Bahri Omari siç nuk e kemi njohu

Bahri Omari siç nuk e kemi njohu
Është përmendur në shtypin e viteve të fundit më shumë për lidhjet familjare me Enver Hoxhën, sesa për veprimtarinë e tij reale në shërbim të vendit të vet. Por libri i sapopublikuar me titull “Bahri Omari - jeta dhe veprimtaria” na njeh për herë të parë me jetën dhe veprimtarinë e Bahri Omarit si patriot, si publicist e politikan me bindje republikane e demokratike, si gazetar i përkushtuar e largpamës lidhur me problemet shumë të ndërlikuara që kalonte Shqipëria gjatë Luftës së Parë Botërore.

Artikujt e tij si drejtor i gazetës së mirënjohur “Dielli”, të shkruar një shekull më parë, ruajnë një aktualitet të rëndësishëm edhe për ditët tona. Po ai shqetësim për të ruajtur çdo pëllëmbë të tokës shqiptare të një Shqipërie të rrethuar prej fqinjësh lakmues ndaj të ashtuquajturit Vorio-Epir, a ndaj bregdetit; për dukurinë e përçarjes mes vetë shqiptarëve; për thirrje për bashkim; artikuj plot shqetësim për fatin e Çamërisë, për marrëdhëniet mes komuniteteve fetare, për nevojën e ngritjes së nivelit kulturor të bashkatdhetarëve brenda e jashtë vendit, për rolin dhe gjendjen e gazetarisë, të botimeve etj.

“Ne shqiptarët, -shkruan B. Omari-, duam të bëhemi evropjanë dhe, në pozitën që ndodhemi, të rrethuar prej armiqsh, nuk munt të rrojmë ndryshe përveç se si evropjanë, domethënë si njerës të qytetëruar, që u binden nomeve dhe nderojnë qeverinë, e cila është vendosur nga shumica e popullit”.

Shumë me interes është veprimtaria e Bahri Omarit në parlamentin shqiptar të legjislaturës së parë gjatë viteve 1921-1923. Periudha më e vështirë e jetës së Bahri Omarit është ajo pas kthimit nga emigracioni i dytë: zgjedhja e vështirë mes pushtimit nazist dhe perpektivës së një Shqipërie “bolshevike”. Në këtë libër, nëpërmjet dokumentesh dhe dëshmitarësh të kohës, dalin arsyet dhe shkaqet e fundit të tij tragjik.
 
 
Kush është Bahri Omari
 
Bahri Omari u lind në 1888 në Gjirokastër. Në moshën 25-vjeçare u emërua prefekt i Himarës. Organizoi dhe udhëhoqi çetat patriotike kundër andarteve greke gjatë pushtimit grek të Shqipërisë së jugut gjatë Luftës së Parë Botërore. Në vitin 1914 Omari shkoi në ShBA, ku u bë drejtor i gazetës “Dielli” të shoqatës panshqiptare “Vatra”. Në 1919 ai u kthye në Shqipëri dhe mori pjesë dy herë në zgjedhjet parlamentare, në 1921 dhe 1923, duke përfaqësuar partinë e Myfit bej Libohovës në prefekturën e Gjirokastrës. 

Në vitin 1924, gjatë qeverisë së Fan Nolit, ai u zgjodh sekretar i përgjithshëm i Partisë Demokratike Kombëtare dhe kryeredaktor i organit të saj, “Shekulli”. Pas rrëzimit të qeverisë së Nolit nga Ahmet Zogu në vitin 1924, Omari lëviz nëpër Europë gjatë kohës që u formua dhe "Bashkimi Kombëtar" ku bënte pjesë. Në Bari ai qëndroi deri më 1939. Në 39’n u kthye në Tiranë, i survejuar nga italianët. 

Bahri Omari ishte kunati i Enver Hoxhës, diktatorit të ardhshëm komunist të Shqipërisë. Gjatë pushtimit të Shqipërisë nga Gjermania naziste ai u bë Ministër i Punëve të Jashtme në qeverinë e Rexhep Mitrovicës 5 nëntor 1943-16 qershor 1944. Për këtë pozicion që ai mbajti u burgos. Në vitin 1945 ai u arrestua dhe u dënua me vdekje nga Gjyqi Special. 

Prokuror i çështjes ishte Bedri Spahiu, ndërsa kryetar i Trupit gjykues zëvendëskryeministri, gjeneral-lejtënant Koçi Xoxe, një njeri me shkollim fillore, me profesion teneqexhi, ashtu si edhe prokurori Spahiu: një ish-toger i degraduar dhe i çmobilizuar i Ushtrisë Mbretërore që në vitin 1935, pa kurrfarë formimi juridik dhe njohje të ligjeve. Gjyqi u zhvillua në kinema "Kosova" (sot "Teatri Kombëtar"), ndërsa mijëra vetë e ndiqnin atë nëpër rrugë nga altoparlantët që qenë vendosur kudo në Tiranë. Vendimi u dha më 13 prill 1945. U ekzekutua ditën e nesërme në një hendek tek Kodra e Priftit në Tiranë. 


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 12 Prill 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)

 

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju duket turizmi këtë sezon, krahasuar me një vit më parë?



×

Lajmi i fundit

Zgjedhjet e pjesshme në Himarë, s’u lejuan të votonin me karta të skaduara, reagon Omonia

Zgjedhjet e pjesshme në Himarë, s’u lejuan të votonin me karta të skaduara, reagon Omonia