Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, kërkoi konsensus mes mazhorancës dhe opozitës për reformat që i shërbejnë anëtarësimit të Shqipërisë në BE, përfshirë ndryshimet në legjislacionin zgjedhor. Në prani të komisioneres europiane për Zgjerim, Marta Kos, Balla theksoi se anëtarësimi nuk është vetëm objektiv i qeverisë, por mbarëkombëtar. Ai i kërkoi gjithashtu komisioneres më shumë mbështetje për integrimin europian të Kosovës.
“Në këtë tryezë shikoni përfaqësues të të gjitha forcave politike dhe kjo është dëshmi e rëndësisë që i kushtojmë procesit të anëtarësimit në BE. Shqipëria është e angazhuar në rrugën e saj drejt anëtarësimit. Ky nuk është objektivi i vetëm i qeverisë, por objektivi ynë mbarëkombëtar, që përshkon programet e forcave politike dhe angazhimin e institucioneve.
Mund të kemi qasje të ndryshme mbi qeverisjen, por destinacioni ynë i përbashkët është Shqipëria në BE. Vullneti ynë politik është i plotë për të çuar përpara reformat, por pika jonë e referimit mbeten vlerat e Bashkimit Europian. Anëtarësimi në BE është një zgjedhje për modelin që duam të ndërtojmë këtu në vend.
Në këtë fazë, konsensusi politik merr një rëndësi më të madhe se kurrë më parë. Legjislacioni ynë zgjedhor ekzistues është rrjedhojë e konsensusit tonë politik dhe besoj se edhe ndryshimet e ardhshme duhet të bëhen po me konsensus.
Dallimet që na mbajnë larg njëri-tjetrit nuk duhet të bëhen pengesë në përmbushjen e objektivave kombëtare. Objektivi ynë është t’i kthejmë rekomandimet në rezultate legjislative dhe në ndryshime të prekshme për të gjithë qytetarët.
Kuvendi duhet të jetë jo vetëm institucioni që miraton, por edhe ai që mbikëqyr zbatimin dhe garanton llogaridhënien. Ju kërkojmë më shumë mbështetje edhe për rrugëtimin europian të Kosovës”, tha Balla.
Lajmi kryesor:
Këshilli Kombëtar i Integrimit, Marta Kos: 2027 mund të jetë viti i Shqipërisë! Balla apel për konsensus për reformat: BE, destinacioni i përbashkët! Tabaku: Integrimi të mos përdoret si fasadë







