Gjashtë persona të cilët u ekzekutuan më 11 shtator 2023 në një atentat mafioz në Greqi, nuk janë shqiptarë, por shtetas turq. Megjithëse fillimisht u raportua nga mediat greke se viktimat ishin shqiptarë, autoritet greke kanë informuar ato shqiptare se 6 personat janë shtetas turq.

"Zyra e Ministrit të Brendshëm ka ndjekur prej momentit të parë ngjarjen në Greqi dhe nga informacioni paraprak nga autoritetet greke jemi informuar se viktimat kanë shtetësi turke me karta identiteti të një vendi të BE" thuhet në një njoftim të shpërndarë nga Ministria e Brendshme.

Sipas informacioneve, viktimat posedonin kartat me identitet francez. Ndërkohë, ka gjasa që konfuzioni se mund të ishin shqiptarë, ishte fakti se brenda mjetit u gjetën dhe disa pasaporta shqiptare, që mendohet se kanë qenë false.

Ekzekutimi ndodhi rreth orës 18:30 të së hënës në mbrëmje. Ata u qëlluan në një rrugë të izoluar ndërsa po udhëtonin me një makinë blu me targa gjermane. Pesë nga viktimat u gjetën të vdekur brenda automjetit dhe i gjashti, që besohet se ishte drejtuesi, ndodhej jashtë tij.

Asnjë nga gjashtë viktimat, të cilat ende nuk janë identifikuar zyrtarisht, nuk rezultonin të ishin me precedentë penalë në Greqi, ndërsa fakti që asnjë prej tyre nuk ishte i armatosur po trajtohet gjithashtu si potencialisht i rëndësishëm.

Hetuesit mjeko-ligjorë janë duke kërkuar në vendin e krimit që nga e hëna në kërkim të provave që tregojnë se si ndodhi ngjarja dhe identiteti i autorëve, dhe kanë mbledhur më shumë se 20 gëzhoja të qëlluara nga një pistoletë.

Sipas informacioneve, skenari i konsideruar si më i mundshmi nga autoritetet është se bëhet fjalë për një larje hesapesh, lidhur me një rast droge.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 17:12
Masakra në Greqi, 6 të vrarët janë bashkëpunëtorë të kryemafiozit turk Baris Boyun

1694531846_greqi.JPG

Gjashtë të vdekurit në masakrën e ndodhur në Greqi, të hënën pasdite, sipas mediave greke janë bashkëpunëtorë të kryemafiozit turk Baris Boyun, i cili ekzekuton “kontratat e vdekjes” me xhelatët e motoçikletave. Baris Boyun raportohet se është përfshirë në një sërë sulmesh të armatosura në Turqi dhe tani jeton në Itali si i arratisur. Ai është i njohur për bandën e vrasësve me bazë motoçikletash që themeloi në Stamboll dhe është sulmuar jashtë vendit në të kaluarën. Të vrarët u raportua se ishin anëtarë të rrjetit kriminal të Boyun, i cili është i njohur për policinë turke dhe ka qenë objektiv i hetimeve policore në të kaluarën. 

Ora 13:50
Masakra në Greqi, autorët qëlluan për 45 sekonda! Dyshohet se ekzekutimi u krye me urdhër nga burgu

1694461464_greqi.JPG

Breshëri plumbash janë derdhur mbi makinën e gjashtë personave të ekzekutuar pasditen e të hënës pranë Athinës në Greqi. Mediat vendase publikuan një regjistrim audio të një banori të zonës që tregon se të shtënat kanë vijuar të paktën 45 sekonda pa ndërprerje.

Të paktën pesë nga personat e vrarë, sipas policisë, po lëviznin me makinën “Ford Focus”, me targa gjermane “RR-6666”. “CNN grek” dhe “Prototema” raportojnë se identiteti i viktimave nuk është ende i qartë, megjithëse ata mbanin letërnjoftime franceze me emra turq.

Mediat greke, referuar policisë, thonë se të paktën pesë nga viktimat kanë qenë në makinën tip “Ford” ndërkohë që i gjashti, dyshohet se mund të jetë nga radhët e autorëve.

Në skenën e krimit, policia tha se ka gjetur 60 gëzhoja të një arme 9 milimetërshe. Megjithëse dyshohet se ngjarja ka lidhje me larjen e hesapeve, në makinën ku ndodheshin viktimat nuk janë gjetur armë por vetëm telefonat e tyre që po kontrollohen për të parë mesazhet dhe thirrjet e fundit.

Në lidhje me autorët, hetuesit dyshojnë se ata kanë qenë të paktën tre persona dhe janë larguar me një automjet me ngjyrë të zezë dhe një motor. Mediat greke aludojnë se masakra mund të jetë kryer me urdhër nga persona të burgosur si anëtarë të grupeve kriminale në rivalitet me njëri-tjetrin.

Ora 08:27
Atentati në Greqi, Ministria e Brendshme informohet nga autoritete greke: Viktimat kanë shtetësi turke

1693395164_taulantballa.jpg

Ministria e Brendshme shqiptare ka reaguar zyrtarisht në lidhje me atentatin me 6 të vrarë në Greqi, mbasditen e së martës. Sipas njoftimit, thuhet se autoritete greke kanë njoftuar ato shqiptare duke i bërë me dije se viktimat kanë shtetësi turke dhe jo shqiptare.

‘Zyra e Ministrit te Brendshëm ka ndjekur prej momentit te pare ngjarjen ne Greqi dhe nga informacioni paraprak nga autoritetet greke jemi informuar se viktimat kane shtetësi turke me karta identiteti te një vendi te BE.’- njofton Ministri i Brendshëm.