Lufta në Iran mund të kthehet në një tjetër “shok ukrainas” për Europën, duke e ekspozuar përballë një krize energjetike dhe duke nxjerrë në pah dobësinë dhe mungesën e unitetit.
Ka një nxitim të madh për të shpallur gabimet e presidenti Donald Trump dhe Benjamin Netanyahu, por bilancet e luftërave nuk bëhen gjatë zhvillimit të tyre, aq më pak në fazat e para. Megjithatë, konflikti po nxjerr qartë në dritë brishtësinë dhe përçarjen e Europës.
Tundimi për ta parë këtë luftë si një ndëshkim historik për SHBA-në dhe Izraelin është i fortë. Dhe nuk përjashtohet që përfundimi të jetë negativ për ta. Luftërat shpesh shoqërohen me gabime të mëdha llogaritjeje. Rusia gaboi rëndë duke nënvlerësuar rezistencën e Ukrainës, që duhej të dorëzohej brenda dy javësh dhe po reziston prej katër vitesh. Një tjetër gabim i madh ishte ai i regjimit iranian më 7 tetor 2023, kur mbështeti Hamasin pa parashikuar reagimin e Izraelit.
Nuk mund të përjashtohet që këtë herë të kenë gabuar edhe Trump dhe Netanyahu, duke nënvlerësuar qëndrueshmërinë e regjimit iranian, ndoshta të ndikuar nga protestat e janarit që e bënë sistemin të dukej më i dobët.
Por është herët për përfundime. Edhe në Luftën e Dytë Botërore, pas Pearl Harbor apo në fillim të Operacionit Barbarossa, skenarët dukeshin ndryshe. Edhe në Afganistan në 2001 apo Irak në 2003, askush nuk mund të parashikonte fundin pas dy javësh. Edhe tani, pas dy javësh ofensivë, duhet kujdes para se të shpallet humbësi.
Ndërkohë, Kina lëviz me kujdes. Vizita e planifikuar e president Donald Trump në Pekin, nga 31 marsi në 2 prill, është shtyrë. Xi Jinping kishte interes të madh për këtë takim, në një moment të vështirë për të, mes krizës ekonomike, tensioneve të brendshme dhe një faze të ndjeshme politike.
Qëndrimi kinez ndaj Iranit ka qenë i kujdesshëm: ka dënuar sulmet amerikane, por me tone të buta dhe pa veprime konkrete. Nuk përjashtohet që të vazhdojë të mbështesë Gardën Revolucionare, por pa përshkallëzim. Kina mbetet shumë e varur nga nafta iraniane, duke blerë pjesën më të madhe të saj, shpesh me çmime të ulëta dhe në monedhën e vet.
Vizita e Trump kishte në fokus edhe çështje të rëndësishme si furnizimet me armë për Tajvanin dhe marrëdhëniet tregtare. Shtyrja e saj mund të jetë një lëvizje për të kërkuar lëshime nga Pekini, përfshirë edhe rolin që Kina duhet të marrë në garantimin e sigurisë në Ngushticën e Hormuzit dhe në frenimin e mbështetjes për pasdaranët.
Por kriza prek drejtpërdrejt Europën. Mbyllja e mundshme e Hormuzit e vendos atë përballë një situate të ngjashme me atë të vitit 2022 pas sulmit rus në Ukrainë. Edhe sot, si atëherë, Europa përballet me një tronditje energjetike që nxjerr në pah varësinë dhe dobësinë e saj.
Ndryshe nga SHBA, që është më e pavarur energjetikisht, Europa është më e ekspozuar dhe me më pak mjete për t’u mbrojtur. Franca ka dërguar një prani të kufizuar ushtarake, por nuk është angazhuar për sigurinë e Hormuzit gjatë luftimeve. Britania ka reaguar me kujdes dhe vetëm pas kërcënimeve direkte. Gjermania ka zbutur mbështetjen për SHBA për arsye politike të brendshme dhe për shkak të kufizimeve reale ushtarake.
Debati në Europë zhvillohet mbi një realitet të vështirë: edhe nëse do të donte të vepronte, kapacitetet e saj ushtarake në Lindjen e Mesme janë shumë të kufizuara.
Nga ana tjetër, Trump ka ngritur vazhdimisht pyetjen mbi rolin e Europës: nëse Hormuzi është jetik për ekonominë europiane, pse nuk angazhohet vetë për ta mbrojtur? Për dekada, SHBA ka garantuar lirinë e lundrimit edhe në zona që nuk janë jetike për të, por për të tjerët.
Mesazhi i vetëm i përbashkët nga Europa është se kjo nuk është lufta e saj. Por kjo nuk përbën një strategji sepse nuk ka një linjë të unifikuar mes Gjermanisë, Francës dhe Britanisë.
Nëse Europa mendon se duke qëndruar në distancë do të ketë ndikim pas përfundimit të konfliktit, rrezikon të përsërisë të njëjtin skenar si në Gaza, ku mungesa e një zëri të përbashkët e ka lënë jashtë çdo vendimmarrjeje.CorrieredellaSera
Komente





