Autoritetet vendore dhe qendrore janë tërhequr nga vendimi për të larguar nga hotelet e Shëngjinit banoret e Thumanës, të cilët kanë ngelur të pastrehë pas tërmetit të 26 nëntorit. Afati për të qëndruar në hotele ishte deri në datë 3 janar, për të kaluar më pas në banesat me qira, që do të subvencionohen nga shteti për të gjithë të prekurit që janë akomoduar në këto struktura.
Por duke qenë se jo të gjithë banorët e Thumanës kanë gjetur banesat me qira, vendimi për qëndrimin e tyre në hotel është shtyrë. Nga një mijë banorë që ndodhen në hotele në Shëngjin, 120 prej tyre nga Thumana që kanë plotësuar procedurat u ishte kërkuar që nesër të dilnin, por ata kanë bërë rezistencë duke mos pranuar. Përballë kësaj situate, kryetari i bashkisë së Krujës, Artur Bushi, sipas banorëve ka qenë mbrëmë në hotelin ku janë vendosur në Shëngjin duke u garantuar se do të vijojnë që të qëndrojnë deri kur të gjejnë shtëpitë me qira.
Konfirmimi ka ardhur nga vetë banoret të cilët për Report Tv shprehen se kanë marrë premtimin nga kryebashkiaku se do të qëndrojnë në hotele deri në sigurimin e banesave me qira. Por sipas banorëve sigurimi i banesave është një mision i vështirë, pasi tregu i qirave është rritur. Qiraja e miratuar nga bashkia është 3 mijë lekë për person në muaj. Ata i kanë kërkuar kryetarit të bashkisë që të rishikojë vendimin, ndërsa kanë marrë miratimin e tij. Përpos çmimit problem është edhe gjetja e shtëpive me qira. Tashmë mbetet për t'u parë se si do të veprohet më banorët e tjerë nga qytetet që u prekën nga tërmeti dhe u sistemuan në hotele.
Mungesa e gjetjes së një shtëpie me qira (që do të subvencionohet nga shteti) detyroi autoritetet lokale të Krujës që të shtyjnë vendimin për largimin e banorëve të Thumanës nga hoteli në Shëngjin. Njëra prej banoreve, Dava Gjergji tregoi për Report Tv bisedën me kryetarin e bashkisë dhe premtimin që morën nga ai. "Mbrëmë kryetari i bashkisë na tha, mundohuni gjeni banesën dhe merrni bonusin. Nuk kam mundësi, i thashë edhe kryetarit, nuk kujt me i shkuar brenda. Jam tetë vetë nuk kam kujt me i shkuar brenda me vdekur. Nuk ka thënë kush për të dalë nesër, nuk na kanë caktuar një ditë. Fillimisht na thanë me firmosur një bonus për të dalë, nuk kishim informacion të saktë, kryetari na e bëri më të qartë, na tha bonusi nuk është sa u kanë thënë, por do të jepet sipas anëtarëve të familjes dhe sipas metrave të banesës që keni pasur. Vështirësia ime është se nuk mundem me gjetur banesë vetë" tha ajo.
"Nëse na nxjerrin, të shkoj të marr fëmijën dhe të mbytem në det. Nuk kam ku të shkoj, jam vetë i tetë. Nëse nuk mundeni me gjetur ju shtëpinë na tha (kryetari) do ta gjej unë për ju" tha një banore për Report Tv. "Nuk e di cfarë do të bëhet për ne, burrin e kam invalid, edhe vetë ashtu jam. Burrin e kam në spital në Shkodër. Kam dy kalamaj, shtëpinë me qira nuk kam mundësi të kërkoj ta gjej, jam në hall, jam me probleme. Ndoshta ka, por unë nuk kam mundësi të dal të kërkoj" tha një tjetër banore. Një tjetër u shpreh se "Jam vetë i pestë, vajzën e kam çuar te i fejuari. Nesër në mëngjes kryetari i bashkisë na ka thënë dilni dhe kërkoni për shtëpi te të afërmit tuaj. Ku të shkoj unë te vëllai? Burrin nuk e kam, jam me pesë kalamaj, kam tre vajza, djali i madh shkon në Tiranë dhe paguan 250 mijë lekë qira, ku jam u e zonja të shkoj atje? Kurohem për diabet, ku ti marr lekët për ilaçet? As asistencë nuk kam". Kjo situatë detyroi kryetarin e bashkisë që të shtynte vendimin për largimin e tyre nga hoteli.
Murgesha Mariglena Gjoni e cila po asiston si psikologe thotë se gjendja e këtyre banore është shumë e rëndë, madje ka dhe prej atyre që kanë menduar ti japin fund jetës. "Ajo që shoh është jo thjeshtë shkatërrimi i një shtëpie, por i një shprese, nuk dinë ku do të gdhihen. Banorët e Thumanë janë problem, pasi kanë edhe traumën e personit të vdekur, të familjarëve, etj. Por edhe të tjerët nuk janë më pak. Fëmijë, adoleshente, janë me rrezikshmëri të lartë për vetëvrasje.
Disa më kanë thënë kam tentuar të vras veten disa herë. Është një problem jo pak i vogël, për të thënë dramatik është pak. Kush dëgjon, të vendosë dorën në zemër. Thirrje shtetit dhe qytetarëve; mos ngrini idenë se sa do të marr për qiranë, mos përfitoni nga situata. Duhet të vendoseni në vendin e tyre, ku i dihet si vjen fati nesër. Ju lutem dëgjoni ankthin dhe britmën e tyre" thotë motër Mariglena Gjoni.
Mire eshte qe te nisin ndertimet sidomos ne Thumane, ku ka veshtiresi per te gjetur shtepi me qera.Nuk duhet pritur te dalin vleresimet mbi demtinet nga termeti.Koha nuk pret se eshte dimer ,dhe eshte tejet e veshtire per te perballuar dimrin.Qeveria te caktoje firmat dhe te filloje ndertimi dhe te mos pritet konferenca e donatoreve.Ne flasim nga larg por shpirti u tyre e dine se cfar heqin.Bravo fondacioneve qe kane nisur ndertimet.
Përgjigju