Tërmet 7.7 ballë godet Azinë Juglindore/ Katastrofë në Mianmar, 144 viktima dhe mbi 700 të plagosur! Shërbimi Gjeologjik i SHBA: Deri në 10 mijë viktima (FOTO+VIDEO)

Një tërmet shkatërrues me magnitudë 7.7, i ndjekur 12 minuta më vonë nga një goditje e dytë prej 6.4 rihter, goditi qendrën e Mianmarit, ku dyshohet se do të ketë një katastrofë, me rrezikun e 'mijëra vdekjeve'. Deri tani raportohet për të paktën 144 të vdekur dhe 732 të plagosur. 

Epiqendra, sipas institutit gjeozizmik amerikan, ishte pranë Saigang-ut, ku kalon një çarje sizmike që e ndan vendin në gjysmë përgjatë një drejtimi veri-jug, rreth njëzet kilometra nga qyteti historik dhe kryeqyteti antik i Mandalay.

Tërmeti kryesor, i cili filloi në një thellësi prej vetëm 10 kilometrash në orën 14:20 me orën lokale, goditi gjithashtu me efekte të fuqishme në Kinë, në provincën e largët malore të Yunnan dhe mbi të gjitha në Tajlandë, ku në kryeqytetin Bangkok, një mijë kilometra larg epiqendrës, me qindra njerëz raportohen të zhdukur dhe të paktën 10 të vdekur janë konfirmuar. Lëkundjet u ndjenë edhe në Laos dhe Vietnamin fqinjë. Instituti gjeozizmik italian, tha se goditja kryesore ishte 300 herë më e fuqishme se ajo e Amatrice në vitin 2016.

Junta ushtarake, në pushtet në Mianmar që nga viti 2021, ka nisur një apel urgjent për ndihmë humanitare për komunitetin ndërkombëtar. Ndërkohë, burime në ministrinë e jashtme thonë se nuk ka shqiptarë të prekur nga tërmeti në Minamar dhe Tajlandë dhe se situate po ndiqet nëpërmjet ambasadës në Tokio të Japonisë.  

Shërbimi Gjeologjik i SHBA-së (USGS) lëshoi ​​një alarm të kuq - duke vlerësuar se vdekjet mund të variojnë nga 1000 deri në 10000, shkruan New York Post. Në Bangkok jetojnë më shumë se 17 milion njerëz. 

Ndiqni në zhvillim lajmet më të fundit
 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:46
VIDEO/ Tërmeti në Tajlandë, gruaja lind foshnjën në rrugë

1743198491_morobangkoksd.jpg

Një grua lindi fëmijën e saj në mes të rrugës në Bangkok, pasi spitali në të cilin qëndronte u evakuua pas tërmetit në Mianmarin fqinj.

Pacientja ishte e shtrirë në një barelë ndërsa stafi i spitalit e ndihmoi në lindjen e fëmijës.

Stafi i spitalit u kujdes për pacientët edhe jashtë ambienteve të qendrës shëndetësore.

Ekipet e kërkim shpëtimit janë ende duke asistuar në gjetjen e personave që mund të jenë nën rrënoja. Sipas autoriteteve tajlandeze rreth 100 persona janë shpallur të zhdukur.

Deri më tani numërohen të paktën 144 të vdekur dhe mbi 730 të plagosur nga tërmeti, sipas kreut të qeverisë ushtarake të Mianmarit.

 

Ora 19:13
Tërmeti apokaliptik/ 10 të vdekur dhe mbi 100 të zhdukur në Bangkok, vazhdojnë kërkimet

1743186112_gcoerdkgthailandearthquake625.jpg

Të paktën 10 persona kanë humbur jetën, 16 janë plagosur dhe mbi 100 rezultojnë të zhdukur në Bangkok pas shembjes së tre ndërtesave në ndërtim si pasojë e tërmetit me magnitudë 7.7 që goditi Mianmarin dhe u ndje edhe në kryeqytetin tajlandez.

