Bajram Peçi: Sfida që na pret për të bërë shtet të demokracisë

Bajram Peçi: Sfida që na pret për të bërë shtet të demokracisë

“Pandëshkushmëria e politikanëve duhet të mbarojë, kthimi në normalitet kalon nga burgu”, është deklarimi i fundit i kryetarit të Partisë Demokratike në një dalje të vonë në konferencë shtypi. Nuk e ka fjalën për veten. As që e mendon! Fjalën e ka për Edi Ramën e të tjerë afër tij, me shkas nga përgjimet për zgjedhjet e qershorit 2017, e të tjera krime që thotë se di. Përtej kësaj, me këtë deklarim rutinor, ai zbraz tërë vrerin ndaj Prokurorisë së Tiranës, thirrjen e të cilës për t’u paraqitur e quan politike. As për procedurë se njeh këtë institucion, një nga shtyllat ku duhet të mbahet shteti, i bindur se ndjenjat e sjellja tekanjose janë të mbrojtura nga koraca e kryetarit.

Duhet t’i kujtojmë zotërisë se pjesa më e madhe e popullit emrat që përmend si dy të pandëshkuarit e mëdhenj, janë Sali Berisha dhe Lulzim Basha. I pari, për krimet e viteve 1997 e 1998, shkatërrimin e shtetit e keqadministrimin e tij, të cilat paturpësisht i amnistoi. I dyti, Lulzim Basha, i pandëshkuar për tre krime: 1)Pasi u akuzua për nja 250 milion euro shpërdorim të rrugës së kombit, u çua për gjykim por nuk u gjykua. Por as pafajsi nuk fitoi. Procedura të nëpërkëmbura, të përqeshura dhe raporte mjekësore që lëshoheshin ditë pas dite, e shmangën gjykimin, duke ja hequr mundësinë të shkarkonte nga supet një peshë, që do ta mbajë ngarkuar gjithë jetën. 2)Për vrasjen e katër protestuesve pa rrezikshmëri shoqërore dhe plagosjen e disa dhjetra të tjerëve. Konferencdhënësi ndodhej atëbotë në postin e presupozuar të urdhërdhënësit, si Ministër i Brendshëm. 3)Si protagonist në dhënjen Greqisë të një hapësire detare shqiptare, kur ndodhej në postin e Ministrit të Jashtëm. Fatmirësisht, Gjykata Kushtetuese e hodhi poshtë marrëveshjen.

Ndokush mendoi se nuk do e kish të gjatë, si zonja Jozefinë, psh., por pikërisht atëhere Saliu e shndërroi në një figurë me shumë reputacion në PD, i besoi drejtimin e PD-së. Pas marrëveshjes së majit 2017 dhe humbjes spektakolare të zgjedhjeve të qershorit, u duk se do largohej i dështuar nga politika. Opozitën e bëri jo me programe, por me regjistrime tip babale, montazhe për dy ministra, tërheqje nga zgjedhjet e djegje demonstrative e mandateve të deputetëve të Kuvendit, që kulmuan me protesta të dhunshme çdo javë. Pikërisht atëhere ai punësoi dy gjermanë, një në Tiranë dhe tjetrin te gazeta bulevardeske Bild. Ky i Tiranës, që mbulon marrëdhënjet me publikun, e ka ndihmuar, duke i dhënë mbështetje intelektuale dhe mësimet e duhura për aksionin me frymë kryengritëse. Ai i Bild-it, xhokeri nën mëngë, me gjasa po i shpëton karrierën. Përmes publikimeve të disa bisedave në Shijak dhe Dibër, shpreson të ngjallë te elektorati i tij ndjenjën e protestës përfundimtare, atë të largimit të Ramës. Do jetë “Lufta finale”, vendimtare (sipas tyre) për larjen e hesapeve me armikun socialist, me krerët e këtij populli “dele”, por që e ka kundërshtar politik të përbetuar.

