Tek-tuk ka ndonjë derdimen që ndez zjarr dhe pakujdesisht i del situata nga dora, por duke parë vëndet (mbi 26) ku flaka po shkrumbon në pyje, maja malesh e zona të thella malore, vetiu mendon se zjarret provokohen, vihen qëllimisht.
Ky derdimeni, rrallë herë kapet, por i qëllimti, zjarrvënsi, s’bën vaki të kapet! Kur shkruaj “qëllimisht”, me kujtohen ushtri shkruesish në facebook që shajnë e ndyjnë Shqipërinë. Ndiqni ndonjë gazetë që frekuentohet shumë online (s’po i përmend emrin se gjen belanë kot) të shihni se si kjo ushtri shkruesish-armiq, të lirë të kryejnë misionin pa asnjë drojë e frikë. Anonimati i mbron. Ata shajnë pa pengesa nga editori, shajnë, fyejnë e përdhosin gjithçka shqiptare: histori, origjinë, besim fetar, ADN, kulturë, drejtues të shtetit, turizëm dhe madje higjenën. Nuk bëhet fjalë vetëm për atë vajzën e vogël që përmend zoti Leka, të cilën e kanë mësuar t’u thotë gjermanëve përmes mikrofonit të protestuesve se “Shqipëria është e pisët”, por qindra të tjerë që shkruajnë, duke vjellur pareshtur të pëgëra mbi trojet e njerëzit tanë.
Ku shkruajnë?
Shumica s’kanë nevojë të ngrejnë gazetat e tyre, se kanë gazetat tona, ato të shtypura, që hidhen më pas online dhe të tjera të ngritura “për informim”, si biznese dhe pse jo, ai gjobavënës? Sapo kryeministri del dhe jep një intervistë aktualiteti, psh mbi marrëzinë serbe për devijimin e Lumit Ibër, të parët që shkruajnë te kategoria “Komente” janë pjesë e armatës serbe-greko-iraniane, që e quajnë tradhtar, vëllai i Vuçiçit, vllehohajdut, kusar, sociopat.
Do thoni ju, pse nuk fshihen apo bllokohen këta indivdë, gjë që nuk ndodh? Për të ndodhur kjo, zotit Baze do t’i duhej të mbante një ushtri me redaktorë për t’i ndjekur komentet në të gjitha faqet!? Sa i përket kontrollit të mediave online si nga AMA, Këshilli shqiptar i Medias, ashtu dhe Komisioni i Pavarur i Mediave, asnjë prej tyre nuk ka kapacitet e duhura të kontrollojë etikën në media. Në këto kushte, pse duhet të kemi të pranishme kategorinë “Komente”? Ka analistë, shkrues e njohës të politikës së ditës, të brendshme e ndërkombëtare, që druhen të shkruajnë sepse i merr “shkruesi” përparta me libër shtëpie.
Nga kjo kjo ushtri, pse të mos jetë gjetur një grup njerëzish, armiq të Shqipërisë, që të vënë zjarre? Siç e bëjnë përkundrejt pagesës ata që shkruajnë pareshtur e pa u lodhur kundër Shqipërisë, edhe këta do jenë me pagesë, patjetër më të majme. Sa për vete jam i bindir se zjarret në Krujë, në Krastë, në Priskë të Madhe, në Dajt, në Lurë, në Përmet e Devoll, janë vënë nga dora e njeriut qëllimisht dhe ska burrë të më provojë të kundërtën.
Strukturat tona të mbrojtjes së pyjeve gjithënjë kanë qenë të dobta. Rojet shihnin të kapnin ndonjë lek nga prerësit pa leje të drurve pyjorë ose kultivuesit e kanabisit dhe ma ha mendja se kështu do vazhdojë! Sa i përket vigjëlimit nga banorët, pa droje them se është zero. Indiferentimi është kultivuar dhe mbijeton për shkaqet e përhapjes së krimit dhe qarkullimit të armëve pa leje. Atëhere, çfarë duhet bërë?
Besoj shumë te shteti im. Ai ka gjithë aftësinë dhe kapacitetet të ngrejë struktura prej Ministrisë së Ruajtjes së Rendit Publik dhe ushtrisë. Frika ruan vreshtin, thotë populli! Sa mirë do ishte të kapej të paktën një prej tyre e të varej prej këmbësh te zjarri i pishave në Krujë, që janë mbjellë e rritur prej banorëve, se kodrinat deri në 1950-tën kanë qenë të zhveshura.
Pata rastin, në shoqëri të dy miqve të mi të udhëtoj nga Liqeni i Thanës në zonën e Dumresë, te përshkoj Belshin e të dal në Cërrik. Djerrinat e para 30 vjetëve lulëzojnë nga parcelat pyje të ullirit dhe pyjet e dushkut. Zona është shdërruar në një mrekulli natyrore që të ushqen frymëzim. Begatia e lulëzimit të pyjeve janë se bashku me ujrat dhe parqet arkeollogjike të vetmet pasuri që mund t’u gëzohemi. T’i ruajmë me çdo mjet!












Komente
Komento