Azem Hajdari, vrasja që tronditi nga themelet politikën shqiptare

Azem Hajdari, vrasja që tronditi nga themelet politikën shqiptare

Azem Hajdari

Kanë kaluar plot 20 vite nga ajo natë e kijametshme, natë ferri, natë kur nga selia e Partisë Demokratike, do të zbriste me nxitim në një takim me vdekjen, Azem Hajdari, kreu i Lëvizjes Dhjetori ’90, një nga figurat emblematike të këtij uragani.

Kush ishte Azem Hajdari dhe cili ishte roli i tij në hapat e parë të demokracisë shqiptare, më mirë se ata që shpresuan te idealet, askush tjetër nuk mund ta dinte.

Çfarë bëri ai për demokracinë, për Partinë Demokratike, për shtresën e ish-të Përndjekurve Politikë, për lëvizjet sindikaliste, për çdo gëlim të hovshëm të revolucionit blu, ata që kanë bashkëpunuar me të, mund të kenë diçka për të thënë.

Personalisht unë e kam njohur dhe takuar disa herë, Azem Hajdarin, edhe si gazetar, por edhe si demokrat. Nuk nguroi të vlerësonte punën time, guximin e çmendur të një gazetari si unë, të cilit ju rrezikua tre herë jeta për shkak të detyrës dhe kurrë nuk e përdori këtë fakt as për tu mburrur as për të rrëmbyer dekorata dhe privilegje.

Nga ata që hynin dhe dilnin në Partinë Demokratike, ai, Azem Hajdari ishte nga të paktët që priti dhe përcolli, dëgjoi dhe zgjidhi hallet e shumë njerëzve. Diti të ishte një lider dhe një njeri i thjeshtë. Në zyrën e tij mund të trokisje pa frikë, se do të ishe i refuzuar dhe të dilje shpresues.

Jo të gjithë në PD e deshën, dhe kjo kishte të bënte vetëm më popullaritetin që ai kishte fituar. Shpesh ai doli dhe kundër “direktivave” të PD për të mbështetur të drejtën e atyre që gjendeshin të braktisur pikërisht nga partia, te ajo e cila kishin shpresuar, kujtojmë këtu dëbimin me forcë të ish të të përndjekurve nga ngujimi i urisë.

Antikonformizmi i tij gjeti me shumë përjashtues se sa dakordësi brenda PD. U akuzua, u keqkuptua, u anatemua, gaboi, u përfshi në të gjitha Azem Hajdari, por pa mundur të shqitej nga zemra e njerëzve të thjeshtë, militantëve dhe demokratëve të ndershëm.

Edhe sot, opinioni është i ndarë në vlerësimin dhe njohjen e Azem Hajdarit, dhe kjo jo dhe aq për fajin e gabimeve të tij, se sa për errësimin që zuri vend si pjesë e denigrimit të asaj çfarë ai bëri. Gjithsesi duke qenë pjesë e kohës, nuk mundi të ishte ai, ai që edhe vetë dëshironte, sepse do të ishte i marrë fund.

Në këtë arenë të rrezikshme përballjesh dhe sfidash të përbinshme ai si pakkush guxoi, guxoi ndoshta më shumë, siç edhe gaboi, ndoshta jo më shumë se sa të tjerë që ditën të fshinin gjurmët më mirë nga ai. Fundja ai nuk ishte një shenjtor, nuk kishte ardhur në politikën shqiptare të ishte shembull i njeriut të përkorë, sepse vetë koha së cilës i përkiste, situata në të cilën përpëlitej politika shqiptare, nuk mundi të ishte e tillë.

Sulmet politike, majtas dhe djathtas, ndoshta edhe ndonjë lloj mekanizmi për ta mënjanuar nga epiqendra e interesimit politik dhe mbështetjes popullore të Azem Hajdarit, morën më shumë vëmendje, dhe ndaj tij nuk kursyen asgjë, deri mbrëmje e 12 shtatorit të vitit 1998 kur plumbat e kallashnikovit e përshkuan duke mos e lënë më të ecte më tej.

Ai vdiq për të mbetur një figurë e dyzuar, por gjithsesi një emblemë e politikës së asaj kohe, makinacioneve dhe shtjellave të cilave ai u shpalli luftë të hapur.

Sot pas 20 vitesh nga vdekja e tij, konstatojmë dukshëm hendekun që la në këtë ikje, zhgënjimin që pësuan militantët dhe demokratët e zjarrtë, ata që besuan dhe sot janë më të zhgënjyerit nga PD. Ëndrra e tyre nuk kishte lindur me Azem Hajdarin, por ajo nisi të hidhte hapat e fundit pikërisht atë ditë, për t’u shuar, ndoshta përgjithnjë.

Azem Hajdarit i takon merita se diti të jetësonte te njerëzit besim të ëndrra e demokracisë, e lirisë dhe Shqipërisë evropiane, atë besim që të tjerët e shpërdoruan, e vranë.

Politika sot ka ndryshuar dhe së bashkë me të edhe Partia Demokratike, por gjithë ai përkushtim dhe zell, dëshirim dhe ëndërrim për të ardhmen e premtuar që u ngjizën në zjarrin e atyre viteve, sot është vetëm një memuare, një kujtesë, që e cekim me mallin dhe dhimbjen e një humbje që mbeti e tillë, atëditë e sot.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • tonin: 12/09/2018 12:04

    ata qe e akuzoni azemin si spiun te sigurimit sot bejne homazhe,,hipokrizi

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë