Bajram Peçi: Kryelartësia greke me fqinjët është shenjë e shpirtit të vogël

Bajram Peçi: Kryelartësia greke me fqinjët është shenjë e shpirtit të vogël

Gjykata e Lartë na paska rrëzuar për herë të dytë rekursin e Fredi Belerit për t’u lënë i lirë si nga akuzat, që përbëjnë krim, vepër penale, por edhe për t’u betuar. Mbase, në ndonjë nga seancat, gjykata, në kushte dhe rrethana normale edhe do ta kish lëshuar një vendim lirije, por arroganca e shtetit grek ngjalli veçse zemërim. Sollën deputetë, kryetarë bashkie dhe një ditë mbërritën edhe një tufë avokatësh grekë të mllefosur. Të përfaqësuar nga kryetarët e dhomave të avokatisë ata zhvilluan asamblenë e tyre në...Tiranë. Po-po, në Tiranë! E zhvilluan asamblenë për të miratuar njëri pas tjetrit se ato 16 votat që e nxjerrin fitues janë ligjore dhe e mbyllën me thirrjen: Lironi Fredi Belerin të betohet!

Vetëm të qenit mangët (të vonuarit) nuk do arrinin të kuptonin se ky presion, këto forma bizantine, këto metoda që nuk synojnë tjetër përpos se nëpërkëmbjen e organeve shqiptare të drejtësisë, nuk do mund të ngjallnin zemërim! Gjyqtarve nuk u lejohen emocione n;e vendimmarrje, por edhe ata prej mishi e gjaku janë, ndaj nuk e përjashtoj ndikimin (mendimi subjektiv imi) kur shohin paturpësinë e ndërhyrjeve të pacipa dhe presionit “diktues” në ecurinë e gjykimit për krimin e Belerit.

Nuk rreshti furia e dallgëve Beleri në gotën e nacionalizmit agresiv e të sëmurë grek, që shfaqet në mënyrë të qendrueshme me fqinjët, por sidomos me Shqipërinë. Kohë pas kohe e rast pas rasti ekstremistët e saj gricen me fqinjin. Ndërsa ekonomia e financat greke rënkonin prej vitesh, as mos t’ju shkoj ndërmend se nga ky hall i madh kombëtar vrasja e terroristit Kacifas do ju shpëtonte nga dora. I ngritën monument. Edhe pse nën kërcënimimin e peshës së falimentit prej borxheve, të ndjella e sërëndërtuara prej mashtrimeve të tyre, kjo nuk i ka penguar të shumëfishojnë veprimet, për shtrirjen e helenizmit në troje të banuara prej mijra vjetësh nga një racë tjetër, nga shqiptarët. Pasi hapën shkolla greke në disa vëndbanime të jugut shqiptar, ndërtuan varreza të ushtarëve të rënë, ngritën kryqe ortodokse e obeliske martirësh, dhanë ”pensione” për ”homogjenët” dhe uzurpuan tërë strukturën dhe hierarkinë e kishës së ashtuquajtur ”Autoqefale”, e të gjitha këto nën kujdesin e miratimin e qeverive shqiptare, kishin menduar edhe një census si momentin e tyre.

Ata e dinë se aktualisht Shqipëria nuk e ka luksin të kryejë një census që pasqyron realitetin. Është thjesht çështje e nivelit ekonomik të shqiptarve dhe të fqinjit, ku kandari rëndon dukshëm te Greqia. Përderisa Beleri për një bashki i kish mundësitë të blinte në fshatrat e labërisë diku te 300 vota, pse të mos blej disa mijëra e të përmbysi, qoftë dhe me  disa dhjetra, raportin shqiptarë-grekë të Bregut?! Pikërisht, atë ”Breg”, të cilin prej Karaburunit e deri në Gjirin e Artës hartat veneciane, për tërë kohën që Serenisima jetoi, e thërrisnin dhe e shkruanin ”Bregdeti shqiptar”. Filohelenistët, duke shfrytëzuar shkollat, kishën, agjentët (që arritën të zhdukin edhe dosjen e Belerit nga gjykata që e kish dënuar), tregtarët dhe plogështinë shqiptare, mediokritetin e elitës politike, kanë ndërmarrë kohë pas kohe ofensiva të tilla. Kështu ka gjasa se do mund të ndodhi edhe në këto regjistrime.

