Augustin Palokaj: Nuk duhet harruar pse u desh ndërhyrja e NATO-s

 Augustin Palokaj: Nuk duhet harruar pse u desh ndërhyrja e NATO-s

Foto Ilustruese

Edhe pse kanë kaluar 26 vjet, akoma përvjetori i nisjes së sulmeve ajrore të NATO-s nxit shumë kujtime. Për shqiptarët e Kosovës janë kujtime të përziera. Ata e kujtojnë si nisjen e fundit të terrorit serb mbi ta, por edhe si periudhën e përshkallëzimit të krimeve serbe në terren.

Në anën tjetër, në Serbi, edhe pas 26 vjetësh nuk shihet aspak gatishmëri për të pranuar se përse ndërhyri NATO-ja. Përpjekja e vazhdueshme e Serbisë, pa marrë parasysh se kush është në pushtet, për ta paraqitur ndërhyrjen e NATO-s si një agresion të panevojshëm, është pjesë e mungesës së vullnetit për ta tejkaluar trashëgiminë nga e kaluara.

Serbia në këtë drejtim llogarit edhe në harresën e bashkësisë ndërkombëtare dhe në faktin se gjeneratat e reja në botë nuk e dinë se si dhe përse ndodhi kjo ndërhyrje. Prandaj Beogradi e paraqet veten si viktimë të “agresionit”, ndërsa me asnjë fjalë nuk i përmend arsyet që sollën deri tek kjo ndërhyrje. Nuk vendosi NATO-ja kot e pa asnjë arsye t’i sulmonte forcat e Milosheviqit.

Ndërhyrja e NATO-s ishte rezultat i dështimit të proceseve të stërzgjatura për të gjetur një politikë jo vetëm në rastin e Kosovës, por më herët edhe në atë në Kroaci dhe Bosnjë-Hercegovinë. Ishte një gabim i vazhdueshëm politik në atë kohë i bashkësisë ndërkombëtare që kërkonte për gati dhjetë vjet zgjidhje politike me Milosheviqin, duke llogaritur se diktatori serb ishte bashkëbisedues i duhur.

Rezultati ishte katastrofik. Kroacisë, pas shumë dëmeve dhe viktimave, iu desh ta çlironte vetë tokën e saj të okupuar. Çmimi i agresionit serb në Kroaci vazhdon të ndihet edhe sot, me fusha të minuara që nuk janë pastruar ende dhe me rreth 1.600 të zhdukur, fati i të cilëve nuk është zbardhur.

Marrëveshja paqësore për Bosnjë-Hercegovinën, e arritur në Dayton e me të cilën iu dha fund luftës, e copëtoi këtë shtet dhe i shpërbleu ata që bënë gjenocid me formimin e Republikës Sërpska, duke ua dhënë serbëve pothuajse gjysmën e shtetit me të drejtën që të mbajnë peng çdo hap në atë shtet. Pasojat shihen edhe sot, ku nga entiteti serb vinë thirrje për shpërbërje të Bosnjë-Hercegovinës si shtet, ndërsa shteti është jofunksional.

Ndërsa në rastin e Kosovës u hezitua aq shumë me nisjen e ndërhyrjes ndërkombëtare dhe iu dha hapësirë ushtarëve e paramilitarëve të Serbisë që t’i vazhdojnë pa pasoja krimet e tyre ndaj shqiptarëve.

Para 26 vjetësh, pasi nga Beogradi ishte kthyer duarthatë ish-i dërguari i posaçëm amerikan, Richard Holbrook, dhe i kishte thënë sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Javier Solana, se diktatori Slobodan Milosheviq kishte refuzuar edhe kërkesën e fundit për t’i dhënë fund fushatës së pastrimit etnik të shqiptarëve në Kosovë, NATO-ja e dha urdhrin aktivizues dhe nisën sulmet ajrore të kësaj aleance.

Me ndërhyrjen në Kosovë, NATO-ja e mbajti premtimin ndaj popullatës shqiptare dhe ndaj atyre liderëve që kishin pranuar kompromisin e Rambouilletit. Mbajti edhe fjalën kërcënuese dhënë Milosheviqit se nëse nuk e pranon atë marrëveshje, nëse nuk dëshmon gatishmëri për ta ndalur dhunën ndaj shqiptarëve dhe tërheqjen e forcave serbe, do të pasojë ndërhyrja ushtarake.

NATO-ja përballej me humbjen e madhe të kredibilitetit të saj, ndërsa Milosheviqi sikur nuk besonte se do të vinte deri tek ndërhyrja. Në një mënyrë, NATO-ja me këtë ndërhyrje deshi edhe t’i përmirësonte gabimet që i kishte bërë duke hezituar aq gjatë që të ndërhynte.

Nuk i ka bërë NATO-ja krimet në Prekaz, Reçak, Izbicë, Padalishtë dhe Krushë. Nuk i ka futur NATO-ja nëpër frigo trupat e shqiptarëve të vrarë për t’i dërguar në Serbi dhe për t’i varrosur nëpër varreza masive atje, në përpjekje për të fshehur gjurmët e krimeve.

Këto krime nuk mund të harrohen dhe nuk guxojnë të harrohen. Serbët, sa herë që dëgjojnë arsye dhe teori konspirative për ndërhyrjen e NATO-s, nga “rrethanat e pafavorshme ndërkombëtare” e deri tek “dëshira për të mbuluar skandalin e Bill Clintonit me Monica Levinski”, le të ndalen pak dhe të mendojnë për mijëra viktimat civile shqiptare që u vranë në prag të shtëpisë, për mbi një milion të dëbuar nga shtëpitë e tyre, qindra apo mijëra viktima të bartura në Serbi dhe të rivarrosur në varreza masive nëpër Serbi.

Ndërhyrja e NATO-s ishte për t’u dhënë fund këtyre krimeve e jo për të dënuar dikë. Dhe po ashtu, ishte ndërhyrje për të mos e lejuar përsëritjen e gjenocidit të përmasave të Srebrenicës, ku para 30 vjetësh u masakruan mbi 8.000 meshkuj boshnjakë për vetëm disa ditë.

Do të ishte ideale sikur të mos kishte pasur nevojë për ndërhyrjen e NATO-s. Por ishte Serbia ajo që nuk la asnjë mundësi tjetër. Dhe, ndonëse Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si vendi kryesor i NATO-s, ishin në krye të këtij operacioni për ndërhyrjen e NATO-s, për të u pajtuan të gjitha vendet anëtare dhe në to morën pjesë edhe vendet evropiane. Në atë kohë kishte mbështetje të fuqishme edhe të popullatës evropiane për atë ndërhyrje, sepse ishin të vetëdijshëm se agresionit të tillë dhe krimeve të Serbisë duhej dhënë fund në një mënyrë./Koha 

S.B/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 26 Mars, 08:02

    Sa të rëndësishme janë zgjedhjet e 11 majit për integrimin në BE?



×

Lajmi i fundit

Kultivoi kanabis dhe iu gjet kallash në banesë në 2024, pranga 45-vjeçarit në Kukës! Droni 'kapi' parcelat me drogë (VIDEO)

Kultivoi kanabis dhe iu gjet kallash në banesë në 2024, pranga 45-vjeçarit në Kukës! Droni 'kapi' parcelat me drogë (VIDEO)