Ore u vra apo nuk u vra? Nëse i kërkuari është vrarë t’i thuhet publikut që është vrarë, nëse nuk është vrarë të gjendet, të kapet dhe t’i jepet drejtësisë”. Këtë ultimatum i vuri kryeministri Edi Rama në ditën e parë të punës, drejtuesit të kohës së policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullakut kur e prezantoi në detyrë në shtator të vitit 2022.

Nga ajo kohë, kanë kaluar gati 4 vite tashmë, dhe askush nuk i ka dhënë fund dilemës, nëse i shumëkërkuari i drejtësisë Ervis Martinaj është gjallë apo është vrarë. Përgjigjen thotë se e di babai i tij. Mustafa Martinaj u paraqit për herë të parë në Gjykatën e Posaçme këtë të hënë, dhe nuk hezitoi të thotë se fatin e ish-bosit të lojërave të fatit, e dinë të gjithë, përveç medias e Prokurorisë.

“Djali im është ekzekutuar në Durrës. Jam babai i tij, ndaj e di. Për këtë çështje kam dhënë shpjegime para agjentëve të Byrosë Kombëtare të Hetimit ku jam paraqitur me iniciativën time. Kam ardhur vetë 2 muaj pas zhdukjes së Ervis Martinajt në gusht të vitit 2022”, tha Mustafa Martinaj.

I pyetur jashtë kamerës nga gazetarët, Mustafa Martinaj akuzon se SPAK nuk do të hetojë mbi zhdukjen e djalit të tij, një çështje që është ende në dorë të prokurorisë së Lezhës, ku familja ka bërë denoncimin, 11 gushtin e 4 viteve më parë.

“Këta nuk duan ta hetojnë. Nuk kam për çfarë të interesohem. Nuk kam fuqi as për hakmarrje. Jam invalid, kam bërë disa ndërhyrje shëndetësore”, tha Mustafa Martinaj.

Në tetor të 2025-ës, babai i Ervis Martinaj bëri edhe një lëvizje në Gjykatën e Lezhës, ku kërkoi që djali i tij të shpallet zyrtarisht i zhdukur, çështje e cila ende nuk ka vendimmarrje.

Për Prokurorinë e Posaçme, përsa kohë nuk ka asnjë provë që të faktojë të kundërtën, Ervis Martinaj konsiderohet i gjallë. Ndaj tij në Gjykatën e Posaçme vijon një proces, ku këtë të hënë u thërrit edhe babai i tij, Mustafa Martinaj për të dëshmuar. Bëhet fjalë për procesin e konfiskimit të 34 pasurive të Ervis Martinaj dhe personave të lidhur me të, që përllogariten në vlerën e 10 milionë eurove. Seanca dështoi për shkak të mungesës së dy prokurorëve të çështjes.

Ervis Martinaj është i shpallur në kërkim ndërkombëtar,  me urdhër të SPAK, pas dëshmive të të penduarit të drejtësisë, Nuredin Dumani i cili ndër të tjera ka thënë se Martinaj e kishte paguar 500 mijë euro për të vrarë Indrit Doklen.

 “Këta merren me vogëlsira dhe nuk merren me gjëra madhore”, iu shpreh ai gazetarëve në dalje të Gjykatës së Posaçme.