Edhe pse me vuajtje, Atletico Madridi ia doli të eliminonte dje Barcelonën dhe të merrte një biletë për në gjysmëfinalet e Champions League. 'Los Colchoneros' humbën 1-2 në shtëpi, por fitorja 0-2 në ndeshjen e parë në 'Camp Nou' u dha të drejtën për të kaluar më tej.
Pas ndeshjes, trajneri i Atletico Madridit, Diego Simeone tha se janë vetëm tre ndeshje larg nga trofeu dhe e dinë shumë mirë se çfarë duhet të bëjnë për ta siguruar.
"Vuajtje maksimale, por shijon më shumë…
A e patë si luajnë katalanasit? Me çfarë shpejtësie lëvizin? Bëmë gabime të rëndësishme që iu lejuam të përfitonin dhe na e vështirësuan kontrollin. Me 2-0 ndeshja mund të rrëshqiste, por ne u ringritëm falë personalitetit të Gimenez, Koke dhe Llorente, qetësisë së Musso, përmirësimit të Giuliano, Lookman na riktheu në lojë…
Në pjesën e dytë u barazua gjithçka, e dinim që Barcelona do të binte fizikisht pas ndeshjes së të shtunës dhe ne morëm energji nga zëvendësimet. Nxorën planin B të dyja palët, ata me Araujo dhe Lewandowski, ne me Sorloth, Nico, Baena… Ishte një ndeshje e jashtëzakonshme që nisëm ta fitonim qysh kur pamë tifozët nga autobusi. Janë 14 vite dhe ende emocionohem. I falenderova lojtarët për besimin, zemrën dhe shtysën.
Lookman po bëhet vendimtar…
Është në zhvillim të plotë, po përmirësohet shumë në mbrojtje dhe ka më shumë peshë në ekip. Cilësitë sulmuese i ka të gjitha. Nuk kemi pasur lojtarë të këtij niveli. Lookman krijon frikë, ka edhe më shumë potencial, këtë dua prej tij.
A besoni te fitimi i Championsit?
Vazhdojmë përpara me entuziazmin për tri ndeshjet që na mbeten, me respekt dhe përulësi, por duke e ditur çfarë duam. Patjetër do ta kërkojmë suksesin. Llorente dhe Ruggeri… Ndonjëherë nuk duhet thënë më shumë, Mateo markoi Yamal, që është i jashtëzakonshëm. Ajo që bën Marcos është e pabesueshme, luan gjithçka, është zhvilluar si lojtar dhe si njeri.
Po Griezmann?
Kemi folur shumë për të…, e di sa shumë e dua dhe është një gjeni. Do ta kuptojmë çfarë kemi pasur me kalimin e kohës. Shpresoj që Zoti dhe fati t’i japin atë që i mungon.
Te Barcelona ia ulën meritat…
A e dini sa bukur është të jesh në gjysmëfinale të Champions-it? Të jesh mes katër më të mirëve në Europë. E mrekullueshme!
Si ju duk loja?
Çdo ekip ka modelin e vet. Ne kemi evoluar dhe e dimë çfarë duam. Sulmojmë më mirë sesa mbrojmë dhe kemi nevojë të sulmojmë.
Reagimi juaj pas fërshëllimës finale…
Nuk e mbaj mend mirë, mendoj se vrapova dhe përqafova Barrios. Nuk është e lehtë ta eliminosh Barcelonën tri herë. Shpresoj që lojtarët të pushojnë dhe të bëjnë një ndeshje të madhe të shtunën.
Si u afruat me ekipet kryesore?
Me gola.
Një vlerësim për Musso…
E kam thënë edhe më parë, kam komunikim shumë të mirë si me Jan, ashtu edhe me Juan. Kërkoj më të mirën për ekipin, kemi nevojë për të dy, janë të jashtëzakonshëm", tha Diego Simeone.
Komente





