Augustin Palokaj: BE-ja do të vazhdojë të mos bëjë asgjë në Ballkan edhe pas fitores së Trumpit

Augustin Palokaj: BE-ja do të vazhdojë të mos bëjë asgjë në Ballkan edhe pas fitores së Trumpit

Nëpër shumë pjesë të botës ditëve të fundit dominon pyetja se çfarë do të thotë fitorja e Donald Trumpit për ta? Pyeten për këtë në Kosovë e Serbi, Bosnjë e Maqedoni të Veriut, Austri e Ukrainë, Gjeorgji dhe Hungari, Ukrainë dhe Moldavi, Iran dhe Paskistan.

Po të analizosh mediat në Ballkanin Perëndimor fiton përshtypjen se hapat e parë të Administratës së Donald Trumpit do të jenë që të heqë nga lista e zezë amerikane ish-presidentin dhe ish-kryeministrin e Shqipërisë, Sali Berisha, të heqë nga lista e zezë liderin e serbëve të Bosnjës, Milorad Dodik, t’i ndihmojë kandidatit Dragan Primorac të fitojë zgjedhjet presidenciale në Kroaci, të rrëzojë nga pushteti Albin Kurtin, të shpërbëjë Gjykatën Speciale në Hagë, që ka emrin e pakuptimtë si “Dhomat e Specializuara të Kosovës”, të ndërtojë hotel në ishullin Sazan në Shqipëri dhe ta shndërrojë ndërtesën e Gjeneralshtabit të Serbisë në Beograd në hotel me “muze të viktimave të agresionit të NATO-s”.

Tek pasi t’i ketë bërë këto, atëherë mund të mendojë për sfida të tjera si ndihma Sllovenisë, pasi është dhëndër i tyre, Hungarisë, për liderin e së cilës, Viktor Orban, ka simpati, ani pse deri vonë ka menduar se është president i Turqisë. E vetëm pastaj do të mendojë si t’ia bëjë me Ukrainën dhe Lindjen e Mesme. 

Krejt këto pritje janë joreale sepse, siç na mëson e kaluara, politika e jashtme amerikane nuk ndryshon aq shpejt.  Ndërsa politika e jashtme ka luajtur rol shumë të vogël në vendimet e qytetarëve amerikanë se për kë të votojnë në këto zgjedhje. Prandaj veprimet e administratës së ardhshme jashtë Amerikës pak do të kenë prioritet. Amerikanët mesatarë aq e kuptojnë kompleksitetin e krizave nëpër botë, saqë besojnë se Trumpi, për shembull, vërtet për 24 orë do ta ndalë luftën në Ukrainë. Kjo deklaratë e tij në fushatën zgjedhore është dukur sikur ndonjë reklamë për ndonjë prodhim magjik, i cili heq njollat për disa sekonda.

Dhëntë Zoti dhe të shohim vërtet më 21 janar 2025, kur të kenë kaluar 24 orë nga betimi i Trumpit si presidenti i 47-të amerikan, të ndalet lufta në Ukrainë dhe të nisë paqja. Se Trumpi do ta ndalë luftën besojnë në Evropë edhe ata liderë politikë, të cilët mendojnë dhe propagandojnë se kjo luftë ka nisur dhe po vazhdon për shkak se Ukraina po mbrohet e jo për shkak se Rusia e ka sulmuar.

Kur është fjala për Kosovën dhe Serbinë, situata është pak më komplekse. Këtu janë krijuar shumë mite rreth asaj që ka bërë administrata e Trumpit në periudhën 2016- 2020. Pa të drejtë mendohet se ideja për ndarjen e Kosovës, përmes të ashtuquajturit shkëmbim territoresh ka qene ide amerikane. Dhe se me kthimin e Trumpit ajo ide do të kthehet. Vërtet që në SHBA atëherë ka pasur gatishmëri për pranimin e një opsioni të tillë. Por hapja e Amerikës për ide të tilla ka ardhur shumë vonë, pasi në Evropë kjo ide kishte fituar mbështetje jo të vogël. 

