Dy vite pas përplasjes me armë zjarri të ndodhur para shkollës 9-vjeçare në Rrilë të Lezhës, ku mbeti i plagosur Agron Puka, Prokuroria e Lezhës ka kërkuar pushimin e akuzave ndaj tre të dyshuarve, të cilët ishin vënë nën hetim dhe shpallur në kërkim për këtë ngjarje.

Kërkesa në gjykatë është bërë pasi nga hetimet e kryera, ka rezultuar se nuk ka prova që implikojnë Vinçens Tukun, Kevin Ndokën dhe Amarildo Kolën në ngjarjen e ndodhur mëngjesin e 6 marsit 2024.

Në këto kushte, Prokuroria e Lezhës ka kërkuar pushimin e akuzave ndaj tre personave të dyshuar për kryerjen e veprave penale “Vrasje me paramendim”, kryer në bashkëpunim dhe e mbetur në tentativë, si dhe “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”. Po ashtu, është kërkuar edhe shuarja e masës së arrestit me burg që kishte caktuar Gjykata e Lezhës.

Tashmë do të jetë gjykata ajo që do të vendosë për këtë çështje dhe nëse do ta pranojë kërkesën e Prokurorisë.

Agron Puka u qëllua me armë zjarri mëngjesin e 6 marsit 2024, sapo kishte lënë fëmijët në shkollë, në fshatin Rrilë të Lezhës, duke mbetur i plagosur. Nga hetimet rezultoi se edhe Puka iu përgjigj të shtënave, duke qëlluar me armë zjarri. Pas ngjarjes, ai u arrestua nga policia në spital, ku kishte marrë ndihmë mjekësore për plagët e marra.

Amarildo Kola u arrestua disa muaj pas ngjarjes, në tetor, teksa ndodhej në një lokal në Laç, i armatosur.