Lleshaj në Paris: Fatkeqësisht ka ende shqiptarë që aplikojnë për azil, por Franca mbështet integrimin

Lleshaj në Paris: Fatkeqësisht ka ende shqiptarë që aplikojnë për azil, por Franca mbështet integrimin

Sandër Lleshaj dhe Christophe Castaner

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj ndodhet në një vizitë zyrtare në Francë, ndërsa ka zhvilluar një takim me homologun Castaner. Pas takimit, Lleshaj thotë se në qendër të bisedës ka qenë bllokimi i emigracionit të paligjshëm, azilkërkuesit dhe lufta kundër krimit. Lleshaj pranon se azilkërkimi vijon që të mbetet një problem shqetësues. Megjithatë, ministri thotë se Franca i dha garancitë e nevojshme se procesi i reformave, kryesisht reforma në drejtësi, dhe në fusha të tjera do të vijojnë me intensitetin e duhur, në interes të përshpejtimit të të gjithë procesit, me shpresën e madhe që vendimi i pritshëm për hapjen e negociatave të merret në favor të Shqipërisë në muajin qershor.

"Pata kënaqësinë që të takoj e të zhvilloj një bisedë të gjatë me Ministrin Castaner dhe delegacionin e tij, ku trajtuam çështje të rëndësishme  të bashkëpunimit midis dy ministrive tona. Konstatoj me kënaqësi që bashkëpunimi midis Ministrisë së Brendshme të Francës dhe të Shqipërisë është në nivel të shkëlqyer, ashtu siç u konfirmua edhe nga Ministri francez. Patëm rastin të bëjmë një bilanc të bashkëpunimit të deritanishëm në tërësi dhe të hedhim piketat për thellimin e tij në të ardhmen. Ky bashkëpunim do të njohë një intensifikim dhe shtrirje të gjerë dhe shpresoj që takimin e ardhshëm, që do të zhvillojmë me Ministrin francez, në një vizitë të tij të shpejtë të ardhshme në Tiranë, do të kemi mundësinë që ta thellojmë më tej atë që kemi nisur sot.

Me rëndësi të veçantë trajtuam edhe çështjen e emigracionit të paligjshëm. Konstatuam se kjo ende mbetet një çështje me rëndësi në marrëdhëniet midis dy palëve. Fatkeqësisht ekziston ende një numër shqiptarësh që aplikojnë pa shpresë, por gjithsesi aplikojnë për marrjen e azilit në Francë. Nga pala franceze dhe nga pala jonë u theksua që kushtet për kërkim azili në Francë nuk ekzistojnë. Shqipëria konsiderohet vend i origjinës së sigurt dhe shanset për marrjen e azilit në Francë janë pothuajse zero. Me këtë rast u zhvilluan edhe bisedime për ndërtimin e mekanizmave të caktuar në shërbim të parandalimit të këtij fenomeni.

Takime dhe bisedime të rëndësishme zhvillova në disa institucione të Ministrisë së Brendshme dhe Ministrisë së Jashtme në Francë. Patëm takime me Policinë dhe Xhandarmërinë franceze ku diskutuam për rritjen dhe intensifikimin e mëtejshëm të bashkëpunimit midis institucioneve përkatëse të sigurisë franceze dhe shqiptare, për çështje të interesit të përbashkët si lufta kundër krimit të organizuar, kundër migracionit të paligjshëm, kundër trafiqeve si dhe për bashkëpunimin në interes të zhvillimit të kapaciteteve të reja të Policisë shqiptare dhe strukturave të tjera të sigurisë.

Gjeta një mirëkuptim të plotë në Policinë franceze, në Xhandarmërinë franceze për të thelluar bashkëpunimin në këto fusha. Me rëndësi të veçantë ishte edhe takimi në Ministrinë e Jashtme franceze ku diskutuam kryesisht çështje të integrimit europian të Shqipërisë. Mora mbështetje të rëndësishme nga autoritetet franceze të Ministrisë së Punëve të Jashtme për qëndrimin francez në mbështetje të procesit integrues të Shqipërisë. Ne  dhamë garancitë e nevojshme se procesi i reformave, kryesisht reforma në drejtësi, dhe në fusha të tjera do të vijojnë me intensitetin e duhur, në interes të përshpejtimit të të gjithë procesit, me shpresën e madhe që vendimi i pritshëm për hapjen e negociatave të merret në favor të Shqipërisë në muajin qershor" deklaroi ai. Franca ishte njëra nga vendet skeptike vitin e kaluar për hapjen e negociatave, ndërsa Shqipëria pret një vendim pozitiv këtë qershor.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Geri: 28/03/2019 02:03

    Gjenerali I juntes ushtarake ne shqiperi lleshi siguron francezet se do ti shtrengoje shqipetaret te Mos kerkojne AZIL ne france

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja