Report Tv ka zbardhur vendimin e dënimit të ish-deputetit të Partisë Demokratike, Ervin Salianji. Ky i fundit u dënua me nga Gjykata me 1 vit burg me akuzën e kallëzimit të rremë kryer në bashkëpunim, me inskenimin e audio-përgjimit me qëllim përfshirjen e vëllait të ish-ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj në trafikun e drogë, por ai nuk do të arrestohet për të bërë burg, pasi është hetuar në gjendje të lirë.

Gazetari i Report Tv, Arsen Rusta bën me dije se në vendimin e Gjykatës thuhet se ish-deputeti i PD, Ervin Salianji është përfshirë në kallëzimin e rremë për interesa politike të tij dhe të partisë ku ai bën pjesë, Partisë Demokratike të Shqipërisë.

Sipas Gjykatës Penale, Alber Veliu i njohur si Babalja dhe që u dënua me 3 vite e 8 muaj burg, u akomodua në Selinë e Partisë Demokratike dhe më pas ka dhënë edhe intervistën.

"Biseda e stimuluar mes Albert Veliut dhe Fredi Alizotit është regjistruar në janar 2018. Biseda është regjistruar në një mjet përgjimi stilolaps të cilin Albert Veliu ja ka dorëzuar Ervin Salianjit. Ndërkohë Fredi Alizoti stimuloi zërin e Agron Geron Xhafës." thuhet ndër të tjera në vendimin e gjykatës  Penale.

Ndër të tjera Gjykata shprehet se Veliu, Alizoti, Salianji dhe gazetari Jetmir Olldashi kanë pasur komunikime të shpeshta para dhe pas veprës penale që kanë kryer. Sipas Gjykatës komunikimet e shpeshta që kanë bërë mes tyre nuk kanë asnjë shpjegim tjetër veçse përfshirjen në audiopërgjime.

"Në tetor 2017, Albert Veliu ka marrë takim me Ervin Salianjin. Me 20 tetor 2017 Veliu ka biseduar me Salianjin për 51 sekonda. Ky komunikim përveçse motiveve për audiopërgjimin si lidh të pandehurit me asnjë shkak tjetër. Nuk janë as miq as të afërm. Ervin salianji realizoi kontaktin e Albert Veliut me gazetarin Jetmir Olldashi. Deklarimet publike te Salianjit nuk dhanë asnjë provë për veprën penale të trafikut të drogës në ngarkim të Agron Xhafës."

Ndërkohë sipas argumentimit të audiopërgjimit, Gjykata shprehet se ka patur një numër të lartë bisedash mes Albert Veliut dhe Fredi Alizotit dhe këto biseda janë kompromentuese.

"Nga të gjitha provat dhe tabulatet telefonike rezulton se zërin e Agron Xhafës e ka bërë Fredi Alizoti. Kjo veprimtari e kallëzimit të rremë nuk mund të konsiderohet e kryer brenda fushës së ushtrimit te funksionit politik te deputetit apo ushtrimit te lirisë së shprehjes." thuhet më tej në argumentimin prej 60 faqesh të Gjykatës së Shkallës së Parë.

Ish-deputeti Ervin Salianji dhe gazetari Jetmir Olldashi u shpallen fajtorë me 18 dhjetor të vitit që lamë pas, nën akuzën e 'kallëzimit të rremë' lidhur me inskenimin e audio-përgjimit me qëllim përfshirjen e vëllait të ish-ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj në trafikun e drogës. Gjykata Penale vendosi 1 vit burgim për ish-deputetin Salianji me akuzën e kallëzimit të rremë kryer në bashkëpunim, por ai nuk do të arrestohet për të bërë burg, pasi është hetuar në gjendje të lirë dhe pas ankimimit që Salianji paralajmëroi ndaj vendimit, do të pritet shihet çfarë do të vendosë Gjykata e Apelit, për të marrë formë të vendimit të prerë. Ndërkohë, Albert Veliu njohur si Babalja u dënua me 3 vite e 8 muaj burg ndërsa gazetari Jetmir Olldashi u dënua me 6 muaj burg, dënim i cili do të zëvendësohet me 100 orë pune.

(Kliko këtu për të lexuar vendimin e plotë të gjykatës për Ervin Salianjin)