Pa gjumë nga seanca plenare dhe i shqetësuar për Kodin e ri Zgjedhor, avokati i familjes Berisha, Genc Gjokutaj, një prej anëtarëve me të rëndësishëm të kryesisë së Ilir Metës, ka bërë një postim në orën 02.00 të mëngjesit, i cili ka kushtuar probleme me drejtësinë.

Avokati Gjokutaj ka shprehur jo vetëm ndjesinë e tij për të vrarë hajdutët që ndihmojnë pushtetin siç thotë ai – por i bën thirrje shqiptarëve të ngrenë armën ndaj patronazhistëve dhe të rrahin policët

“Shqiptarë që e doni Shqipërinë dhe jo që dini shqip. Dilni nga shtëpitë sot. Thyeni çdo sportel që ju kërkon shpirtin. Rrihni çdo polic që mbron hajdutët. Vrisni çdo patronazhist që ju vjedh të ardhmen dhe familjen. Vetëm kështu shqiptarët mund të bëhen zotërinj dhe Shqipëria Zonjë”.- shkruan Gjokutaj.

Ky postim kërcënues i publikuar edhe në media me çudinë e një deklarate kaq të rëndë, solli reagimin e menjëhershëm të policisë, e cila njoftoi se ka kërkuar në Prokurorinë e Tiranës hetimin e avokatit për thirrje publike për veprime të dhunshme.

'Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Kibernetike në DVP Tiranë, kanë referuar materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, në ngarkim të shtetasit G .Gj., me profesion avokat, për veprën penale “Thirrjet publike për veprime të dhunshme“, parashikuar nga neni 223 i Kodit Penal. Procedimi ndaj këtij shtetasi filloi pasi gjatë monitorimit të vazhdueshëm të burimeve të hapura të informacionit nga ana e Sektorit për Hetimin e Krimeve Kibernetike, është konstatuar një postim, i publikuar nga shtetasi G. Gj., i cili bën thirrje për të kryer veprime të dhunshme, postim ky i cili konstatohet se është publikuar dhe në media të ndryshme online.'- njofton policia.

Pasi u njoftua se ka nisur procedimi ndaj tij për thirrjet e dhunës, avokati Genc Gjokutaj ka publikuar një tjetër status, në përpjekje për t’u shfajësuar. Sipas tij, thirrjet për dhunë ishin metaforike.

 ‘Me thyeni çdo sportel qe ju merr shpirtin, nënkuptova kundërshtimin ndaj administratës së korruptuar në abuzimin me fondet publike, ndërsa me rrihni çdo polic që mbron hajdutët, kundërshtimin dhe mosbindjen civile ndaj shtetit që merr në mbrojtje hajdutët”, shkruan avokati i ish-kryeministrit, që thekson më tej se “asnjëherë nuk ka shkelur ligjin.’- shkruan Gjokutaj.

Të njëjtën ndjesi për të vrarë e shfaqi pak ditë më parë një tjetër njeri i afërt i Metës e Berishës, Adriana Kalaja që udhëheq protestat para bashkisë së Tiranës

Edhe ndaj saj ka nisur një hetim, por para hetuesve ajo tha se donte të ironizonte disa shkrime kundër saj në media për një foto ku shfaqet me armë.

Genc Gjokutaj ende nuk është marrë në pyetje nga grupi hetimor, por ‘shfajësimi’ i parë që bëri për të lehtësuar pozitën e tij ligjore, ishte të modifikonte postim në Facebook dhe të vinte thonjëzat në thirrjen “Vritini” patronazhistët, ndërsa për rrahjen ndaj policëve nuk duket i penduar.

Postimi i plotë i Gjokutaj në rrjetet sociale

Postimi i modifikuar nga Gjokutaj