Gazetari investigativ italian Sigfrido Ranucci, i cili kishte transmetuar në Rai një emision të tërë në përpjekje për të provuar se Shqipëria është një narkoshtet, prej javësh tashmë ndodhet në qendër të një skandali gjyqësor në Itali, të lidhur me një atentat të rremë, viktimë e të cilit kishte mbetur vetë ai. Një bombë e vogël, e shpërthyer përpara shtëpisë së tij në Romë, kishte shkaktuar vetëm dëme të vogla dhe për të cilën shtypi i Berishës (Syri) kishte nxituar të akuzonte “shqiptarët” si porositës. Sikur Rama, për t’u mbrojtur nga akuza se është në krye të një narkoshteti, të dërgonte narkotrafikantët për t’i hedhur në erë shtëpinë gazetarit që e kishte akuzuar.

Pavarësisht absurditetit të akuzës, vetë Ranucci, të themi të drejtën, nuk e kishte përgënjeshtruar, duke u kufizuar të thoshte se “nuk kishte informacione mbi përgjegjësinë e mundshme të shqiptarëve”. Ranucci është ai lloj njeriu që dyshon tek të gjithë dhe është gati të betohet vetëm për ndershmërinë e miqve të tij. Dhe në fakt, mes atyre që ai i konsideronte njëqind për qind të pafajshëm ishte edhe miku i tij i ngushtë Valter Lavitola, kontingjenti i policisë italiane, i cili prej dy ditësh ndodhet në burg pikërisht si organizatori i atentatit kundër mikut të tij Ranucci.

“Nuk mund të ketë qenë ai, nuk do të më kishte bërë kurrë keq”, ka përsëritur disa herë gazetari investigativ, jo edhe aq intuitiv, i cili në fakt dje u përgënjeshtrua. Lavitola në burg ka rrëfyer: isha unë.

Mes gjërave të zbuluara nga hetuesit italianë është edhe fakti se, për të larguar nga vetja çdo dyshim të mundshëm, Lavitola u kishte thënë katër autorëve materialë të atentatit (të gjithë të arrestuar përpara tij) që të akuzonin një shqiptar. “Nëse ju ndalon policia, thoni se një shqiptar ju ka paguar 3.000 euro për t’i vendosur bombën Ranuccit”, u kishte thënë ai.

Tani nuk është e qartë nëse pista shqiptare e shpikur nga Syri është kopjuar nga Lavitola, apo nëse Lavitola ia ka sugjeruar edhe Syrit pistën shqiptare.

Marrëdhëniet mes Syrit, Ranuccit dhe Lavitolës ekzistojnë. Syri ka qenë burimi i vetëm me të cilin Ranucci ka zhvilluar hetimin e tij të rremë mbi narkoshtetin në Shqipëri, si hakmarrje ndaj Edi Ramës dhe Giorgia Melonit, fajtorë se kishin nënshkruar marrëveshjen për kampin e refugjatëve në Shëngjin, e cila nuk i pëlqente Lëvizjes 5 Yjet italiane, me të cilën Ranucci është një aleat i ngushtë.

Ranucci është mik dhe këshilltar i Lavitolës, i cili nga ana e tij është mik i Ilir Metës. Gjatë një bisede telefonike të përgjuar më 15 tetor 2009, Lavitola kërkon një takim me zëvendëskryeministrin shqiptar të asaj kohe, Ilir Meta, në zyrën e Franco Frattinit, asokohe ministër i Jashtëm i Italisë. Lavitola besohet se është takuar me Metën për pazare në selinë e Ministrisë së Jashtme në Romë, në kuadrin e një vizite zyrtare më 21 tetor të vitit 2009. “Do të ishte shumë e rëndësishme për një sërë ngjarjesh që më vonë t’i shpjegoj dhe që Franco i di, që unë të jem aty në fund të takimit në dhomën e Francos për të shkëmbyer dy fjalë; Franco, unë dhe Ai”, i thotë Lavitola sekretares së Frattinit.

Fillimisht Meta dhe Frattini mohuan takimin, por një foto i përgënjeshtroi. Vetë Meta u hodh në mbrojtje të Frattinit, duke mohuar njohjen me Lavitolën. “Në lidhje me pretendimet e ndonjë media për gjoja angazhimin e personave të tretë gjatë vizitës sime zyrtare në Romë më 21 tetor të vitit 2009, sqaroj se prezenca e një drejtuesi të një gazete italiane në foton e paraqitur në media, e marrë gjatë konferencës së shtypit me homologun Frattini, është krejtësisht e rastësishme dhe nuk ka asnjë lidhje me asnjë aspekt institucional apo zyrtar të vizitës. Personi në fjalë njihet prej meje prej kohësh si drejtor i gazetës L’Avanti”, tha Meta.

Por sekseri italian tha se kishte 10 vjet që e njihte Ilir Metën. Në përgjime Lavitola shprehej se do të bënte një goditje të madhe në Shqipëri. Më vonë u zbulua se ai do të ishte sekser në ndërtimin e gazsjellësit TransAdriatik, për të cilin po lobonte aq shumë Sali Berisha.

Miqësia dhe bashkëpunimi mes Sigfrido Ranuccit dhe të dënuarit Valter Lavitola tashmë e kanë shkatërruar, brenda dhe jashtë Italisë, besueshmërinë e Ranuccit, të cilit me shumë gjasa do t’i hiqet drejtimi i emisionit Report.

Ranucci, i cili ishte mjeshtër në zhvillimin e hetimeve të tij duke i bazuar akuzat shpesh vetëm mbi insinuata, mbi miqësitë mes dy personave, mbi burime pak të besueshme dhe mbi motive politike, tani ka mbetur viktimë e vetë metodës së tij të investigimit. Dikush do të thoshte se ishte karma.

Dhe një pjesë e madhe e shtypit italian tashmë vë hapur në dyshim besueshmërinë e Ranuccit, duke pyetur deri në çfarë pike Lavitola ka vepruar i vetëm në organizimin e atentatit, qëllimi i të cilit ishte rritja e popullaritetit të gazetarit dhe më pas propozimi i tij si kandidat për kryeministër të Italisë.

Pyetja që Ranucci i Report-it do t’i bënte tani vetes është: vërtet Ranucci nuk dinte asgjë?