Azem Hajdari, një vrasje e paralajmërua

Azem Hajdari, një vrasje e paralajmërua
TIRANE- Për të përkrahur dhe ndihmuar sadopak materialisht refugjatët e parë të ardhur nga Kosova, më 4 qershor 1998, drejt Tropojës, u nis një grup deputetësh dhe përfaqësuesish të lartë të Partisë Demokratike. Mes tyre ishin dhe Azem Hajdari, Pjetër Arbnori dhe Jozefina Topalli. Përpara se grupi i deputetëve të PD-së të nisej drejt Tropojës, shefi i Shërbimit Informativ Kombëtar Fatos Klosi dhe ministri i Brendshëm, Perikli Teta, do ta paralajmëronin Azem Hajdarin që të mos udhëtonte drejt vendlindjes së tij.

Nëpërmjet informatorëve në terren, SHIK-u ishte informuar për rrezikun serioz që i kanosej deputetit demokrat Hajdari, nëse udhëtonte drejt Tropojës. Të njëjtin informacion kishte dhe Ministria e Brendshme. Ministri Teta e njoftoi Hajdarin se policia nuk kishte mundësi t’i garantonte jetën nëse shkonte në Bajram Curri.
Por deputeti i PD-së, lideri i dhjetorit ’90, Azem Hajdari, e refuzoi në mënyrë kategorike paralajmërimin e ministrit të Brendshëm. “Askush nuk mund të më ndalojë të shkoj në vendlindjen time”, ishte përgjigja e Hajdarit.

Fatmir Haklaj kishte dyshime për implikimin e Hajdarit në dy ngjarje. E para ishte vrasja e djalit të xhaxhait, ndihmësgjyqtarit Sokol Haklaj dhe ish-truprojës së Azemit, Ibrahim Rustemi, në urën e Milotit. Ndërsa ngjarja e dytë ishte vrasja e të vëllait Shkëlqimit dhe kunatit, Artur Demiri, në Qafën e Luzhës. Për këtë shkak, Haklaj e kishte fiksuar në objektivin e tij deputetin e PD-së.
 
Atentati
Ajo që ishte paralajmëruar, ndodhi me të vërtetë mbrëmjen e 4 qershorit 1998. Pasi kishin kryer vizitat dhe takimet e rastit në qëndrat e strehimit të refugjatëve, deputetët e PD-së po shpërndaheshin në bazat ku do të kalonin natën në Bajram Curri. Përveç truprojave që i kishin shoqëruar deputetët e PD-së nga Tirana, për sigurinë e tyre duhej të kujdesej në mënyrë të veçantë dhe policia e rendit në Tropojë, shef i së cilës ishte Jaho Mulosmani.

Ai e përmbushi detyrën në shoqërimin e Arbnorit dhe Topallit, por për Hajdarin nuk mori përsipër asgjë. Përkundrazi, e la atë të ekspozuar ndaj çdo rreziku që mund t’i kanosej. Në momentin kur Azem Hajdari dhe shoqëruesit e tij po shkonin në një banesë ku do të kalonin natën, u ndodhën nën breshëritë e armëve. Si rezultat i zjarrit të hapur nga disa persona, u godit fuoristrada ku udhëtonte deputeti Hajdari, por ai shpëtoi pa dëmtime. I vetmi i plagosur nga ky incident ishte gazetari i Televizionit Shqiptar Bardhyl Pollo.
Deputeti i PD-së i kishte mbijetuar pritës, por mesazhi për të ishte mjaft i qartë, sepse plumbat e kallashnikovëve kishin depërtuar brenda fuoristradës së tij. Menjëherë sapo u kthye në Tiranë, Hajdari akuzoi për autorësinë e kësaj ngjarje përfaqësuesit e shtetit në Tropojë.
 
Vrasja
Në orën 21.13 të datës 12 shtator 1998, Azem Hajdari doli nga selia e PD-së krejt papritur dhe me një shqetësim, që e shfaqte haptazi në fytyrë, sipas dëshmitarëve. Dy truprojat e tij, Zenel Neza dhe Besim Cera, ishin të ulur në një lokal para godinës së PD-së dhe, sapo e kanë parë të dalë, i janë bashkuar nga pas, pa e ditur se ku po shkonte. Në momentin që ai ka mbërritur aty ku sot ndodhet memoriali përkujtimor, ka shkëmbyer disa fjalë me Fatmir Haklajn, i cili si zakonisht ishte i veshur me uniformë kamuflazhi dhe në duar mbante një kallashnikov.

Përpara se të dëgjoheshin të shtënat e para, mes Hajdarit dhe Haklajt ka patur një konfrontim fizik. Jaho Mulosmani është futur mes tyre, por ka qenë tepër vonë. Fatmir Haklaj vrau me breshëri automatiku Azem Hajdarin dhe truprojën e tij Besim Cera. Truproja tjetër, Zenel Neza vetëm u plagos.
Në momentin që Haklaj hapi zjarr mbi Azemin, në rrezen e të shtënave të tij ishte dhe Naim Çangu. 29-vjeçari nga Nikla mbylli sytë vetëm pas disa orësh në urgjencën e Qëndrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë.
Në vendngjarje u gjet dhe një pistoletë me silenciator, e cila nuk kishte kryer qitje.
 
Gjykimi
Në vendimin përfundimtar të procesit “Hajdari” është deklaruar se në vendngjarje ka patur qitje nga dy armë: një kallashnikov, me të cilin ka qëlluar Fatmir Haklaj dhe një pistoletë e kalibrit 9 milimetërsh, tip Bereta, me të cilën ka qëlluar Jaho Mulosmani. Haklaj, disa muaj pas ngjarjes, deklaroi se vetëm ai kishte qëlluar mbi Azemin. Askush tjetër nga njerëzit që ndodheshin me të nuk kishte hapur zjarr ndaj deputetit të PD-së. Ai tha se nuk kishte shkuar për ta vrarë Hajdarin, por donte të bisedonte me të për t’i dëgjuar me veshët e tij fjalët që deputeti demokrat ia kishte dhënë plakut të Haklajve më 2 shtator, gjatë një takimi kokë më kokë. Por, në momentin që Haklaj kishte parë Azem Hajdarin të dilte me një pistoletë me silenciator në dorë, ndërroi mëndje dhe vendosi ta qëllonte.

Ndërsa vrasjen e Naim Çangut, Haklaj e justifikoi me faktin se krutani i kishte dalë në rrezen e zjarrit. Madje, ky fakt, sipas Haklajt, tregonte që ai dhe njerëzit e tij nuk ishin pozicionuar për ta vrarë Azem Hajdarin, vendim të cilin e kishin marrë aty për aty.
 
Vendimi
Versioni përfundimtar i procesit “Hajdari” ishte i ndryshëm nga ai i Haklajt. Sipas gjykatës, edhe Jaho Mulosmani ka qëlluar në drejtim të Azemit dhe truprojave të tij. Por, gjykata nuk sqaroi se e kujt ishte pistoleta me silenciator, e gjetur në vendngjarje pas atentatit, duke mos provuar nëse ajo ishte e vrasësve apo e vetë deputetit të PD-së, i cili e kishte nuhatur rrezikun që i kanosej.

Procesi maratonë i çështjes Hajdari u mbyll pa deklarimet e tre dëshmitarëve shumë të rëndësishëm për zbardhjen e së vërtetës, kreut të Partisë Demokratike Sali Berisha, ish-truprojës së tij, Izet Haxhia dhe Jaho Mulosmanit. Rrjedha e procesit mund të kishte qenë krejt ndryshe nëse këta tre dëshmitarë do të rrëfeheshin para trupit gjykues. Në vendimin përfundimtar gjykata shpalli si motiv të vrasjes së deputetit Hajdari, hakmarrjen. Sipas saj, Haklaj e kishte vrarë Hajdarin pasi dyshonte se ai ishte implikuar në vrasjen e të vëllait më 5 janar 1998 në Qafën e Luzhës. Ky motiv vazhdon të mbetet i pandryshuar pavarsisht deklaratave të shumta të opozitës dhe liderit të saj Berisha, për një rigjykim të atentatit të 12 shtatorit, që tashmë ka hyrë në histori si “Vrasja e Shekullit 20”.

Jaho Mulosmani u dënua me burgim të përjetshëm, ndërsa Izet Haxhia u dënua me 25 vjet burg në mungesë, si bashkëpunëtor në krim. I vetmi i ndëshkuar shumë më rëndë nga përgjegjësia e vërtetë që kishte në këtë ngjarje është Ismet Haxhia, fajësia e të cilit është vetëm fakti që shoqëroi nga Tropoja në Tiranë dhe pastaj gjatë kthimit, eskortën e Fatmir Haklajt.
 
Shkrimi u publikua sot (05.10.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Mjeku s'mund të kurojë të njëjtin pacient në shtet e privat, e mbështesni?



×

Lajmi i fundit

Dosja 'Partizani' SPAK kërkon edhe 3 muaj kohë për hetimet, GJKKO vendos më 11 korrik

Dosja 'Partizani' SPAK kërkon edhe 3 muaj kohë për hetimet, GJKKO vendos më 11 korrik