Baballarët e kombit kosova

Baballarët e kombit kosova
Ditë më parë dy historianë gjermanë ishin habitur se si Perëndimi po jep miliarda euro për të ngritur kombin kosovar, ndërkohë që vetë kosovarët janë kundër këtij kombi. U shpjegova që e njëjta gjë ka ndodhur edhe me kombin shqiptar. Se Perandoria Osmane, me t’i humbur territoret e veta në Europë pas Luftës së Parë Ballkanike, kërkoi që në këmbim të njohjes së realitetit të ri të krijohet një shtet shqiptar me kufij që do t’i përcaktonin Fuqitë e Mëdha, kush me më shumë entuziazëm e kush më me hezitim iu përveshën punës, derdhën para të majme për të ngritur kombin shqiptar e Shqipërinë si shtet.
Në atë kohë shqiptarët nuk donin t’ia dinin se Perandoria Osmane ishte në grahmën e fundit të jetës së vet dhe se kushti për një shtet shqiptar ishte klithma e fundit e saj. Jo, jo, shqiptarët e donin akoma osmanlinë t’i drejtonte ata dhe shqyenin flamujt e kuq me “sorrë” të zezë. E donin flamurin e osmanlisë dhe të jenë pjesë e miletit turk.

Investimi në kombin kosovar si ai në kombin shqiptar
Sot shqiptarët e Kosovës e bëjnë po të njëjtën gjë që e kanë bërë shqiptarët para 100 viteve. Nuk duan të jenë komb në vete, po duan të jenë pjesë e kombit shqiptar, që shteti i Kosovës të jetë vetëm i përkohshëm, derisa të bashkohemi me Shqipërinë. Harrojnë se Shqipëria ka bërë maksimumin e vet për Kosovën, se ka prioritete më të mëdha se bashkimin me Kosovën dhe se zërat në Kosovë që klithin bashkimin me Shqipërinë shihen në Tiranë në po të njëjtën mënyrë si është parë puna e Haxhi Qamilit në Stamboll.
Pyetja e historianëve gjermanë ishte: Përse Perëndimi që po derdh miliarda euro për Kosovën e për të ngritur kombin kosovar në të njëjtën kohë përkrah ata që kundërshtojnë kombin kosovar?
Kjo është një çështje tjetër. E vërteta është se përderisa mbështetet kombi kosovar mbështetën përkrahësit e kësaj ideje. Se mbështetës të vërtetë ke atë që t’i mbështet idetë dhe jo atë që përkohësisht të përkrah politikisht.

Projektin e kombit kosovar e luftojnë këlyshët e Serbisë
Projekti i kombit kosovar është mbuluar me mjegull. Këtë mjegullim kryesisht e kanë bërë këlyshët e Serbisë. Derisa unë kam shkruar 1 artikull për këtë çështje, kundërshtarët e mi i kanë shkruar 10 shkrime. Derisa unë kam bërë 1 paraqitje televizive, kundërshtarët e mi i kanë bërë 100 paraqitje televizive. Për pasojë, opinioni kosovar është njohur me ketë ide shumë më shumë nga kundërshtarët e mi sesa nga unë.

Paragjykimet për kombin kosovar & Ahtisaari
Në një panel të pan-europianëve, ku isha edhe unë, Jusuf Buxhovi që foli para meje, tha se nuk mund të ketë komb kosovar, sepse shqiptarët dhe serbët nuk mund t’i takojnë një kombi. Po se kush e ka thënë, se për t’u bërë kombi kosovar do të duhet që shqiptarët e serbët t’i takojnë një kombi, këtë nuk e tha. Këtë e kanë thënë ata që e kanë luftuar autorin e këtyre rreshtave duke ia përçudnuar idetë.
Le që për t’u ekzistuar kombi kosovar nuk është e thënë që serbët e Kosovës të jenë pjesë e këtij kombi, madje këtë nuk e paragjykon as plani i Ahtisaarit. Plani i Ahtisaarit i paragjykon serbet si pjesë integrale të kombit serb. Ata mbajnë shtetësinë serbe, sistemin e edukimit si dhe kishën me qendër në Beograd. Plani i Ahtisaarit ua mundëson serbëve që të jenë pjesë e shoqërisë kosovare po qe së duan, por me asgjë nuk i orienton drejt kësaj. Pra, serbët e Kosovës bëjnë edhe jetën e kombit edhe jetën e pakicës etnike. Pikërisht për këtë Kosova është një rast sui generis. Kjo sepse serbët e Kosovës për afër një shekull kanë bërë jetën e kombit dhe kjo është patur parasysh nga Ahtisaari.
Komb nuk do të thotë në parim as shumica etnike e një vendi as ndonjë nga pakicat
Komb është ai komunitet që ka krijuar shtetin përkatës dhe është pronar i tij, qoftë ky komunitet shumicë apo komunitet pakicë. Dhe në rastin e Kosovës, ky komunitet që përbën kombin janë shqiptarët e Kosovës. Problemi pse këtë ende e kemi të mjegullt është se këtë shtet nuk e krijuam vetë, na e krijuan të tjerët. Por megjithëkëtë, ky është shtet i shqiptarëve të Kosovës, sepse ata që e krijuan këtë shtet në radhë të parë e krijuan për këtë komunitet. Shih përbërjen e Parlamentit të Kosovës, Të gjitha komunitetet etnike që janë pakicë kanë deputetë shtesë, vende të rezervuara. Vetëm shqiptarët nuk kanë. Përse? Sepse konsiderohen komb.

Kush janë baballarët e kombit kosovar?
Gjithë baballarët e hershëm të kombit shqiptar (deri më 1912) janë njëkohësisht edhe baballarë të kombit kosovar. Ymer Prizreni, vëllezërit Frashëri, Gjergj Fishta, Hasan Prishtina, Rexhep Mitrovica etj. Por kombi kosovar ka edhe baballarë tjerë, ata që nuk u pajtuan që shqiptarët e Kosovës ta bënin jetën e minoritetit në Serbi (Jugosllavi), por që duke e mbajtur gjallë ndjenjën dhe projektin e rilindësve shqiptarë. Dhe ndër ta më të spikaturit janë: Shaban Polluzha, Esad Mekuli, Adem Demaçi, Ibrahim Rugova. Është edhe Ahtisaari.
Për jetën e një kombi janë të rëndësishëm jo vetëm baballarët e tij, por edhe personalitete që paraqesin sinonimin e atij kombi. Në rastin e kombit kosovar, këtu bëjnë pjesë: Nexhmije Pagarusha, Bekim Fehmiu, Lah Nimani, Dervish Shaqa, Fitim Domi, Ali Podrimja, Sabri Fejzullahu, Fadil Vokrri, Ferid Zekolli, Shkurte Fejza, Shyhrete Behluli, Ilir Shaqiri, Adelina Ismajli, Aziz Salihu e shumë e shumë të tjerë.

marrë nga MAPO ONLINE, datë 20 tetor

(ad.ti/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

‘Studio Live’, avokati Islami: ‘Berisha do arrestohet, ‘non grata’ s'i hiqet! Nuk do ketë zgjedhje!’ Balliu sulmon Bashën si ‘dështak’: Kam votuar Olldashin!

‘Studio Live’, avokati Islami: ‘Berisha do arrestohet, ‘non grata’ s'i hiqet! Nuk do ketë zgjedhje!’ Balliu sulmon Bashën si ‘dështak’: Kam votuar Olldashin!