A ka patur ndonjëherë mëdyshje në këto dyqind vjetët e fundit apo ndonjë paqartësi mbi shtrirjen e popullatave? Asnjëherë, deri në fillim të këtij shekulli, kohë kur ”i sëmuri i Bosforit”-Turqia otomane, nuk u dilte dot më në mbrojtje popujve nën pushtim. Nga kjo kohë filluan edhe pretendimet greke. U shfaq në propagandën e programet e Megalloidhesë, sikur Epiri ishte grek, ndërkohë kur si Epiri i vjetër, ashtu dhe Epiri i Ri i mesjetës së herëshme, diheshin dhe pranohej se ishin troje të banuara nga shqiptarët dhe para këtij emërtimi, shqipfolësit quheshin e mbaheshin si Epirotë e Maqedonë. Dëshmi e kësaj janë tërë enciklopeditë europiane të periudhave para shek. XX-të.

Turqia ra me zhurmë e la pas veç gërmadhave edhe hartat e saj. Nuk bëjmë fjalë për harta greke e sllave, sepse dihet që hartat në gjysmën e dytë të shek. XIX u shnëdrruan nga kartografët në armë nacionaliste, por flasim për harta të bëra nga administrata turke, ku ndikimi shqiptar në hartinin e këtyre hartave ishte zero. Pushteti i shqiptarit në perandori ndjehej e përdorej përveçse si nizam për të mbajtur nën kontrollin e perandorisë popujt e shkretëtirave arabo-afrikane.

 Një nga mjetet më shprehëse, që shfaqin të vërtetën e pakundërshtueshme (para se ato të shndërroheshin në armë poltike), janë hartat etnografike. Një prej tyre po e sjell si provë për lexuesin në këtë shkrim, si dëshmi e freskim të kujtesës për grekë e shqiptarë. Nuk është thjesht një hartë, është dëshmi e të vërtetës.

 Në foto shfaqet CARTE ETHNOGRAPHIQUE DE LA TURQUIE D’EUROPE ET DES ETAATS...-Balkans ethnic 1861.

 Harta etnografike e vitit 1861, një nga orvatjet më të hershme të hartografisë për etnitë, pasqyron shtrirjen e pozicionimin e popullsive në Ballkan, rrjedhë e tërë rregjistrimeve të bëra nga administrata e Perandorisë Otomane. Në legjendë përshkruhet:

-   me ngjyrë të verdhë, territore të banuara nga shqiptarët.

-   Me ngjyrë blu, territore të banuara nga grekët.

-   Me ngjyrë të kuqe, territore të banuara nga turqit.

-   Me ngjyrë të gjelbër, territore të banuara nga bullgarët.

-   Me ngjyrë të blertë të çelët, territore të banuara nga serbët.

-   Me ngjyrë violë të errët, territore të banuara nga vllehët.

 Që popullsia në troje e territore, çka Greqisë i pëlqen t’i quajë “Vorio Epir”, ka qënë në tërsi shqipfolëse, e racës shqiptare, e tregojnë mjaft qartë dokumentet që pushtuesi turk i të dy kombeve, shqiptarve e grekëve, ka lënë, me skrupulozitetin që përshkojnë perandoritë, në shekullin e XIX-të, kohë kur ende të dy kombet e vjetra në gadishull vuanin robërinë. Vetëm një pjesë greke e kish fituar pavarësinë, madje banorët e Kretës ndodheshin në pragun e myslimanizimit në shumicë. Harta e përzgjedhur i përket një kohë të ndërmjetme, kur pjesë të Greqisë e kishin fituar pavarësinë.

