Autoriteti i Dosjeve: 25 kërkesa për të zhdukurit e diktaturës, s’ka dokumente

Autoriteti i Dosjeve: 25 kërkesa për të zhdukurit e diktaturës, s’ka dokumente

Gentiana Sula

Ndërkohë që pritet Nënshkrimi i Marrëveshjes mes Qeverisë Shqiptare dhe ICMP* për kërkimin, gjetjen dhe identifikimin e të zhdukurve, kryetarja e Autoritetit të Dosjeve (AIDSSH) Gentiana Mara Sula deklaron se gjetja e dokumentacionit për të zhdukurit dhe të pushkatuarit nga diktatura është e pamundur.

Kjo deklaratë e saj bëhet edhe më bindëse për arsye se zonja Sula nuk ka munduar të gjejë dot, as eshtrat e gjyshit të saj...!  Gentiana Mara Sula ka shkruar një status në Facebook ku citon se:  “Në periudhën 1944-1991, në Shqipëri rreth 5 mijë individë janë ekzekutuar me vdekje, pjesa më e madhe e tyre me vendim gjykate por, disa prej tyre janë ekzekutuar pa një vendim gjyqësor. Trupat e tyre nuk i janë kthyer kurrë familjeve të tyre për t’i varrosur, në të kundërt ata janë varrosur në vende të pashenjuara përgjatë territorit të vendit. Ekzistojnë gjithashtu, shumë dëshmi se qindra të burgosur politikë kanë vdekur në burgje dhe kampet e punës për shkak të torturave dhe për shkaqe të tjera – trupat e tyre rezultojnë ende të pagjetura.

Gjyshi im Sulejman Mara është një prej tyre. Ai në moshën 45 vjeçare vdiq për arsye të paqartë në burgun e Burrelit dhe ende nuk ka një varr ku mund të shkojmë të vëmë një lule.”, deklaron kryetarja e instiucionit të dosjeve (AIDSSH).

Gentiana Sula edhe pse është në krye të Autoritetit të Dosjeve që nga themelimi i institucionit që ka për detyrë Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit nga viti 1944-deri më 1991, e ka të pamundur të gjejë gjurmët e gjyshit të saj të zhdukur pa asnjë shenjë nga diktatura komuniste. Ka si kujtim vetëm një foto të zverdhur nga koha të të ndierit Sulejman Mara, të cilin e kujton në çdo vit me rastin e përkujtimit të të zhdukurve.

Një vit më parë ajo ka postuar foton e tij dhe ka shkruar: “Në këtë foto është Sulejman Mara, gjyshi ynë i paharruar. Ai vdiq 45 vjeç në rrethana të paqarta dhe ende nuk ka një varr ku t’i vendosim lule. E vendosim sot këtë foto të tij si foto profili, në Ditën e të Zhdukurve, të gjithë ne nipër dhe mbesa, në shenjë nderimi dhe kujtese”,  ka shkruar Sula.

Kush ishte Sulejman Mara
Sulejman Mara vdiq në vitin 1954 në rrethana të panjohura në burgun famëkeq të Burrelit në Shqipëri. Ai ishte 44 vjeç. Trupi i tij nuk u gjet kurrë. Pas Luftës së Dytë Botërore, ashtu si shumë të tjerë, Sulejman Mara u shënua si armik i komunizmit që në atë kohë po instalonte pushtetin në Shqipëri, u shenjua si një person i padëshiruar për shtetin totalitar që kishte nisur t’i luftonte me shumë zell kundështarët e tij.

Pas rënies së komunizmit Sulejman Mara konsiderohet si ish i përndjekur politik. Gentiana Sula, Kryetare e Autoritetit të Dosjeve shprehet se: “Sulejman Mara është gjyshi që nuk e kam njohur kurrë, një viktimë që meriton drejtësi, një person, fati i të cilit - si ai i mijëra të tjerëve - duhet të sqarohet për hir të tij familjes dhe për hir të shumë familjeve të tjera.”

Sula: Dokumente pa inventar, arkivat e SHISH, MB, DPA sjellin vonesa
Më shumë se 20 vjet pas rënies së regjimit komunist, nuk ka një numër të saktë të personave që u zhdukën midis viteve 1945 dhe 1991. Të dhënat zyrtare për personat e zhdukur dhe për viktimat e burgosura ose të ekzekutuara me gjyq ose pa gjyq nuk janë të plota. Trupat e tyre kurrë nuk u kthyen në familjet e tyre për varrim. Përkundrazi, ata u varrosën në varre masive të pashënuara pranë qendrave të shumta të famshme të paraburgimit, burgjeve dhe kampeve të punës që ekzistonin në të gjithë vendin.

Gjatë pesë viteve të fundit autoritetet shqiptare kanë bërë përpjekje për të trajtuar çështjen e personave të pagjetur. Në vitin 2010 u zbulua një varr masiv pranë malit të Dajtit dhe autoritetet gjetën mbetjet e 13 individëve. Megjithatë, për shkak të mungesës së kapacitetit teknik, këto mbetje ende nuk janë identifikuar.

