Yjet e mirënjohur të teatrove prestigjiozë të botës nga La Scala e Milanos, Opera e Parisit, Vjenës, Berlinit, Nju Jorkut, Tokios apo Bolshoi e Moskës etj, zbritën mbrëmë në Tiranë, në një mbrëmje magjike në skenën e Teatrit të Operës dhe Baletit.
Pesë çifte nga më të famshmit e Europës dhe 13 solistë elitarë ndërkombëtarë performuan, duke shkrirë profesionalizmin dhe spektaklin.
“Mendoj që kjo gala është shumë e bukur për publikun. Është balet klasik dhe janë disa nga balerinë më të mirë që interpretojnë.”, thotë Vitali Petrov, Drejtor i Operës dhe Baletit të Vjenës.
Për artistët e huaj shfaqja në Tiranë ishte një përvojë të veçantë profesionale.
“Jam nga Palermo. Jam shumë e emocionuar dhe e lumtur të ndaj skenën me artistë të jashtëzakonshëm nga e gjithë bota.”, thotë balerina Martina Pasinotti.
“Çdo artist kërkon mënyra të reja për t’u frymëzuar çdo ditë dhe të interpretosh në qytete të ndryshme është gjithmonë frymëzim dhe emocionuese.”, thotë balerina Ruika Yokoyama.
“Është fantastike të interpretosh në një kulturë që është totalisht e ndryshme për një publik që nuk më njeh. Ka gjithmonë diçka për të mësuar dhe diçka për të dhënë.”, thotë balerina Emilie Siqueira.
“Është një sfidë mjaft interesante. Është një trupë që vjen nga e gjithë bota, Do të jetë një shkëmbim njohurish dhe përvojash.”, thotë balerini Carlos Boeira.
“Është hera ime e parë në Shqipëri. Është hera e parë që kërcej me shumë balerinë, që nuk i kam njohur më parë. Mendoj që është shumë përmbushëse të prezantosh artin tënd në audienca të ndryshme.”, thotë balerina Salome Leverashvili.
Shfaqja bëri bashkë në skenë artistë të talentuar të baletit, të cilët kanë shkëlqyer në skenat më të famshme e që sollën për publikun shqiptar kryeveprat më të bukura botërore.
Komente