Sidomos në BE. Bile nuk do të ishte gabim të thuhet se shumica në BE kanë qenë në favor të kësaj ideje. Por, pasi evropianët nuk janë në gjendje të realizojnë asnjë ide, as këtë nuk kishin fuqi ta bënin. Të mos harrojmë se në fillim të mandatit të tij përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell, ishte i hapur po ashtu për idenë e shkëmbimit të territoreve nëse kjo do të ishte dëshira e Beogradit dhe Prishtinës. “Kush jemi ne t’u themi jo, nuk mund të bëhemi më katolikë se Papa”, thoshte atëherë Borrelli. Gjermania, me ndihmën e disa vendeve të vogla në BE, ishte ajo që parandaloi realizimin e një ideje të tillë, ndërsa në Kosovë kundër ishin Lëvizja Vetëvendosje dhe Ramush Haradinaj me partinë e tij, AAK.

Por edhe shoqëria në Kosovë ishte kundër. Aq punohej në BE për realizimin e idesë së shkëmbimit të territoreve, saqë thoshin disa zyrtarë të saj se “jemi shumë afër për ta izoluar Gjermaninë”. Ndërsa zyrtarë të lartë evropianë u thoshin amerikanëve se “kush mendojnë ata se janë”, duke iu referuar Gjermanisë, që pengonte realizimin e një ideje për shkak të së cilës pastaj do të grindeshin se kush e meriton çmimin “Nobel” për paqe.

Amerikanët, të prirë për të kërkuar zgjidhje të thjeshta, e panë këtë ide si mundësi për një marrëveshje të shpejtë në fund të mandatit të Trumpit. Kjo nuk ndodhi, por një marrëveshje u arrit. Edhe pse u nënshkrua në dy letra të ndara, sepse as në Shtëpinë e Bardhë Serbia nuk pranoi të vinte nënshkrimin aty ku është nënshkrimi i Kosovës si shtet. Dhe ajo marrëveshje nuk kishte pothuajse asgjë të keqe. Por, kishte shumë pak gjëra konkrete nga aspekti politik.

Nëse shikojmë katër vjet më vonë, Kosova i ka respektuar disa pjesë të saj, bile më shumë sesa Serbia. Kosova, për shembull, e ka njohur Izraelin dhe e ka hapur ambasadën në Jerusalem. Për një vit nuk ka aplikuar për anëtarësim në asnjë organizatë ndërkombëtare.

Serbia, nga ana tjetër, nuk e ka hapur ambasadën në Jerusalem. Nuk e ka ndalur lobimin kundër njohjeve të Kosovës dhe nuk ka bërë lobim në 69 vende të botës për dekriminalizimin e homoseksualitetit. Për shembull, Serbia ka raporte të shkëlqyera me Iranin dhe nuk dihet se sa ka lobuar Beogradi për të drejtat e homoseksualëve në këtë vend apo në shumë vende të tjera. E kjo ka qenë një pikë e veçantë në Marrëveshjen e Uashingtonit.

Kosova nuk e ka respektuar detyrimin për të mbështetur idenë e “Minichengenit” siç qëndron në letër. Ky proces, për të cilin vetë i dërguari gjerman për rajonin tha se është nismë e Serbisë, u shndërrua në “Ballkanin e Hapur”. Ndërsa nga Kosova kundër ka qenë shumica e madhe e politikanëve relevantë. Madje ish-kryeministri Isa Mustafa e kishte quajtur “ide për krijimin e Jugosllavisë së re”. Para disa ditëve presidenti i Serbisë, Vuçiq, në një TV tha se James O'Brian “Na ka ndihmuar shumë neve dhe Shqipërisë e Maqedonisë së Veriut për ‘Ballkanin e Hapur’”.