Sipas deklaratave publike të Autoritetit të Dosjeve, në vitin 2015 ICMP mori një ftesë zyrtare nga Qeveria Shqiptare për për të diskutuar perspektivat e ndihmës së mundshme për Qeverinë Shqiptare në zgjidhjen e çështjes së personave të zhdukur nga regjimi i mëparshëm komunist.  Gjatë këtyre viteve, ende kërkesat për të gjetur dokumentet e personave të zhdukur nuk kanë marrë dot përgjigje.

Arsyeja pse nuk gjenden dokumentet, sipas raportit zyrtar të Autoritetit të Dosjeve, të paraqitur nga drejtoresha e institucionit Gentiana Sula, lidhet me vështirësitë e problematikat me të cilat është përballur, ku deklarohet se “gjendja e dokumentacionit arkivor, jo i gjithë i inventarizuar dhe i përpunuar sjell vonesa në marrjen në dorëzim dhe dhënien e përgjigjeve. Po ashtu, vendosja e fondeve arkivore të ish-Sigurimit të Shtetit në ambiente të ndryshme, fondi arkivor pranë SHISH, MB, DPA dhe pranë zyrave të AIDSSH, sjell vonesa. Sa i takon dekodifikimit të disa prej dosjeve të bashkëpuntorëve, vështirësohet për shkak të mungesës fizike të dosjeve dhe të mungesës së personelit për të zhvilluar metoda dhe mjete të tjera kërkimi. Nga ana tjetër, mungesa e ambienteve për ushtrimin e veprimtarisë së institucionit, i cili është vendosur në 8 zyra brenda ambienteve të Gardës së Republikës së Shqipërisë, për shkak të mungesës së plotë të fondeve financiare për rikonstruksionin e godinës.”, shkruhet ne raportin zyrtar, ku përveç problemit të sipërpërmendur Autoriteti i Dosjeve raporton se:

“Një vit më pas, ende nuk është bërë plotësimi i strukturës së miratuar për shkak të mosmiratimit nga Ministria e Financave.

Është hasur pamundësi për gjetjen e dokumentacionit mbi fatin e personave të zhdukur apo të pushkatuarve me ose pa gjyq, që nuk u dihen vendvarrimet (25 kërkesa), kur ka një interes të shtuar te publiku, partnerëve dhe faktorit ndërkombëtar, duke gjetur vetëm në një rast procesverbalin e ekzekutimit”.

Kërkimi i të zhdukurve të diktaturës, shpresat nga qeveria dhe ICPM
Pas kësaj gjendjeje të pashpresë të gjetjse së eshtrave ose varreve të zhdukurve nga diktatura,  duket se Kryetarja e Autoritetit e sheh dritën jeshile tek Nënshkrimi i Marrëveshjes mes Qeverisë Shqiptare dhe ICMP për kërkimin, gjetjen dhe identifikimin e të zhdukurve.

Ditën e premte Autoriteti i Dosjeve ka bërë një deklaratë publike ku lajmëron se: “Në vigjilje të nënshkrimit të marrëveshjes mes Qeverisë Shqiptare dhe ICMP për kërkimin, gjetjen dhe identifikimin e të zhdukurve gjatë diktaturës, kryetarja Sula u takua me ekipin e ICMP për Ballkanin Perëndimor znj. Samira Krehic, Zv/Udhëheqëse e Programit, Diana Sarzinski, bashkërenduese e mjekësise ligjore dhe z. Ylber Morina e z. Luigj Ndou, zyrtarë të lartë. Arkivat kanë rol të rëndësishëm për plotësimin e informacionit aq të rëndësishëm në këtë proces dhe natyrisht angazhimi maksimal dhe bashkëpunimi me çdo institucion që ka rol në këtë proces kaq vital, nuk do mungojë.”, shkruhet në këtë lajamërim zyrtar, ku burime të institucionit pohojnë se vednimi për nënshkrimin e kësaj marrëveshjeve mund të shpallet në VKM-në e kësaj të mërkure. 
Shënim: ICMP*International Commission on Missing Persons (Komisioni Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur)
 

 

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • ZOTI.: 22/04/2018 23:14

    Genjen per tejustifikuar zhdukjet e dosjeve NGA GRAMOZ RUCI.PSE U BE 97 KOT ?? XHUFI ESHTE NJE NGA STIMULUESIT

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Presidenti Bajram Begaj uron Krishtlindjet nga Mitropolia e Beratit: Ditë e shenjtë që simbolizon paqen, të reflektojmë për vlerat e njerëzimit dhe dashurinë!

Presidenti Bajram Begaj uron Krishtlindjet nga Mitropolia e Beratit: Ditë e shenjtë që simbolizon paqen, të reflektojmë për vlerat e njerëzimit dhe dashurinë!