Audio-regjistrimi: Ish-Presidenti Trump pranon se nuk mund të deklasifikonte një dokument sekret

Audio-regjistrimi: Ish-Presidenti Trump pranon se nuk mund të deklasifikonte një dokument sekret

Donald Trump

Mediat amerikane njoftuan se prokurorët e Departamentit të Drejtësisë kanë siguruar një kasetë në të cilën ish-Presidenti Donald Trump dëgjohet tek thotë se ka një dokument të klasifikuar të Pentagonit në lidhje me një sulm të mundshëm ndaj Iranit. Regjistrimi është bërë pas largimit të tij nga detyra e presidentit.

Rrjeti televiziv CNN, i cili njoftoi i pari rreth audio-regjistrimit, bëri të ditur se zoti Trump dëgjohet tek thotë se ai donte ta ndante informacionin sekret edhe me persona të tjerë, por e dinte se kishte kufizime në lidhje me kompetencat e tij për të deklasifikuar dokumente sekrete, pas largimit nga detyra.

Komentet janë bërë në korrik të vitit 2021, në klubin e golfit të zotit Trump, në Bedminster të shtetit të Nju Xhersit. Fjalët që zoti Trump thotë në audio-regjistrim, duket se janë në kontradiktë me pretendimet e përsëritura të tij, se mund t’i deklasifikonte automatikisht dokumentet që mori me vete nga Shtëpia e Bardhë, pas largimit nga detyra. Ky audio-regjistrim mund të shërbëjë si një provë e rëndësishme për prokurorët, që po kërkojnë të vërtetojnë se zoti Trump e dinte se mundësitë e tij për të zotëruar dokumente të klasifikuara, ishin të kufizuara.

Tashmë kasetën e posedon Prokurori i Posaçëm Jack Smith, ekipi i të cilit ka shpenzuar muaj të tërë duke hetuar mënyrën se si janë trajtuar dokumentet e klasifikuara nga ana e zotit Trump, si dhe nëse zoti Trump apo dikush tjetër, është përpjekur të pengojë hetimin penal mbi këtë çështje. Ka shenja se hetimet ndodhen në fazat e fundit të tyre. Prokurorët kanë intervistuar një grup të gjerë dëshmitarësh përpara një jurie të madhe.

Deri tani ndaj asnjë personi nuk janë ngritur akuza penale.

Hetimi penal mbi këtë çështje nisi vitin e kaluar, pasi Administrata e Arkivave Kombëtare njoftoi FBI-në për praninë e 15 kutive me dokumente të klasifikuara, që ishin marrë me vonesë nga rezidenca e zotit Trump në Mar-a-Lago. Kjo çështje shkoi deri tek kontrolli nga FBI me urdhër gjykate të rezidencës së zotit Trump.

Sipas CNN-it, kaseta është regjistruar gjatë një mbledhjeje në Bedminster në prani të ndihmësve të zotit Trump dhe dy personave, që po punonin në atë kohë për autobiografinë e ish-shefit të kabinetit të zotit Trump, Mark Meadows.

Po sipas CNN-it, autobiografia e zotit Meadows duket se përshkruar në një pjesë të saj, pikërisht këtë takim. Një avokat i zotit Meadows nuk iu përgjigj kërkesës për komente nga agjencia ‘Associated Press”.

CNN-i tha se dëshmitarët, mes tyre edhe gjenerali Mark Milley, shefi i Shefave të Shtabit të Bashkuar, janë marrë në pyetje rreth këtij takimi. Një zëdhënës i zotit Milley nuk pranoi të komentojë nëse është intervistuar ose jo. Po kështu edhe një zëdhënës i prokurorit special nuk pranoi të komentojë.

Një zëdhënës i zotit Trump tha në një deklaratë se hetimi ishte i pabazë dhe ishte pjesë “e ndërhyrjeve të vazhdueshme në zgjedhjet presidenciale".

Krahas këtij hetimi Prokurori i Posaçëm Jack Smith, po heton gjithashtu mbi përpjekjet e dyshuara të zotit Trump dhe aleatëve të tij për të zhbërë rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020. Ndërkohë në fillim të këtij viti prokurorët e Nju Jorkut ngritën akuza penale ndaj ish-presidentit për falsifikim të të dhënave të biznesit. Çështja rrjedh nga pagesat që iu bënë dy grave, para zgjedhjeve presidenciale të vitit 2016, për të siguruar heshtjen e tyre rreth marrëdhënieve seksuale që ato pretendojnë se kanë patur me zotin Trump. Ish-presidenti i ka hedhur poshtë këto pretendime./VOA

M.T/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si do jenë ndryshimet në Kodin Zgjedhor që do bëjnë PS-Rithemelimi?



×

Lajmi i fundit

Gazment, rrugës për në SPAK merr edhe këto letra me vete

Gazment, rrugës për në SPAK merr edhe këto letra me vete