 Ndërsa popullata shqipfolëse e emigruar në jugun e gadishullit Apenin dhe Sicili, është shpjeguar nga historianët me mangësitë e saj të humbura në errësirën mesjetare, me pushtimin turk në shekullin e XIV-të, prania e popullatës shqipfolëse në Greqi, mbizotëruese në territore si Poleponezi lindor, More, Atikë, ishullin e Eubesë, Hidra, Beoti dhe Epir, është dhënë gjithnjë qartazi si e pranishme. Ambrakia kurdoherë është dhënë shqiptare. Historianë tanë, disa tërë kohën nën ndikimin e historiografisë herë sllave e herë greke, këto popullata shqipfolëse, mbizotëruese në territore të gjëra të Greqisë së sotme, i paraqesin si shpërthime demografike të shqiptarve në ekspansion, diku, thonë ata, nga shekujt XII-XIV-të (!?).

 Deri më sot, askush nuk ka qënë në gjëndje të japi si provë, qoftë edhe një kronikë të vetme bizantine, se kur ka ndodhur ky i ashtuquajtur “shpërthim”, ndërkohë kur një tërsi të dhënash topografike e legjendash folklorike flasin në të mirën e argumentit se ata, shqiptarët, në ato troje vijnë parreshtur si ngulime shumë më të vjetra. Kronisti bizantin, Kalkondylas përshkruan sundimin e shqiptarëve në Atikë, por nuk bën fjalë gjëkundi për “shpërthimin demografik” të Arvanitasve. “Dyndjet” e shqiptarëve në Greqi në shekujt XIII e XIV-të, gjithmonë janë parë me skepticizëm, më tepër si një krijesë e historiografisë greke.

 Vreni hartën turke të vitit 1861! Shihet qartazi se shqiptarët popullojnë në mënyrë zotëruese territoret që shtrihen deri në gjirin e Artës. 95 përqind e krahinës së Epirit të sotëm, është e banuar nga shqiptarë (Burimi: Libri Blu-Angli, Lord E.Fitzmaurice-1880); 96 përqind e Çamërisë është shqiptare. Ata formonin një popullsi kompakte, homogjene, me një pakicë midis tyre, deri në 5 përqind, si grekë, turq e vllehë. Këtë situatë kishte gjetur edhe Bajroni, në fillim të shekullit të XIX-të, kur hodhi te ”Çajlld Haroldi” vargjet ”...këtu shqiptari ecën kryelartë/ Greku dëgjohet duke pëshpëritur”.

80 vjet më vonë, nga Konica, nëpërmjet veprës ”Shqipëria: kopësht shkëmbor  i Europës juglindore”, na vjen e dhëna se popullsia shqiptare në krahinën e Çamërisë ka zbritur në 80 përqid, si pasojë e ushtrimit të pastrimit etnik në vitet 1913-1924 dhe genocidit shfarrosës në vitet 1945-1946. Deportimi i shqiptarve në Turqi, rrjedhë e abuzimit interpretues të Traktatit të Lozanës, për shkëmbimin e ndërsjelltë mes Turqisë e Greqisë ishte një nga faktorët që ndikoi në ndryshimin e raporteve. Shpopullimi i trojeve shqiptare kulmoi me barbarizmat greke në përfundim të Luftës së II-të Botërore, shfarrosjen e përndjekjen nëpërmjet genocidit grek të popullatës shqipfolëse. E megjithatë, ende në këtë periudhë ajo, popullsia shqiptare në Epir përshkruhet nga etnografë të shquar, si ”E fortë dhe solide...e banuar thuajse veçse nga shqiptarë-Antonio Baldacci, Itineraret Shqiptare-1917”.

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Kuciot: 27/09/2023 19:35

    Bajram Peci punoj ne zgjedhjet per interesin e Belerit. Bajram Peci ishte kunder PS dhe Jorgo Goros. Ndihmoj Belerin dhe tani qe eshte ne burg u kujtua per patriotizmin.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Dita e mësueses së baletit në ‘Një nga ne’, Romina Kaso: Më frymëzojnë sytë e fëmijëve, do kërcej sa të kem fuqi

Dita e mësueses së baletit në ‘Një nga ne’, Romina Kaso: Më frymëzojnë sytë e fëmijëve, do kërcej sa të kem fuqi