Zëvendësguvernatorja e Bangkokut, Tavida Kamolvej, ka përditësuar bilancin e viktimave, ndërsa operacionet e shpëtimit vazhdojnë, përfshirë një ndërtesë pranë tregut të njohur Chatuchak, ku dhjetëra persona janë ende të zhdukur.

Në këtë kullë në ndërtim, e cila u shemb gjatë tërmetit, sipas pamjeve të publikuara në rrjetet sociale, janë gjetur trupat e tetë personave, tha ministri i Brendshëm, Anutin Charnvirakul. Ai shtoi se të paktën 12 persona janë shpëtuar nga rrënojat në këtë zonë, e cila zakonisht frekuentohet nga turistë dhe dashamirës të blerjeve.

Sipas agjencisë Efe, ekipet e emergjencës po përdorin dronë për të përshpejtuar kërkimin e të mbijetuarve, një mision që synojnë ta vazhdojnë deri në orët e para të mëngjesit të nesërm.

Autoritetet kanë përditësuar disa herë numrin e të zhdukurve, por burime të ndryshme zyrtare bien dakord se nën rrënoja mund të jenë të paktën 100 persona.

Ora 15:59
Tëmeti në Mianmar, të paktën 144 të vdekur dhe mbi 700 të plagosur

1743174035_104225392d23157c61d7a4d8dbde.jpg

Në Mianmar, bilanci zyrtar i fundit i viktimave nga tërmeti me magnitudë 7.7, i regjistruar mëngjesin e sotëm, është të paktën 144 të vdekur dhe 732 të plagosur. Lajmin e raporton agjencia Xinhua, bazuar në informacionet e dhëna nga autoritetet e vendit, ku që nga viti 2021 është në pushtet një juntë ushtarake.

Ora 15:25
Tërmeti në Tajlandë/ 8 viktima nga shembja totale e pallatit në Bangkok

1743172022_TERREMOTO4.jpg

Është konfirmuar vdekja e 8 personave në Bangkok, në kantierin e ndërtimit të pallatit që u shemb si pasojë e tërmetit. Lajmin e ka bërë të ditur guvernatori i qytetit, Chadchart Sittipunt, i cituar nga The Guardian.

Ora 14:53
Tërmeti 7.7 ballë goditi Azinë Juglindore, Shërbimi Gjeologjik i SHBA-së ngre alarmin e kuq: Deri në 10 mijë viktima

Mijëra persona dyshohet se kanë vdekur pas një tërmeti të fuqishëm me magnitudë 7.7 që tronditi Azinë Juglindore të premten, duke rrëzuar ndërtesa të larta në Tajlandë.

Skena rrëqethëse u shfaqën me trupa të rreshtuar në rrënoja, ndërsa ekipet e shpëtimit kërkonin të mbijetuarit nga tërmeti, epiqendra e të cilit u zbulua pranë Mandalay, qyteti i dytë më i madh i Mianmarit.

Megjithëse shkalla e vdekjes dhe shkatërrimit nuk ishte menjëherë e qartë, Shërbimi Gjeologjik i SHBA-së (USGS) lëshoi ​​një alarm të kuq - duke vlerësuar se vdekjet mund të variojnë nga 1000 deri në 10000, shkruan New York Post.

Ora 14:43
VIDEOLAJM/ Tërmeti 7.7 ballë në Myanmar, lëkundjet e fuqishme ‘shkundin’ trenin në Tajlandë

 

Tërmeti i fuqishëm në Myanmar, ka shkundur edhe një tren në një stacion metroje në Tajlandë.

Siç shihet edhe nga pamjet e publikuara shihet se si pasgjerët të habitur dhe nga ana tjetër të panikosur kapin fort njëri-tjetrin teksa goditjet vazhdojnë.

