Tirane-  Arrestimi i Ilir Metës do të jetë objekt i hetimit administrativ nga institucioni i Avokatit të Popullit.

Avokati i Popullit ka regjistruar rastin për të hetuar administrativisht veprimet e Policisë së Shtetit në zbatimin e urdhrit të ekzekutimit të masës, nga Forcat Operacionale më 20 tetor 2024 teksa po udhëtonte me makinë në drejtim të Tiranës. Hetimi do të vlerësojë nëse janë marrë masat e përshtatshme për të garantuar të drejtat e subjekteve gjatë procedurave të arrestimit. Hetimi nuk ka të bëjë me faktin penal apo me domosdoshmërinë e masës, pasi kjo nuk është brenda mandatit tonë mëson shqiptarja.com.

Arrestimi i tij u krye në vendin e quajtur ‘Kthesa e Kamzës’, në zonën e Laprakës.

Ish-presidenti i Republikës, Ilir Meta, po hynte në Tiranë, i kthyer nga një udhëtim që kishte bërë në Kosovë, në momentin që makina e tij u ndalua nga forca të shumta të Operacionales, rreth orës 13:15 minuta të 20 tetorit 2024. Report Tv solli edhe videon ekskluzive të momentit të arrestimit të Metës, ku dallohet si efektivët me maska nxjerrin me forcë nga makina ish presidentin. 

Opozita e quajti 'rrëmbim politik' ndërsa policia dhe ministri i Brendshëm deklaruan se nuk ishte kryer asnjë shkelje por se ekzekutimi i urdhërndalimit ishte i detyrueshëm pasi nëse nuk do të ndodhte do të viheshin para ligjit vetë ata. 

"Shtetasi Ilir Meta ka reaguar në mënyrë refuzuese dhe kundërshtuese dhe ka lëshuar fjalë fyese në drejtim të përfaqësuesve të Policisë dhe Drejtësisë. Bazuar në procedurën e parashikuar nga Rregullorja, ai është nxjerrë nga automjeti dhe shoqëruar forcërisht. Policia e Shtetit nënvizon se përdorimi i forcës për shoqërimin e subjektit u imponua nga kundërshtimi me forcë prej tij  për zbatimin e vendimit të gjykatës që iu komunikua nga punonjësit e Policisë" informoi polici ditën e arrestimit.