TIRANE - “Kam ardhur në Shqipëri për turizëm dhe i mohoj të gjitha akuzat që më bëni”. Ky është qëndrimi i mbajtur nga piloti italian Giorgio Riformatto pranë Gjykatës së Apelit të Krimeve të Rënda ku ai doli sot sëbashku me avokatin e tij duke kërkuar ndryshimin e masës së së sigurisë nga “arrest me burg” në “hetim në gjendje të lirë”. Paçka kërkesës dhe pretendimit të Riformatos, gjykata vendosi ta lërë atë në burg deri në përfundim të hetimeve.

Në seancën e sotshme në Gjykatën e Apelit të zhvilluar me dyer të mbyllura, piloti italian kishte kërkuar lehtësim të dënimit për shkak të probleme shëndetësore, ndërsa i ka qëndruar sërish dëshmisë së tij duke mospranuar akuzat për trafik droge, por se sipas tij ka ardhur për turizëm në Shqipëri.

Ndërkohë që i akuzuari tjetër, trafikanti shqiptar Saimir Bajrami në dëshmirë e tij, ka treguar të gjithë skemën e trafikut të drogës nga ajri. Ndërsa avokati i Riformatos, Ramazan Topuzi u shpreh se dëshmia e Bajramit nuk ka të bëjë fare me klientin e tij, ndërsa ka shtuar se ai dhe klienti i tij do të kërkojnë rekurs të vendimit.

Në dëshmiën e dhënë përpara trupës gjykuese, piloti italian Giorgio Riformato është shprehur se nuk ka lidhje me trafikun ajror të drogës, por se ishte në Shqipëri në turizëm. Arsyen e uljes së tij në Divjakë e ka arsyetur me idenë e një defekti të aeroplanit që ai po pilotonte. Nga ana tjetër shqiptari Saimir Bajrami ka treguar gjithë skemën e trafikut të drogës, ndërsa ka pranuar se droga me të cilën ai u kap, ishte bërë gati për tu ngarkuar në avionin e pilotit italian dhe më pas të trasnportohej në Leçe.

Giorgio Riformato u arrestua më 10 maj, pas rrëzimit të avionit të tij në Divjakë i akuzuar për trafik të lëndëve narkotike pasi pranë tij u arrestua shqiptari Saimir Bajrami në makinën e të cilit u gjetën të paketuara 460 kg marijuanë.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)