pritur pak pas mesnate dhe kanë shkrehur drej tyre rreth dy karikatore kallashnikovi. Dy të rinjtë  po ktheheshin në shtëpi. Ndërkohë në vendin e ngjarjes janë të freskëta gjurmët e këtij krimi. Në një ferrë buzë rrugës ku po udhëtonin dy të rinjtë me motor duken degët e thyera nga rrëzimi i motorit dhe nga breshëria e plumbave.

Zona është e pa ndriçuar dhe nuk ka kamera sigurie, gjë që do të bëjë edhe më të vështirë identifikimin e autorëve të këtij krimi.

Ora 08:15
Atentat në Vlorë, plagoset i dyshuari për vrasjen e avokatit grek, vdes shoku (FOTO)

Autorët e atentati ku u vra Sotiraq Mëhilli dhe u plagos rëndë shoku i tij, Eno Mata duket se i kanë ndjekur prej kohësh pasi nga skena e ngjarjes dhe dinamika se si u zhvillua tregon se ata e njihnin mirë zonën. Dyshohet se autoët u kanë zënë pritë dy të rinjëve dhe në momentin që po ktheheshin për në banesë kanë hapur zjarr ndaj tyre duke lënë të vdekur 22-vjeçarin Mëhilli dhe plagosur Eno Matën.

Ora 08:12
Atentati në Vlorë, motori ku udhëtonin dy të rinjtë transportohet bashkë me makinën e djegur të autorëve (VIDEO)

Këto janë momentet kur largohen nga vendi i ngjarjes motori me të cilin udhëtonin dy të rinjtë Eno Mata dhe Sotiraq Mëhilli dhe makina e djegur e autorëve të cilët kryen atentatin.

Ora 07:53
'Babai i ka vdekur...', flasin banorët e fshatit ku ndodhin atentati: Ishini djem të sjellshëm (VIDEO)

Banorët e fshatit Poro janë tronditur nga atentati që la të vrarë gjëtë 22-vjeçarin Sotiraq Mëhilli dhe u plagos rëndë shoku i tij Eno Mata 32-vjeç.

Sipas tyre të dy djemtë ishin me sjellje të mirë në fshat. Ata tregojnë se i njihnin dhe nuk kishin sjellë probleme për komunitetin ku jetonin.

"Nuk e njihja si fytyr viktimën. Familje shumë e mirë. Babai i ka vdekur nga një sëmundje e keqe. Ndërsa Eno Mata thonë se ka jetuar në Greqi. Andej nuk e di si është sjellur. Tani e morëm vesh në mëngjes. Janë familje shumë të mira. Eno është rritur këtu familje shumë e mirë" ka deklaruar një banore e fshatit Poro.

"I njihja të dy. Shumë të sjellshëm djem në punë të tyre punëtor. Njëri nga ata vetëm të jëmën ka. Po vija me qumështin dhe thërrita. Pashë policinë aty. Nuk e di për të shtëna. Punë bujqësie merreshin. Familjen e ka në Greqi Eno Mata. Nuk di gjë, ai ka qënë ktu kemi patur muhabet, djal i sjellshëm. Prindërit i ka të mirë" është shprehur një banorë tjetër.

Ora 07:30
Autorët e vrasjes në Vlorë djegin makinën, çfarë u gjet brenda saj (VIDEO)

Autorët apo autori i atentatit në fshatin Poro të Vlorës kanë përfituar nga errësira dhe janë larguar me anë të një automjeti tip 'Mercedes Benz 250'.

Më pas vetëm pak kilometra larg vendit ku ndodhi krimi, në fshatin Bishan ata i kanë vënë flakën makinës që kryen vrasjen dhe lanë të plagosur të riun tjetër.



Brenda automjetit janë gjetur edhe dy kallashnikovë që dyshohet se janë përdorur në atentat. Ndërkohë automjeti rezulton të jetë i vjedhur po ashtu të vjedhura janë edhe targat që i ishin vendosur. Ndërsa në vendin e ngjarjes policia ka gjetur disa gozhoja.