Vlerësova shumë respektin e treguar ndaj doktoreshë Anila Godos, të nderuar “Për merita të veçanta civile”. Shumë, por jo të gjithë njohin punën e saj të mrekullueshme dhe të palodhur në vite pikërisht për fëmijët me sëmundje të gjakut në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza. “Po të mos ishte Anila Godo, mbesa ime 8 vjeç sot nuk do të jetonte. Ajo na e shëroi, bëri mrekullinë me vajzën tonë e na riktheu jetën në familje”...tregon shpesh një koleg dhe besoj se sa e sa të tjerë kanë për të treguar histori të mira nga mjekja jonë dhe stafi i saj.
Nga pamjet dhe fotot e publikuara, të ftuarit e Presidentit Nishani janë përgjithësisht të ftuarit që shihen kudo, në çdo festë zyrtare të organizuar në Tiranë: Të njëjtët njerëz të biznesit, të politikës, të medias. Por ndryshe nga herë të tjera dhe organizime të rëndësishme të tjera, ra në sy sajdisja e tepëruar drejt ish-Guvernatorit Fullani. Sikur asgjë me të të mos kish ndodhur, duke parë tavolinat, vendi i tij ishte në tavolinat më kryesore të Festës presidenciale. Dukej sikur, Presidenti i Republikës dhe stafi i tij, kishin injoruar, zhubravitur, flakur çdo punë apo qoftë dyshim të drejtësisë.
E megjithatë, në historinë e postdiktaturës, Presidenti Nishani, nuk është i vetmi që ka këtë sjellje ndaj administratorëve nën hetim apo të dënuar. Madje, do të doja të sillja një paragraf të fjalës së tij, lexuar para të gjithë të pranishmëve, me shpresën që të ketë bërë efektin e duhur të donacionit edhe te ish-Guvernatori Fullani.. “...Personalisht mendoj që askush nuk mund ta kërkojë lumturinë e qetësinë e tij tek izolimi dhe egocentrizmi. Ato krijojnë krizë etike dhe sociale. Në kohë të vështira historike bashkë me mikpritjen dhe besën, të certifikura nga të gjitha kodet e tyre, shqiptarët e kanë pasur të fortë edhe ndjenjën e solidaritetit.
Diskutimi mbi solidaritetin njerëzor nuk është aspak një diskutim moralizues. Përkundrazi, është diskutimi më i vlefshëm dhe me vlerë praktike, që i shërben më së shumti dobishmërisë faktike.
Ashtu siç ka njerëz me jetë relativisht të qetë dhe të suksesshme, ka edhe njerëz në nevojë, njerëz jo të lumtur, të vetmuar, të braktisur, të sëmurë.
E mira do ishte që askush dhe askurrë të mos e ndiente veten të vetmuar dhe të braktisur.
Kjo nuk është e mundur...” Nëse mes të tjerash, këto fjalë të Presidentit, kanë bërë efektin e duhur duke mbledhur shuma të nevojshme për fëmijët me sëmundje të gjakut, atëherë ja ka vlejtur dhe kjo Ballo dhe shpreh keqardhjen time që nuk munda të marr pjesë dhe premtimin për të rekuperuar dhe kontribuuar në lehtësimin dhe gëzimin e kujt ka nevojë.
Por, besoj që sidomos nga Presidenti i një vendi dhe deri te qytetari më i përulur i tij, duhet bërë një distancim i prerë, deri në neveri, ndaj kujt, me veshjen e të ftuarit të nderit, nuk përfaqësonte një status apo pasuri të bërë me punë, talent e pasion: Peliçet mijëra euro e fustanet, gjithashtu tepër të shtrenjta dukshëm, të firmave më të mira botërore (por që në fakt janë vetëm maja e ajsbergut krim-politikë), janë si ai qelbëzimi që del në sipërfaqe pas një infeksioni të thellë në shoqëri. Ja, kjo pjesë e shëmtuar e shoqërisë shqiptare duhet lënë të vdesë e të thahet në vetmi, sepse ky korrupsion me qëllim grabitje pasurish të përbashkëta, është dhe shkaktar dhe lë në sëmundje, vuajtje, varfëri, vetmi pjesën më të brishtë të shoqërisë.
Ja pse edhe në mendimet dhe punët fisnike, kërkohet një sens barazie dhe mase, sepse vetëm kështu kush ka rrëmbyer, detyrohet nga strukturat shtetërore, por dhe nga qëndrimi i shoqërisë, të kthejë atë që për vite u ka marrë padrejtësisht shqiptarëve.