TIRANË- Tre muaj pas atentatit mafioz pranë aeroportit të Rinasit, ku u ekzekutua krahu i djathtë i Emiljano Shullazit, Prokuroria e Tiranës ka shpallur moskompetencë dhe i ka kaluar dosjen SPAK pas dyshimeve se ngjarja është kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. Në atentatin e 11 nëntorit 2025, mbetën të vrarë Gilmando Dani dhe agjenti i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, Muçi Shaljani alias Sheqeri, i cili humbi jetën në spital 4 ditë më pas.
Prokuroria e Tiranës kreu verifikimet dhe doli në konkluzionin që organ kompetent për ta hetuar ngjarjen kriminale është Struktura e Posaçme, pas të gjitha indicieve se pas ekzekutimit në Rinas, fshihet një grup kriminal, i organizuar me role të ndara, porositës, organizator, qitësit etj.
Vrasja e Danit dhe mikut të tij ka mbetur pa autor, ndërsa pista e hetimeve është përplasja mes grupeve kriminale. Policia ngriti shumë pista dhe të dyshuar, krehu zonën me Operacionalen dhe Renean, por asgjë me vlerë nuk u gjet. Makina e autorëve u pa pranë një shtëpie në fshatin Zallë, ku u zbulua një arsenal armësh, por ekspertiza përjashtoi lidhjen me atentatin.
Si u vra Gilmando Dani dhe miku i tij?
Gilmando Dani e miku i tij Sheqeri sapo ishin kthyer nga Barcelona më 11 nëntor, ku kishin qëndruar për 4 ditë. Gjithçka ndodh në 80 sekonda. Makina “Toyota” e autorëve po priste prej 10 minutash, me bllokazhin e aktivizuar, në rrethrrotullimin e Rinasit. Sapo një informator i lajmëron se “Mercedes Benz”-i, me ngjyrë të bardhë, ku ndodhej shënjestra Gilmando Dani dhe miku i tij, doli nga aeroporti dhe po vinte në drejtim të tyre, makina lëviz dhe zë pritën në krahun tjetër.
Sapo afrohet mjeti i Danit, 3 persona të maskuar dhe me kallashnikovë nisën breshërinë e plumbave. Të shtënat vijojnë pa ndërprerje drejt makinës, e cila për inerci lëviz edhe për disa metra të tjera në krahun e kundërt të rrethrrotullimit, për të ndaluar thuajse në korsinë tjetër.
Në këtë moment, 3 atentatorët kthehen në makinë, ndoshta me synimin për t’u larguar, por njëri prej tyre, i pabindur se puna ishte kryer siç duhet, niset sërish drejt makinës. Në gjysmë të rrugës tenton disa herë të qëllojë, por pa sukses, pasi dyshohet se i bllokohet arma. Makina e autorëve niset dhe bënë disa metra, duke iu afruar më shumë rrethrrotullimit. Njëri prej autorëve i dërgon një tjetër armë kolegut të tij, i cili me pistoletë në dorë, afrohet te xhami i pasagjerit, qëllon disa herë për t’u siguruar se Gilmando Dani është ekzekutuar dhe kthehet. Për të shmangur ndonjë lëvizje të mundshme të të plagosurit Muçi Shaljani, atentatori i dytë kthehet sërish dhe nga distanca qëllon gomat e makinës. Të dy, qetësisht mbledhin disa sende që u kanë rënë mbi rrethrrotullim dhe nisen me vrap drejt makinës, e cila niset për arratisje drejt rrugës te Ura e Tubit, ngjitur me aeroportin e Rinasit.
Komente









