MAQEDONI - Një aksident tragjik është shënuar mbrëmjen e kësaj të mërkure në Maqedoni, ku për pasojë humbën jetën 13 persona, ndërsa 29 të tjerë mbetën të plagosur. Aksidenti i rëndë rrugor ndodhi në kilometrin e shtatë të autostradës Shkup-Tetovë, ku autobusi me pasagjerë është përmbysur pas disa rrokullisjeve në rrugë.
Është dashur ndërhyrja e ekipeve të emergjencës për nxjerrjen e pasagjerëve të tjerë nga autobusi të cilët kishin mbetur të bllokuar.
Në vendin e ngjarjes kanë shkuar forca të shumta nga ekipet mjekësore, policia dhe zjarrfikëse. Shtatë nga udhëtarët kanë ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, ndërsa të tjerët nuk mundën t'i mbijetonin plagëve pavarësisht ndihmës së marrë në Qendrën Klinike të Shkupit. Sipas dëshmitarëve thuhet se shkak i aksidentit është bërë çarja e gomës së autobusit, duke bërë që mjeti të përfundonte në korsinë tjetër të autostradës.
Në një deklaratë të prokurorit Publik përgjegjës nga Prokuroria Publike Shkup dha detajet mbi këtë aksident të rëndë, ku tha se hetimet do të nisin të enjten.
“Sipas informacioneve të para nga hetimi, aksidenti ka ndodhur pasdite kur autobusi i kompanisë “Durmo Turs” me targa të Gostivarit ka kaluar mburojën e hekurt në anën e kundërt të autostradës, më pas ka dalë nga rruga dhe është rrokullisur në afërsi të fshatit Llaskarcë. Në drejtim të vërtetimit të aksidentit, Prokurori Publik do të lëshojë urdhër për obduksion të personave të vdekur, si dhe kontroll të jashtëzakonshëm teknik të makinës. Gjatë mbrëmjes do të sigurohet vendi i ngjarjes, ndërsa hetimi dhe nxjerrja e autobusit do të vazhdojë gjatë ditës së nesërme. Shoferi i autobusit është hospitalizuar, ndërsa nga ana e prokurorit publik është lëshuar urdhër për analizë të gjakut dhe urinës”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë.
Kryetari i Komunës së Gostivarit tha se gjendja e shoferit është relativisht e mirë, ndërsa shumica e pasagjerëve ishin nga qyteti i Gostivarit.
“Gjendja e shoferit është relativisht e mirë. 35 pasagjerë janë pranuar në spitalin 8 shtatori, 5 prej tyre kanë ndërruar jetë, ndërsa 5 janë në gjendje kritike. 5 pacientë janë pranuar në Qendrën Klinike, 2 prej të cilëve janë në gjendje kritike ndërsa 3 të tjerët në gjendje stabile”, deklaroi kryetari i Komunës së Gostivarit, Arben Taravari.
Kryeministri i vendit, Zoran Zaev ka shprehur ngushëllimet për familjarët e 13 viktimave të aksidentit tragjik. Zaev përmes një postimi në rrjetin social Facebook shprehet i pikëlluar, ku ndër të tjera shkruan se dhimbja dhe pikëllimi nuk mundë të maten dhe nuk ka fjalë që mund të ngushëllojë aksidentin e rëndë që ishte fatal.
“Dhimbja dhe pikëllimi nuk mundë të maten dhe nuk ka fjalë që mund të ngushëllojë aksidentin e rëndë që ishte fatale për shumë nga bashkëqytetarët tanë.Ngushëllime deri tek me të dashurit e tyre.Po mobilizojmë të gjitha forcat dhe kapacitetet për të ndihmuar të gjithë të tjerët që janë në rrezik për jetë në mënyrë që sa më shpejtë të kthehen tek të dashurit e tyre”.
Mediat maqedonase kanë publikuar edhe emrat e personave që kanë mbetur të plagosur, ndërsa mësohet se katër prej tyre janë në gjendje më të rëndë dhe po luftojnë për jetën.
1. Nikoll Karanfillovski
2. Mersem Neziri
3. Esat Emrulli
4. Jasmina Stojanova
5. Betim Ameti
6. Antonio Antonievski
7. Alajdin Shabani
8. Dushan Stefnovski
9. Lulzim Dalipi
10. Manuel Trifunovski
11. Muhamed Shishko
12. Verica Stojanovska
13. Serije Mustafi
14. Aliçe Uzeir
15. Goran Naumovski
16. Demira Ali
17. Seda Jusufi
18. Jeton Ismaili
19. Vjollca Ibraimi
20. Halit Useini
21. Miçi Fikiri
22. Jasin Sejfuli
23. Fikrije Stefan
24. Jovana Gramatikova
25. Abaz Kasmi Ferdi
26. Ilija Ristovski
27. Dilala Alili
28. Abdul Ismaili
29. Lujam Alili