TIRANË- Kreu i Dhomës së Avokatisë, Maksim Haxhia kërkon që të bëhen pjesë e paketës financiare edhe avokatët.

Me anë të një letre, siguruar nga gazetari i Report Tv, Arsen Rusta, drejtuar ministres së Shëndetësisë, Ogerta Manastiliu, Haxhia shprehet se të dëmtuar ekonomikisht nga kjo situatë e krijuar nga COVID-19 janë edhe avokatët për shkak se janë mbyllur gjykatat, e për pasojë edhe ato duhet të përfitojnë ndihmë ekonomike.

"Në urdhrin tuaj për lejimin apo ndalimin e ushtrimit të veprimtarisë së biznesit nuk cilësohet kategoria e avokatëve. Ne mendojmë se në këtë betejë të madhe, ku është përfshirë i gjithë populli ynë, edhe avokatët janë pjesë e pasojave financiare që kanë lindur si për çdo biznes. Referuar vendimit të KLGJ, me anë të cilit pezullohen të gjitha proceset gjyqësore  me përjashtimet e përcaktuara në të (masat e sigurimit), faktikisht gjykatat dhe prokuroritë rezultojnë pa veprimtari. Sikurse dihet që veprimtaria e avokatëve është tërësisht e lidhur me gjykatat dhe prokuroritë, de facto është pezulluar edhe veprimtaria e avokatëve", shkruhet në letrën që mban datën 30 mars.

Të gjitha proceset gjyqësore do të jenë të pezulluara deri më 7 prill, për shkak të situatës së krijuar nga COVID- 19,  për rrjedhojë, Haxhia në emër të avokatëve kërkon që të jenë edhe ato pjesë e vendimit të Këshillit të Ministrave (VKM) ku përcaktohen kategoritë përfituese të ndihmës financiare.

Letra e avokatëve drejtuar ministres së Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu