Balla: Tv "Klan" mori 17 milionë
USD nga Qeveria e Berishës

TIRANË – Nënkryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, i ftuar në studion e "A1 Report" ka deklaruar se deri më tani janë 300 dosje kallëzimesh për korrupsion që i janë dërguar Prokurorisë, por sipas tij ajo po ecën shumë ngadalë duke proceduar me vetëm 10 dosje. Sipas deputetit Balla, 192 nga këto kallëzime janë dorëzuar nga Ministria e Financave dhe institucionet e saj të varësisë. Ndërkaq, dosje janë dorëzuar në Prokurori edhe për ALUIZNI-n dhe Hipotekat.
 
Duke u ndalur konkretisht tek dosjet ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes Arben Imami, deputeti Balla tha se është në interes të drejtësisë shqiptare që Prokuroria të hetojë çështjen.
 
Balla tha se rreth 17 mln $ janë dhënë nga institucionet qeveritare në qeverisjen e kaluar për të sponsorizuar televizionin “Klan”, duke shtuar se “Televizioni ‘Klan’ mori në një dorë 1 mld lekë nga Imami para zgjedhjeve”.
 
Në qendër të bisedës në studion e “A1 Report” u soll edhe një tjetër çështje e diskutuar së fundmi lidhur me rastin e përfshirjes së vajzës së ish-kryeministrit me një aferë korruptive me një biznesmen të huaj, Ansar. Balla tha se Prokuroria duhet të hetojë këtë çështje, dhe palët të thirren për të dëshmuar.
 
Sa i takon një tjetër çështje të nxehtë, të diskutuar së fundmi, lidhur me përfshirjen e Forcave të Armatosura në trafikun e lëndëve narkotike, deputeti Balla tha se "akuzat ndaj FA janë drejt shuarjes”. Deputeti i PS-së tha se SHISH mohoi ekzistencën e provave lidhur me përfshirjen e FA në trafikun e drogës. Ndërsa shtoi se është shqetësues fakti që presidenti Nishani, si Komandat i Përgjithshëm i FA nuk mbajti asnjë qëndrim lidhur me këtë çështje.

taulant balla ne studio

Flitet për një dosje voluminoze dhe shumë korrupsion së fundmi?
Jemi në një situatë kur në Prokurorinë e Përgjithshme dhe në prokuroritë në varësi të saj ka një numër të madh kallëzimesh. Janë 300 dosje për korrupsion. 192 kallëzime janë vetëm nga Ministria e Financave dhe institucionet e varësisë së saj, tatime, dogana. Prokuroria po ecën ngadalë. Vetëm për 10 prej tyre kanë filluar të bëhen arrestimet dhe procedimet e mëtejshme penale.  Nuk kemi hequr dorë nga asnjë akuzë që kemi bërë. Imami ka shitur një ton skrap me çmimin e një toni zhavorr. Dhe kjo është dosje në Prokurori. Një ditë me urdhër të Berishës, Imami harxhoi një shumë të madhe parash për të blerë një pajisje për përgjim, ka përgjuar edhe të vetët. 3 dosje janë në ngarkim të ish-ministrit Imami, ndërkohë që ka dosje për ish-zyrtarë të tjerë të Ministrisë së Mbrojtjes. Janë harxhuar 17 mln dollarë nga shteti shqiptar, nga institucione të ndryshme. Ka çështje që lidhen me ALUIZNI-n, janë 30 dosje në Prokurori për procedurën e legalizimit. Po kështu ka dosje për Hipotekën.
 
Keni deklaruar se për çështjen Imami ka pasur presion në Prokurori. Keni përmendur dhe Berishën. A është e justifikuar kjo?
Prokuroria nëse nuk ka kapacitete mund t’i kërkojë ekzekutivit miratimin e një fondi shtesë për marrjen e prokurorëve, oficerëve hetimorë, etj. Por kjo nuk ka ndodhur. Prokuroria duhet të veprojë më shpejt për hetimin e këtyre dosjeve, dhe referimin e tyre në Gjykatë. Është e vërtetë që janë shumë dosje me kallëzime në Prokurori për korrupsion. Ky është një problem i ndjeshëm.

Në këtë situatë, Prokuroria nuk duhet të ulë tempin. 3 dosje për ish-ministrin Imami nuk mund të hidhen poshtë, por duhet të hetohen. Po kështu edhe skema e vjedhjes së miliona lekëve në tatime. Këtu tek ne Prokuroria i njofton hajdutët përpara se t’i arrestojë. Këto raste duhen hetuar deri në fund.

Këto ditë është përfolur një çështje për përfshirjen e vajzës së ish-kryeministrit me një aferë korruptive me një biznesmen të huaj. Është për t’u përshëndetur që një viktimë korrupsioni vjen dhe deklaron publikisht se nëse drejtësia do ta hetojë këtë çështje, unë jam gati për të hetuar. Prokuroria duhet të thërrasë të dëmtuarin, dhe dëmtuesin, sekserin.
 
Biznesmeni Ansar bëri akuza që tronditën publikun shqiptar, mendoni se do ketë një proces gjyqësor për këtë çështje?
Një proces gjyqësor varet nga Prokuroria. Nëse nuk i referohet gjykatës, nuk do të kemi proces. Por është në nder të drejtësisë që kjo çështje të hetohet. Nëse prokurorët e çështjes, arrijnë të tregojnë se nuk ka vend për procedim, atëherë dakord. Kodi Penal është i qartë për këtë rast. Dëm ekonomik ka, pasi mendoni dëmet e ekonomisë shqiptare nëse do ishin investuar ato para. Ka konflikt interesash. Por edhe shpërdorim detyre. Ka tre raste që duhen hetuar. Problematike është edhe kontrata që i imponohet biznesmenit. Korrupsioni për të cilin është sot ish-kryeministri i Kroacisë ngjan me rastin e marrëdhënies me zotin Ansar. Ka raste të ngjashme, ku drejtësia e vendeve pranë Shqipërisë e ka bërë punën e vet.
 
Ndalemi tek rasti i Forcave të Armatosura, dhe akuzat se po përdoren për trafik droge. Çfarë kosto kemi ne si vend nga kjo?
Besoj se kjo bombë molotov e opozitës ndaj forcave të armatosura po shkon drejt shuarjes. SHISH tha se nuk ka prova për këtë çështje. Edhe ambasadori i SHBA tha se kjo gjë dëmton imazhin. Mua me shqetëson qëndrimi i presidentit, si Komandant i Përgjithshëm i FA që i dëmtohet imazhi i ushtrisë nga partia e vet dhe nuk reagon. Nuk thërret shefin e shtabit të ushtrisë, apo ministrin, apo t'i kërkonte takim kryetarit të opozitës. Në cilin vend të botës do sulmohej ushtria dhe Komandanti i Përgjithshëm i FA nuk do kishte bërë qoftë as edhe një lëvizje të vetme. Bej pjesë te ata njerëz që respektojnë institucionin në fjalë, dhe marrëdhëniet institucionale, por fakti që s’ka reagim më shqetëson. Është një situatë jo e mirë kur hidhet baltë mbi ushtrinë. Përmendëm pak më parë dosjet në ngarkim të ish-ministrit të Mbrojtjes. Ne edhe kur kemi qenë në opozitë kemi folur për raste korruptive, por kurrë nuk kemi hedhur baltë mbi forcat tona të armatosura. Të ngrihet sot një i sëmurë psikik, se çdo gjë që vjen sot nga opozita, vjen nga Sali Berisha. Arsyeja pse PS dhe LSI morën iniciativë të përbashkët për të krijuar një Komision Hetimor ishte për faktin se edhe në këtë rast Prokuroria e Përgjithshme bëri një deklaratë të thjeshtë, “kush di gjë të vijë këtu”. Por moskallëzimi i krimit është një krim i dënueshëm. Dhe Prokuroria duhet t'i kërkonte të gjithëve të thonin ato që dinin.
 
Si do veprojë qeveria Rama në këtë drejtim?
Qeveria po zhvillon një luftë të papajtueshme me korrupsionin dhe krimin e organizuar. Korrupsioni nuk ka ngjyrë, as blu as rozë. E konsiderojmë korrupsionin krim të rëndë, dhe për këtë duhet luftuar si fenomen.
 

(Video, intervista e plotë)
/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 13 Janar, 10:25

    Nisi regjistrimi, a do të marrë pjesë masivisht në zgjedhje diaspora?



×

Lajmi i fundit

Komandohet drejtuesja, për herë të parë PD e Shkodrës do drejtohet nga një grua

Komandohet drejtuesja, për herë të parë PD e Shkodrës do drejtohet nga një grua