Avokati Plarent Ndreca e ka cilësuar rastin e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, si më flagrantin dhe skandalozin në vendosjen e një mase sigurie.

Komentet Ndreca i bëri në emisionin ‘RePolitix’ me gazetarin Denis Minga në Report TV, ku u diskutua për numrin e lartë të të paraburgosurve në vend, ç’ka bëri që për këtë çështje të reagonte edhe KiE.

Ndreca theksoi se në rastin e Veliajt Prokuroria nuk ka asnjë argument për ta mbajtur në paraburgim, teksa shtoi se nuk është marrë parasysh as fakti që ai është kryetari i Bashkisë më të madhe në Shqipëri.

“Është shumë e rëndësishme, gjatë gjithë kohës Prokuroria ka barrën për t’i treguar gjykatës se përse duhet të vijojë ajo masa e sigurimit ‘arrest me burg’, një gjë që nuk zbatohet. Madje kodi i procedurës e ka njëherë në 2 muaj. Prokurori duhet të shkojë para gjykatës dhe të informojë gjykatën pse duhet të rrijë në burg. Kur përmenda rastine Beqjas, por në fakt më skandaloz dhe besoj që është kulmi i arbitraritetit dhe me vendosjen e një mase është rasti i kryetarit të Bashkisë së Tiranës.

Sepse është heqje nga detyra dhe askush nuk ka vlerësuar proporcionalitetin dhe faktin që ky zotëria është drejtuesi i qytetit më të madh të Shqipërisë dhe ka një interes publik për qëndrimin e tij në zyrë. Dhe e kanë hequr nga detyra. I caktuan një masë dhe po bën një vit dhe askush nuk verifikon, para dy ditësh bëri një kërkesë për zëvendësim mase dhe nuk jepen... e di kush ishin argumentat? Argumenti i prokurorisë është ‘sepse zotëria është mbrojtur’.

Pra sipas Prokurorisë ai s’duhet të realizojë as të drejtën për t’u mbrojtur që të ketë mundësi që të dalë jashtë. Pra i thonë ‘ti ke lobuar në Amerikë’ apo ‘ke lobuar me avokatë’. Dhe fakti që ti ke lobuar është shkak për të mbajtur në burg. Dhe kë? Kryetarin e Bashkisë të qytetit më të madh shqipfolës. Dhe unë mendoj se ky është kulmi i abuzivitetit me masën e sigurisë. Por nuk verifikohet çfarë rreziku ka, ose nëse duhet të qëndrojë akoma në paraburgim apo jo”, tha mes të tjerash Ndreca.


Lajmi kryesor:

KiE ngriti ‘alarmin’ për numrin e lartë të të paraburgosurve, Ndreca: Rasti i Veliajt më skandalozi, mbahet në burg pa prova! Karanxha: Shqiptarët po kalben në qeli