Ai thotë se qëllimi i kësaj fryme nuk është ëndrra për t’u bërë kryeministër, por çmontimi i atij rendi që ka lejuar shitblerjen e votës. Togfjalëshi, që së bashku me Sali Berishën dhe disa gazeta e portale, përmendin pa rreshtur, janë revolucion e kryengritje. Rreth këtij termi janë grumbulluar një aradhë opinionistësh, që u rrinë shikuesve e lexuesve si gjarpërinj helmues mbi krye prej mëse 20 vjetësh. Klubit të tyre publikisht këto ditë ju bashkua presidenti Ilir Meta. Këtë, që unë pa të keq e quaj “Klub”, Edi Rama nga Londra e quan, “Front të së keqes”. Politika e ndjekur prej Ilir Metës, prej kohësh nuk ka qenë aspak e lehtë për t’u kuptuar. Të huaj e vendas, në kërkim të parimeve të tij, dallueshmërinë nuk jua ka afruar sipërfaqja opake, deri kur u qartësua se PD-ja dhe LSI-ja, partia pronë e tij e që ja la gruas si trashëgim për kohën që do ishte i betuar si garant i kushtetutës dhe unitetit, janë dakortësuar të dyja të jenë parti protestash. Së bashku do jenë ato që do drejtojnë nesër shtetin. Kanë rënë dakort për këtë, përfshi dhe hollësira përqindjesh të ndarjes së llokmave.

Thelbi i kauzës për të protestuar është: Republika e rrezikuar! Do jenë këto dy parti dhe disa figura groteske kryetarësh pa anëtarë (mbase dhe ajo e atij grekut), që do i japi Shqipërisë identitetin e humbur, zhvillimin ekonomik, që do hapin vënde pune e do rrisin rrogat në caqe që askush nuk do ketë nevojë të nxitet për emigrim. Për të treguar se sa qesharakë bëhen ca njerëz, që e teprojnë me rëndësinë që i japin vetes, mjafton t’ju ndërmend sjelljen e Ilir Metës me dekretin për zgjedhjet e 30 qershorit. Jashtë kompetencave që i njeh kushtetuta, e “ç’dekreton”. Del vetë ose nxjerr këshilltarët, kinse për të shpjeguar se është i zoti të kuptojë veç ai përmbajtjen e kushtetutës dhe këtë e bën tërë qesëndi për “çunat e Shijakut”; ose përmend, përmes përqeshjesh të hidhura, junta e ushtri në mbrojtje të kushtetutës. Zot na ruaj nga këta të papërgjegjshëm, të besdisur nga kotësia që u fryn institucioni dhe cinizmi i partisë në pushtet, që ua hoqi duart nga tepsia!

Duhet dikush t’i pyeste Lulzim Bashën dhe Edi Ramën nëse ia vlen gjithë kjo kohë, energji dhe rrezikshmëri për të fituar pushtetin apo për të mbajtur pushtetin? Ndërkombëtarët do ishte më mirë t’ua bënin pyetjen. Mbase edhe ua kanë bërë, por reagim nuk shohim. Ajo që pamë ishte sjellja e grupeve që sulmuan qendrat e votimit në Bajram Curri, Shkodër, Burrel e nuk di ku tjetër. Fanatikë të përbetuar (kryengritës sipas Saliut) e kryen këtë punë me atë kënaqësi dhe vullnet të mirë të një fshatari kokëgdhë, që se ka aspak të nevojshme ta shtrëngojnë, qoftë dhe për ta djegur KQZ-në. Përkundrazi, e bën me qejf! Dhe ata marrin vesh nga ajo puna e demokracisë apo “...e duam Shqipërinë si gjithë Europa”, aq sa ka marrë vesh ajo shtylla te sheshi ku ngrihet madhërishëm shtatorja e një vigani liberator, B.Currit. E dinë dhe vetë besa, që veprimi s’është punë demokracijet. Dhe t’u thuash këtyre, mos e bëni këtë e atë se Amerika sdo t’u japi vizë, do të thotë se s’je në gjendje t’i përshtatesh realitetit mendor të një vendbanimi që ju kanë vrarë dy dekadat e fundit rreth 200 djem.

Tjetër çfarë mund të shihet në ato bashki, ku janë në pushtet PD-istët, është tufa e policëve, shokë ose kushërinj të “kryengritësve”.

Ata, gjithë gjullurdi e fjalë, duken më shumë sikur mundohen t’i drejtojnë të kryejnë punën që u është ngarkuar. E pashë te kronika e Tropojës se si u hodhën vërdallë, u ngërdheshën e u zgërdhinë, hodhën shkelma të dy palët, shtynë sa me supe e sa me bryla, duke bërë veçse zallamahi, por jo rend. Kjo ka gjasa të ndodhë në 24 bashki. Hamendësimi nuk duket të jetë punë tërheqëse dhe çdo orvatje për të hulumtuar “Çdo ndodhë?”, është jo vetëm e vështirë, por të shkakton dhe dhimbje koke.

