Shqipëria duhet të ecë shpejt pas Malit të Zi në rrugën drejt Bashkimit Europian, ndërsa reformat e realizuara duhet të shpërblehen me hapa konkretë në procesin e anëtarësimit. Ky ishte mesazhi i presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, në konferencën për shtyp pas Samitit BE-Ballkani Perëndimor në Tivar.
“Europa dhe Ballkani Perëndimor po afrohen. Sot diskutuam se si ta bëjmë këtë lidhje më të fortë, më të dukshme dhe më konkrete. Konfirmojmë se Ballkani Perëndimor i përket Bashkimit Europian. Kjo nuk është vetëm një premtim, por një zgjedhje strategjike që po bëjmë përmes investimeve, bashkëpunimit dhe besimit për të ecur përpara së bashku. Diskutuam për Planin e Rritjes dhe zgjerimin. Zgjerimi ka rëndësi gjeostrategjike dhe është një investim për paqen, stabilitetin dhe sigurinë tonë. Ai do të mbetet i bazuar te meritat, por duhet të bëhet më dinamik, sepse i bazuar te meritat nuk do të thotë i ngadaltë, por i drejtë dhe i parashikueshëm. Kur reformat realizohen, atëherë progresi në procesin e anëtarësimit duhet të pasojë. Kjo është ajo që duam të bëjmë, të shpërblejmë reformat me integrim real, me akses në programet tona, në financime dhe në tregje. Nëse do ta përmblidhja këtë samit me dy fjalë, ato do të ishin vendosmëri për ta bërë të ardhmen europiane të Ballkanit Perëndimor konkrete sa më shpejt të jetë e mundur dhe besim se Bashkimi ynë do të zgjerohet. Anëtarësimi i Malit të Zi si anëtari i 28-të deri në vitin 2028 është i arritshëm. Shpresojmë që Shqipëria të ndjekë shpejt dhe që i gjithë rajoni të afrohet më shumë me Bashkimin Europian. Ne jemi gati për një komunitet me fat të përbashkët”, deklaroi Von der Leyen.
Lajmi kryesor:
Samiti BE-Ballkani Perëndimor në Tivat, Von der Leyen: Reformat të shpërblehen me anëtarësim! Costa: Shqipëria në fazën tjetër të negociatave





