Babë e bir u arrestuan për vrasjen e Alket Muhos, fjalët e para në polici. Zbardhet konflikti për tokën

Gjirokastër- Babë e bir, Hetem Muho, 59 vjeç dhe Dino Muho, 20 vjeç të arrestuar për vrasjen e 43-vjeçarit nga fshati Rabije, Alket Muho mohojnë të kenë lidhje me ngjarjen.

Gazetari i Report Tv Piro Nase mëson se prova më e fortë që policia kishte për të arrestuar babë e bir ishte prezenca e tyre në fshatin Rabije, ndonëse banonin në Çukë të Sarandës. Por ata kanë deklaruar se nuk kanë lidhje me ngjarjen dhe se kanë qënë rastësisht në fshatin Rabije, aty ku edhe kanë vendlindjen.

“Ndodheshim rastësisht në fshatin Rabije, ishim për vizitë në vendlindje”, mësohet të kenë thënë dy të arrestuarit.

Nga ana tjetër grupi hetimor në policinë e Gjirokastrës po punon për mbledhjen e provave në terren për të depozituar më pas dosjen në prokurori.

Nase sqaron me detaje edhe konfliktin e pronës mes të arrestuarve dhe viktimës. Dy vjet më parë ata kanë paditur në Gjykatën e Gjirokastrës viktimën për tokat që sipas tyre nuk ishin të tijat.  Hetem Muho pretendonte që viktima i kishte falsifikuar dokumentet e pronave, ndërkohë që 43-vjeçari pretendonte që  e kishte e fituar tokë me ligjin 7501.

Mësohet gjithashtu se ishte vetë Hetem Muho ai që e pushoi çështjen në gjyq në mënyrë të njëanshme për arsye ende të panjohura.

Sipas të dhënave policore viktima është qëlluar me 20 plumba automatiku model 56, të cilët i kanë prekur zemrën dhe i kanë dëmtuar pjesën e majtë të fytyrës

Gjolek Muho, babai i Alket Muhos, është shprehur se nuk e ka dijeninë përse është vrarë i biri. Ndërsa, Riza Ardita, vjehrri i viktimës, ka përjashtuar pistën e dekonspirimit nga policia pasi informoi për drogën. Vjehrri ka thënë se e di shumë mirë kush e ka vrarë 43-vjeçarin duke përmendur konflikte pronësie. Dyshime këto që përkojnë me ato të policisë.

E njihja si djalë shumë të mirë se e kisha dhëndërr. Ngjarja ka ndodhur dje. Më mori në telefon vajza, foli, i tha do vij, “Oooo ooo ça bëni çuna” e më pas e vranë. Me snajper dhe kallashnikovë. Kishte 20 plumba, zbrazuar 30 fishekë. Ia kishte hequr komplet syrin. Atje e vranë, tek ato si pemë. Ka patur konflikt me një plak për prona. Posi, mund të jetë ky konflikti. E arrestuan atë, kishte ardhur që nga Saranda. Jam i bindur, s’ka lidhje me drogën ai. Para 2-3 vitesh kur droga qe liruar, atëherë po. Tani jo. Ai ishte kryetar këshilli, e hoqi burri i tezes. O do gjendet autori se s’bën. Unë e kam të gjetur për vete.

Riza Ardita, vjehrri i Alket Muhos

Por kunati i viktimës, i cili do të mbetet anonim, dha një tjetër version ekskluzivisht për Report Tv disa orë para arrestimit të autorëve. Sipas tij, Muho prej një viti telefononte policinë për të treguar se në zonë mbillej kanabis, por vetëm kur iu drejtua Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, në zonë erdhën policë për kontroll. I riu që jeton në Greqi thotë se në fshatin Rabije por edhe fshatra të tjerë mbillet masivisht kanabis që prej vitit 2016-të. Në një intervistë për Shqiptarja.com, ai është shprehur se prej një viti Muho dhe familja e tij jetonin me zhurmën e kallashnikovëve, të përdorur gjatë natës për të ruajtur parcelat e kanabisit.

NGJARJA 

Alket Muho, 43-vjeç, u vra me 7 plumba ditën e djeshme në orën 10:10 në fshatin Rabie të Memaliajt. Për vrasjen e tij, policia raportoi 12 orë me vonesë dhe vetëm pas dhënies së lajmit nga Report Tv. Fillimisht mbi vrasjen e të dyshuarit si informator i Policisë, u hodh pista se ai mund të ishte vrarë pasi informoi policinë në lidhje me parcelat e drogës në Tepelenë dhe dikush e konspiroi, por asnjëherë nuk u përjashtua mundësia e vrasjes për shkak të një konflikti pronësie.

Ditën e djeshme, pak para se të ekzekutohej viktima ka qenë duke komunikuar në telefon me bashkëshorten e tij. E shoqja ka thënë në polici se fjalët e fundit që ka dëgjuar nga bashkëshorti kanë qenë:”Çfarë bëni kështu more çuna?”. Më pas, është dëgjuar një breshëri automatiku, dhe telefonata është ndërprerë. 

Pas kësaj, gruaja e 43-vjeçarit ka vrapuar për tek toka 100 metra larg shtëpisë ku Muho po punonte dhe e ka gjetur atë të pajetë.

Prokuroria ka konfirmuar se Muho është qëlluar me një automatik model 56, nga një distancë e afërt. Në vendngjarje janë zhdukur gëzhojat. Grupi hetimor ka dyshime se armës automatike i është vendosur një rrobë për të mos lenë gëzhoja në vendin e krimit.

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Rusia anashkalon sanksionet perëndimore, fillon përdorimin e Bitcoin në tregtinë ndërkombëtare

Rusia anashkalon sanksionet perëndimore, fillon përdorimin e Bitcoin në tregtinë ndërkombëtare