Ndër shqiptarët nuk ka qenë e njohur ndonjëherë terminologjia gandiane. Edhe sot janë shumë nga ata që s’ju qasën qendrimit të Ibrahim Rugovës. Sjellja e vrazhdë ka përkuar më shumë me natyrën shpërthyese ose të egër (quajini si të doni). Roli i mediave këto kohë kryesisht është ai i zjarrvënësve, me aleanca të dukshme me faktorin politik. Liria gazetareske ka mbërritur në caqe të tilla që kërkush nuk është i zoti të kuptojë saktësisht me kë ka të bëjë, cili është misioni i tyre (nëse kanë një të tillë), përcjellin kulturë apo performojnë formacione luftarake?

“Çfarë do ndodhë”, ka dy alternativa: së pari, të shmanget dhuna, duke pranuar një datë tjetër zgjedhjesh, shoqëruar kjo me dorëzimin nga Rama të postit të kryeministrit. Edhe po u bënë zgjedhje të përgjithshme të parakohshme nuk është se bëhet kijameti. Kjo është e mundshme, por pasojat do jenë edhe më shumë se 30 vjeçare. Krijohet një precedent juridik, me pasoja dobësimin e shtetit në kufijtë e dështimit. Parë realisht, ka pak gjasa të ndodhë se është e natyrshëme të ndodhesh nën akuzë se i hape rrugë rrugaçërisë, salirave të shtyllave të tensionit të lartë. Së dyti, zhvillohen zgjedhje në 30 qershor dhe te më shumë se gjysmat ato do ecin normalisht. Te shumë të tjera konfliktet do çojnë në përplasje dhe mos zhvillim të zgjedhjeve. Pasojat janë të pa parashikuara, por nëse shteti do hidhet vendosmërisht në veprim, për nxjerrjen para ligjit të shkelsëve të ligjit e dhunim të KQZ-ve, nëse dhunuesit dënohen me vendosmëri, pavarësisht numërit të eksponentëve (kryesisht me rekorde kriminale), zgjedhjet, atje ku nuk janë lejuar, bëhen në një kohë tjetër. Shteti fiton. E shoh me dyshim se mund të ndodhë kështu sepse policia ka treguar që është tolerante (udhëzuar të mos ushtrojnë dhunë ?!), se është liberale me ligjin (se aq paguhen e vlerësohen), se jo domosdoshmërisht i vihet gjoksi ruajtjes së KQZ-ve, se krijimin e një klime zhvillimi normal zgjedhjesh se kanë dhe aq në dorë. Si do që të ndodhi, asnjë dorëheqje dhe asnjë afrim zgjedhjesh nuk duhet të ketë pa u formuar SPAK e gjithë institucionet e tjera të drejtësisë. Po ndodhi kjo, lamtumirë shtet i të drejtës! Tani kuptohet më mirë pse u pengua ngritja e institucioneve të drejtësisë, pasi vetingu bëri pastrimin e tyre. Gjithçka ka qenë e menduar dhe stërmenduar.

Mundet që pas zgjedhjeve, pra funksionimit të shtetit, të jetë vetë Partia Socialiste që do kërkojë ta çojë vendin në zgjedhje të parakohëshme. Pse jo? Prova e forcës ka filluar. Do luajmë luftash apo do ulemi me këmbë në tokë e mendje të ftohta?! Çdo qendrim i tipit “me besim të patundur...”, veçse na ekspozon si shoqëri e popull të paaftë për reflektim, pa intuitë e me elitë të papërgjegjshme ndaj popullit të vet. Po të ishin ndëshkuar në kohë siç e meritonin Sali Berisha dhe

Lulzim Basha, gjë që s’ndodhi, s’kishte gjasa të provohej parashikimi profetik i Konicës se kush është është armiku ynë. Është shumë e thjeshtë për ta nënvlerësuar, po kaq e thjeshtë është edhe të shkruash, por nuk është kaq e thjeshtë për të menduar zgjidhjen. Ajo që di, me të cilën dua ta mbyll, është terri ku ndodhemi. Të ndeshemi me njeri-tjetrin dhe të përplasemi kuturu, pa ditur mirë se për çfarë do luftojmë që ta fitojmë...?! Synimi, nëse është shteti i demokracisë perëndimore, ashtu dhe duhet ta paraprijmë me vendimmarrje, deri në zgjidhje, me urtësi. Po të isha kryeministër e kryetar i Partisë Socialiste do shkoja në zgjedhje dhe do fitoja padyshim mbi 50 përqind. Po, ja që s’jam veçse një qytetar i papeshë, që nuk don ta shoh atdheun e tij në kaos.

B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë