Gjykata e Lezhës ka vendosur pushimin e çështjes penale ndaj tre personave të dyshuar për përplasjen me armë zjarri në Rrilë, ku mbeti i plagosur Agron Puka.
Vendimi është marrë nga gjyqtari Lirim Bulica, i cili ka pranuar kërkesën e Prokurorisë së Lezhës për pushimin e procedimit penal ndaj Vinçens Tukut, Kevin Ndokës dhe Amarildo Kola (Ndreca).
Ngjarja për të cilën ata ishin nën hetim ka ndodhur mëngjesin e 6 marsit 2024, para shkollës 9-vjeçare në fshatin Rrilë të Lezhës, ku gjate përplasjes me armë zjarri mbeti i plagosur Agron Puka. Të tre ishin proceduar dhe shpallur në kërkim, ndërsa Prokuroria e Lezhës kishte ngritur ndaj tyre akuzat për “Vrasje me paramendim”, kryer në bashkëpunim dhe e mbetur në tentativë, si dhe “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
Por pas hetimeve, Prokuroria ka vlerësuar se nuk janë siguruar prova që implikojnë Vinçens Tukun, Kevin Ndokën dhe Amarildo Kola (Ndreca) në ngjarje dhe kërkoi pushimin e çështjes dhe shuarjen e masave të sigurimit personal të vendosura ndaj tre personave.
Dispozitivi i Gjykatës
Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, me vendimin nr. 53-2026-2373, datë 09.09.2026, ka pranuar kërkesën e Prokurorisë dhe ka vendosur:
Pushimin e akuzës ndaj Vinçens Tuku, Kevin Ndoka dhe Amarildo Kola (Ndreca) për akuzën e “Vrasjes me paramendim”, në bashkëpunim, mbetur në tentativë, si dhe për “Mbajtjen pa leje të armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
* Shuarjen e masës së sigurimit personal “arrest në burg” ndaj këtyre personave te caktuara me vendimin nr. 690-120, datë 09.03.2024 dhe vendimin nr. 3014-523, datë 11.10.2024.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë







Komente
Komento