Ora 13:15
Lëkundjet e tërmetit në Mianmar, 300 herë më të fuqishme se ato të Amatrices në itali, reagon BE

Rruga e çarë nga lëkundjet e tërmetit në Mianmar

Tërmeti që goditi Myanmarin ka pasur një magnitudë 300 herë më të fuqishme se tërmeti në  Amatrice të Italisë, në vitin 2016 dhe 8 herë më të lartë se tërmeti më i fortë i regjistruar ndonjëherë në Itali, ai me magnitudë 7.1 në Messina në vitin 1908.

“Thellësisht e tronditur nga tërmeti i fuqishëm që ka goditur Myanmarin dhe Tajlandën. Ky ngjarje shton më tej krizën tashmë të rëndë në Myanmar, ku miliona njerëz kanë nevojë për ndihmë humanitare. BE është në krah të popujve të Myanmarit dhe Tajlandës” shkruan në një postim në rrjetet sociale Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Punët e Jashtme, Kaja Kallas.

Ndërkohë komisionerja Evropiane për Përgatitjen, Menaxhimin e Krizave Hadja Lahbib tha se po monitorohet situata dhe se është aktivizuar sistemi evropian i vëzhgimit satelitor Copernicus për të ndihmuar në vlerësimin e dëmeve. 

“BE është e gatshme të ofrojë mbështetje emergjente” tha ajo
Deri tani flitet për 25 të vdekur por shifrat e viktimave parashikohen të shkojnë në qindra.

Ora 11:57
Tërmeti në Mianmar, 20 fëmijë të bllokuar nën rrënojat e një manastiri

Rreth njëzet fëmijë kanë mbetur të bllokuar nën rrënojat e një manastiri në Taungoo të Mianmarit,në Azinë Juglindore, një nga zonat ku dëmet e tërmetit kanë qenë më të mëdha.

Sipas burimeve nga mbrojtja civile lokale, shumë ndërtesa janë shembur edhe në Mandalay.

Kryeministrja e Tajlandës, Paetongtarn Shinawatra, ndërpreu një vizitë zyrtare në ishullin jugor të Phuket për një "takim urgjent" pas tërmetit dhe, menjëherë pas kësaj, shpalli gjendjen e emergjencës. Qendra e Rrjeteve të Tërmeteve të Kinës (CENC), informon se tërmeti që ra në orën 14:20 me orën lokale (07:20 në Shqipëri), ka pasur një magnitudë prej 7.9.

 

Ora 11:34
Tërmeti në Mianmar, ekziston frika se viktimat mund të jenë mijëra

Instituti Gjeologjik i SHBA (US Geological Survey) ka lëshuar një alarm të kuq për viktima dhe dëme pas tërmetit me magnitudë 7.7 në Myanmar

Sipas informacionit në faqen zyrtare, "është e mundur që të ketë shumë viktima dhe dëme të mëdha, dhe katastrofa të jetë shumë e madhe. Agjencia njofton gjithashtu se "është shumë e mundshme që tw jenw mijëra të vdekurit", raporton Sky News.

Ora 09:24
VIDEOLAJM/ Tërmeti në Bangkok, shikoni si thërmohet qiellgërvishtësja në ndërtim, punëtorët largohen në panik

Lëkundjet e tërmetit me magnitudë 7.7 të shkallës rihter me epiqendër 16 kilometra në veriperëndim të Saigang, në Myanmar, është ndjerë dhe në Bangkok, kryeqytetin e Tajlandës ku është shembur një pallat në ndërtim.

Pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë momentin e rrëzimit të qiellgërvishtëses dhe largimin në panik të punëtorëve.

Xh.K/K.M/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 1 Prill, 10:16

    A e keni vendosur se për kë do të votoni më 11 maj?



×

Lajmi i fundit

Milani zgjedh drejtorin e ri sportiv, në garë ishte edhe Igli Tare

Milani zgjedh drejtorin e ri sportiv, në garë ishte edhe Igli Tare