Me ardhjen e Bidenit në pushtet, SHBA-ja i mbeti besnike e Marrëveshjes së Uashingtonit dhe kërkoi që ajo të respektohet. Pastaj nisi të mbështeste dialogun e Brukselit dhe këtë e bëri deri në fund. BE-ja kësaj radhe me shumë kënaqësi pranoi angazhimin amerikan pasi ishte një angazhim përmes së cilit kryesisht i bëhej presion Kosovës. BE-ja gati sa nuk i shpalli Kosovës sanksione kur e hapi Ambasadën në Jerusalem, si pjesë të pajtimit me SHBA-në, sepse kjo ishte “në kundërshtim me aspiratat evropiane të Kosovës”. BE-ja më shumë shqetësohej për raportet e mira të Kosovës me SHBA-në sesa për ato të Serbisë me Rusinë e Kinën. Por nën administratën Biden, BE-ja dhe SHBA-ja u pajtuan që t’i shpallin masa ndëshkuese Kosovës e jo Serbisë, punuan së bashku për të mos lejuar anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës (as në Bruksel e as në Uashington nuk preferonin që Kosova të bëhej anëtare pa dërguar draftin e Asociacionit në Gjykatën Kushtetuese), dhe për tensione në veri të Kosovës fajin kryesor ia bartën Kosovës. 

Çfarë ndryshimi mund të sjellë administrata e Trumpit në dialog krahasuar me atë të Bidenit, është pyetje që do të kishte kuptim po të kishim ndonjë rezultat të angazhimit amerikan në katër vjetët e fundit. Krejt çka bëri SHBA-ja gjatë mandatit të administratës Biden ishte mbështetja BE-së për të mos bërë asgjë, apo për të ruajtur status quon-në. Pas katër vjetësh raportet mes Kosovës dhe Serbisë nuk janë aspak më normale sesa që ishin atëherë. Por paparashikueshmëria e veprimeve të Trumpit është sfidë edhe për rajonin, e sidomos për Kosovën. Problem është se BE-ja ndodhet në situatë të paqartë po ashtu dhe s’ka ide si të vazhdojë me dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Se si amerikanët me shumicë aq të qartë dhe aq bindëse mund ta zgjedhin një person si Trumpi për president është dhe duhet të jetë çështje analize për sociologët, filozofët, politologët dhe shumë ekspertë të tjerë.

Ne jashtë Amerikës mund të kemi mendimin tonë, por s’kemi çfarë të bëjmë, thjesht kjo zgjedhje e amerikanëve nuk është ajo që ne i kemi mësuar si vlera amerikane. Në anën tjetër, as në Evropë sot nuk mund t’i shohim qartë ato që i kemi njohur dhe përqafuar si “vlera evropiane”. Është e padrejtë të analizohet se si mund të votojnë amerikanët për Trumpin e të mos analizohet se për kë votojnë holandezët, francezët, austriakët e besa edhe gjithnjë e më shumë gjermanët. Por, nuk janë zyrtarët e Kosovës ata që duhet t’i mbrojnë vlerat amerikane e as ato evropiane. Rikujtimi se cilat janë vlerat amerikane e cilat ato evropiane janë shpesh pjesë të preferuara të bisedave të zyrtarëve Kosovarë me ata të BE-së dhe SHBA-së. Duhet të shikojnë interesat e veta.

Më së paku çka u duhet Kosovës e Serbisë, po ashtu, është që përsëri të ndodhë ndonjë ndasi mes SHBA-së në njërën anë dhe BE-së në anën tjetër, sa i përket rajonit të Ballkanit Perëndimor. Nga kjo pasoja do të kishin vetëm njerëzit në rajon, sepse Amerika, pos në aspektin ushtarak në Kosovë, thjesht nuk ka në dorë të saj asnjë mundësi për të ndikuar shumë. Fundi i fundit, këto vende duan të jenë në BE e aty SHBA-ja mund të ketë pak ndikim, por jo edhe të vendosë. Aq më pak, kur tash ka një president që mendon se të jesh anëtar i BE-së është një çmenduri./Koha

S.B/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    12 Dhjetor, 16:05

    Berishës iu dha zyrtarisht nga gjykata vula e PD, a do të shtohen votat?



×

Lajmi i fundit

Rusia i afrohet qytetit kyç të Ukrainës, teksa Zelensky e viziton vijën e frontit

Rusia i afrohet qytetit kyç të Ukrainës, teksa Zelensky e viziton vijën e frontit