VJENË- Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, dhe homologu i tij iranian, Mohammad Javad Zarif, do të takohen sot në Vjenë për t'u përpjekur të avancojnë negociatat ndërkombëtare mbi programin bërthamor të përfolur të Teheranit, njoftoi një diplomat amerikan.
Ky do të jetë takimi i katërt ballë për ballë mes dy ministrave që prej të enjtes në kryeqytetin austriak, dhe i pari për ditën e sotme, vetëm dy ditë nga data përfundimtare për të arritur një marrëveshje historike mbi bërthamoren iraniane. Bisedimet e tyre zhvillohen nën mbikqyrjen e negociatores evropiane, Catherine Ashton.
Fillimisht, John Kerry, u takua në kryeqytetin austriak me homologun e tij gjerman, Frank Walter Steinmeier. Ky i fundit gjykoi se ishte momenti i së vërtetës për fuqitë e mëdha (SHBA, Rusi, Kinë, Francë, Britani e Madhe dhe Gjermani) dhe Iranin për të arritur deri të hënën një marrëveshje mbi programin bërthamor të Teheranit.
John Kerry gjithashtu pranoi, sikturse kishte bërë të premten në Shtëpinë e Bardhë, Londër dhe Pais se ka ende divergjenca të mëdha dhe të forta me Iranin.
"Ne po punojmë fuqishëm dhe ne shpresojmë se mund të bëjmë progres", komentoi sekretari amerikan i Shtetit, duke refuzuar që të hyjë në detaje.
Irani dhe fuqitë e mëdha ishin me krahët pas murit të shtunën në Vienë për të arritur një marrëveshje historike mbi programin bërthamor të Teheranit para datës përfundimtare, të gjitha palët pranuan se janë ende shumë larg objektivit përfundimtar./ATSH/