Mungesa e mbikalimeve dhe nënkalimeve detyron banorët bashkë me bagëtitë të kalojnë përmes autostradës Levan-Tepelenë, duke krijuar situata të vazhdueshme rreziku. Po aq problematike mbetet edhe shpejtësia e lartë e mjeteve, si dhe hyrje-daljet që lidhin fshatrat me aksin kryesor.

Përgjatë kësaj autostrade, në fshatrat Kafaraj, Cakran dhe Frakull, banorët thonë se mungojnë kalimet e sigurta.

“Është problem sepse të gjitha tokat bujqësore, më të shumtat janë në autostradë. Njerëzit ikin në punë, kalojnë bagëti. Është e nevojshme të ishte një nënkalim.”

“Kjo rruga është problematike se s’ka rrethrrotullim dhe kanë humbur jetën disa njerëz”, thonë banorët.

Edhe Policia Rrugore e Fierit e konsideron këtë aks ndër më problematikët.

Drejtuesit e mjeteve lëvizin me shpejtësi mbi normat e lejuara dhe kryejnë parakalime të rrezikshme. Situata bëhet edhe më shqetësuese gjatë sezonit veror, kur trafiku drejt jugut të vendit rritet ndjeshëm.

“Ky aks rrugor ka problematikë të shtuar për aksidentet. Normat e sigurisë rrugore, lëvizin pa rrip sigurimi apo bëjnë manovra të gabuara”, thotë shefi i qarkullimit Rustem Plaka.

Ndërsa për mungesën e mbikalimeve dhe nënkalimeve, ai thotë se problematika i është referuar Autoritetit Rrugor Shqiptar.

Përgjatë autostradës Levan–Tepelenë, lapidarët e ngritur në vendet ku njerëzit kanë humbur jetën janë dëshmi e tragjedive të ndodhura ndër vite.